E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speciale/ A mund të përmbyset Mubarak-u me demonstrata?

Të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme i shpalli të jashtëligjshme të gjitha demonstratat teksa policia lëvizi me shpejtësi për të shpërndarë çdo grumbullim njerëzish. Zyrtarë të sigurisë njoftojnë se rreth një mijë persona janë arrestuar.  Protestuesit refuzojnë të përmbahen, por kanë hasur vështirësi në bashkimin e turmave të mëdha.

Përleshjet kanë vijuar gjatë natës në qytete të ndryshme anekënd Egjiptit. Disa nga skenat më të dhunshme kanë zënë vend në Suez, ku disa demonstrues u vranë të martën. Në Lindjen e Mesme, situata është kaq e paparashikueshme dhe ngjarjet kanë një ritëm kaq të shpejtë, saqë gjithçka mund të ndodhë.

Pasi autoritetet refuzuan të lironin një nga demonstruesit të mërkurën, turma i vendosi zjarrin një prej godinave qeveritare. Gjithsesi, pavarësisht të gjithave, jeta normale vijon normalisht në shumicën e zonave të vendit. Pjesa dërrmuese e egjiptianëve janë shumë të zënë me punë  sa që nuk  “gërvishtin” dot jetët e tyre për t’ju bashkuar demonstratave.

Zemërimi kundër qeverisë është përhapur skajshmërisht në popull, por nuk i kalojnë mijëra personat ata që aktivisht e shprehin zemërimin e tyre. Kjo do ti japë kohë për frymëmarrje qeverisë.

Ish-kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, fitues i çmimit Nobel për Paqen, Mohamed ElBaradei, u kthye në Egjipt mbrëmjen e djeshme. Kjo mund të rrisë fokusimin në protestat, por mbështetja e tij është më e madhe në klasën e mesme nga ç’është në masa.

Është bërë thirrje për më shumë demonstrata pas faljes së xhumasë, por lëvizja e ndaluar islamike, Vëllazëria Myslimane, ka stepur disi së mbështeturi protestat. Ajo është një lëvizje që mund të fusë në lojë vërtetë numra të mëdhenj demonstruesish. Deri më tani këto demonstrata kanë qenë pa liderë, të organizuara nga mesazhet e lëshuara në rrjetet sociale si Facebook dhe Twiter, jo nga politikanë tradicionalë.

Sa për qeverinë, deri më tani nuk ia ka përtuar të japë përgjigje të menjëhershme. Protestat politike dhe lëvizjet sociale nuk ka ngurruar ti cilësojë si kërcënim për sigurinë kombëtare. Këtë mëngjes gazetat egjiptiane ishin të mbushura me raporte, sipas të cilave takime urgjente po mbaheshin prapa skenave. Sipas tyre qeveria po mendonte tu përgjigjej kërkesave të protestuesve me rritje pagash dhe oferta për punë.

Kjo vërtetë mund të ndikojë në shtresat e ulëta të shoqërisë, por assesi nuk mund të ndikojë mbi klasat e mesme dhe të rinjtë që kanë mbushur rrugët ditët e fundit. Kërkesat e tyre nuk janë vetëm ekonomike. Ata ankohen për një sëmundje gjerësisht të hapur në shoqërinë egjiptiane.

Egjiptianët do tu tregojnë se ky shtet ka nevojë për një ëndërr, për një vizion. Por për 30 vite, mesazhet e Presidentit Mubarak kanë qenë dukshëm më pak ambicioze, gjithçka vetëm rreth mbrojtjes dhe sigurisë.

Të gjitha llogaritë tregojnë se kjo qeveri dhe ky sistem nuk është aq i brishtë sa qeveria tuniziane, e cila u shemb në mënyrë kaq spektakolare. Ushtria, Perëndimi, dhe shumë njerëz të pasur e të pushtetshëm kanë investuar kaq shumë në mbajtjen e Presidentit Mubarak, në rastin më të keq ata do të sigurojnë tranzicion me një lider miqësor me Perëndimin dhe biznesin.

Por akoma nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se këto protesta  kanë vrullin e duhur për ta arritur këtë. Diçka është e sigurt, me një situatë kaq të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, gjithçka mund të ndodhë, shkruan Jon Leyne, korrespondent i BBC News në Kajro.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-01-28 10:23
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›