E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quint-i paralajmëron krizë në Kosovë

Vendimi i kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë deri në 50 për qind, ka alarmuar përfaqësuesit e vendeve të Quint-it.
Këta të fundit janë takuar të martën për të biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, ku katër orë radhazi kanë folur vetëm për vendimin e Thaçit për rritje pagash, shkruan gazeta “Zëri”. Pavarësisht kësaj, tashmë mësimdhënësit dhe punëtorët shëndetësorë kanë nënshkruar vendimet për marrjen e pagave të rritura.

Quint-i ka parashikuar krizë të madhe buxhetore nëse hyn në fuqi ky vendim, duke kërkuar kështu direkt nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, që të kundërshtojë atë. Kështu kanë bërë të ditur burime të gazetës “Zëri”, të cilat kanë marrë pjesë në këtë takim. Quint-i ka zhvilluar debat të gjatë edhe me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me ata të ICO-së, duke parashikuar kolaps të buxhetit nëse hyn në fuqi vendimi për rritje 50 për qind të pagave.

“Quint-i gjatë takimit ka diskutuar në detaje për çështjet buxhetore, duke paraparë probleme të mëdha buxhetore, më e zhurmshmja ka qenë ICO-ja, e cila ka deklaruar se nuk duhet lejuar që të merret ky vendim”, ka thënë burimi i gazetës “Zëri”.

Mirëpo, jo të gjitha vendet e Quint-it kanë pasur qëndrim të njëjtë, disa prej tyre kanë deklaruar se Kosova është vend i pavarur dhe duhet të marrë vetë përgjegjësi për vendimet që ka marrë dhe më pas të bartë pasojat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›