Qumështi me aflatoksinë, problem i pazgjidhur
Dr. As. Prof. Qemal Poçi- Ditët e fundit në Shqipëri u zhvillua një debat i gjerë lidhur me praninë e aflatoksinave në qumështin që biznesi shqiptar eksporton. Të bën përshtypje që kësaj radhe në debat u përfshin veç mediave, edhe shtresa të ndryshme të interesuara: prodhuesit e qumështit, përfaqësuesit e biznesit, shoqata e konsumatorëve, opinioni shoqëror, madje edhe nxënësit e shkollave të mesme të mbështetur nga mësuesit e tyre. Për fat të keq ky debat u mbyll si shterp nga politika duke zbatuar parrullën famëkeqe të ngelur si trashëgim nga e kaluara e që është: “Politika në plan të parë”. Në vitin 1988 aflatoksina B1 u vendos në listën e lëndëve kancerogjene për shëndetin e njeriut. Kjo është edhe arsyeja pse ka norma të caktuara për nivelet që lejohen në produkte të ndryshme. Për të gjitha ushqimet e destinuara për konsum nga njerëzit, me përjashtim të qumështit si dhe për misrin dhe drithërat e tjera për konsumin e kafshëve në rritje, përfshirë edhe shpendët si dhe kafshët e qumështit, kur destinacioni i tij nuk dihet, niveli maksimal i lejueshëm është 20 ppb (pjesë për bilion). Konkretisht për qumështin që shkon për konsum publik nuk shkon më lart se 0.5 ppb.
Si u menaxhua problemi?
Siç e thashë edhe në fillim, edhe kësaj radhe u zbatua parrulla: “Politika në plan të parë”. Dhe i gjithë ky problem u mbyll me me një deklaratë të tipit: “analizat e kryera u gjet aflatoksinë në nivele pak më të larta se ato të BE-së, por shumë më të vogla se normat e SHBA”. Këtij përfundimi politik i paraprinë dy deklarata po ashtu politike të dy ministrave; atij të Punëve të Jashtme dhe z. Ruli, ministër i Bujqësisë. Akoma pa dalë rezultatet e analizave, ata nxituan të deklarojnë se “garantojmë se qëumështi nuk është i ndotur dhe mund të konsumohet pa frikë”. Duke i analizuar me kujdes këto deklarata që dalin edhe nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, dalin ca pikëpyetje që kërkojnë sqarim: Cili është autoriteti kryesor në vendin tonë që përgjigjet për cilësinë e ushqimeve (dhe nga cila pjesë e koalicionit qeveritar del): AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit), IKU (Instituti i Kërkimeve Veterinare) apo ISHP (Instituti i Shëndetit Publik)? Pra cila ministri e mbulon këtë problem: Ministria e Jashtme, Ministria e Bujqësisë, apo ajo e Shëndetësisë? Sa mostra dhe çfarë mostrash konkrete u dërguan për analiza? Ku u dërguan? Cili është laboratori i referencës që bën këto analiza dhe përse rezultati na del i përgjithshëm dhe jo konkret? Cilat janë nivelet maksimale të lejueshme për aflatoksinën në vendet e BE-së dhe përse tek ne u morën në konsideratë nivelet amerikane, pa thënë sa është shkalla e kontaminimit të produkteve të analizuara sipas normave të BE-së? Kush është autoriteti që jep verdiktin zyrtar për përdorimin e një produkti të kontaminuar me aflatoksinë: një laborator analitik anonim, apo grupi i specialistëve që njeh këto probleme? Në të gjitha vendet analitika bën vetëm rezultatet e punës që ka kryer duke përshkruar edhe metodën e ndjekur, ndërsa diagnozën e jep specialisti apo grupi i specialistëve. Në analizat e kryera cila aflatoksinë u gjet: B1, B2, G1, G2, M1, M2? Një pyetje që vijon dhe ende nuk ka marrë përgjigje është nëse në ushqimin e përdorur nga kafshët u bënë apo jo analizat? U përfol se myku mund të ketë ardhur edhe nga misri që ne sjellim nga Serbia për komplekset industriale. Edhe këtu një pyetje shtrohet: a u kryen analiza mbi këtë lëndë të parë dhe a kemi ne të drejtë të kërkojmë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar? Me të drejtë z. Pipero deklaroi se mendimi përfundimtar do të jepet pasi të bëhen analizat. Për fat të keq mendimi i tij nuk u mor parasysh pasi ai është vetëm një teknicien i mirë dhe nuk ka kredencialet politike të ministrave që të mund të bëjë deklarata përfundimtare të papërgjegjshme. Për rrjedhojë mund të thuhet me siguri se problemi i aflatoksinave tek ne nuk është zgjidhur dhe ky problem do të vazhdojë derisa politika të heqë dorë nga profesionistët. Për fat të keq ky nuk është një rast i vetëm i shkëputur. Ndërhyrja e politikës me marifete të ndryshme tek ne ka vazhduar edhe për raste të tjera. Ngjarja e Gërdecit është një nga këto, ka vijuar me gripin e shpendëve, ku për të vërtetuar parrezikshmërinë u shtruan bankete në Durrës me pula të pjekura; ecim më tutje me përmbytjet sistematike në Shkodër, ku për të na mbushur mendjen se digat nuk paraqesin asnjë rrezik, sollën një inxhinier anonim nga Italia, ku trumbetohet me të madhe se Shqipëria do të kthehej në një fuqi të madhe energjetike, duke ndërtuar një TEC me qymyr që ndot territorin. Në fund nuk mund të mos përmendim atë që është aktual; ende pa hyrë në fuqi ligji i importit të mbetjeve dhe pa u bërë referendumi për këtë çështje, nga Italia kanë mbërritur me mijëra ton mbeturina me përmbajtje plumbi etj., etj..