Presidenti Gyl: Shqipëria, aleate strategjike e Turqisë në Ballkan
Në një ceremoni organizuar të hënën në sallën e pritjes së pallatit presidencial “Çankaya”, Ambasadori i ri i Shqipërisë në Turqi, Zoti Genç Muçaj i dorëzoi Presidentit Abdullah Gyl letrat kredenciale. Gjatë takimit, presidenti turk u ndal edhe tek diplomacia ekonomike, duke inkurajuar shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve
Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Turqi, Genc Muçaj u prit të hënën me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl. Ceremonia u organizua në sallën e pritjeve të pallatit presidencial “Çankaya”. Me këtë rast Ambasadori Muçaj i dorëzoi Presidentit Gyl letrat kredenciale.
Pas dorëzimit të letrave kredenciale Ambasadori Muçaj i prezantoi Presidentit Gyl diplomatët e Ambasadës së Shqipërisë në Ankara dhe bashkëshorten. Më pas u bënë fotografitë e rastit në prani të fotoreporterëve.
Në një bisedë shumë miqësore, presidenti turk Gyl i uroi ambasadorit Muçaj mirëseardhjen dhe tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve sot janë në një nivel të shkëlqyer si dhe i shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të thellohen edhe me tej. Presidenti Gyl ndër të tjera ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Republikës se Turqisë dhe Republikës se Shqipërisë janë miqësore dhe afatgjata. Presidenti Gyl tha se Shqipëria është aleate strategjike e Turqisë në Ballkan dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në NATO dhe strukturat e tjera ndërkombëtare do të vazhdojë të jetë i sinqertë.
Një temë tjetër që Presidenti Gyl ndau me Ambasadorin Muçaj ishte diplomacia ekonomike. Marrëdhëniet e sotme ekonomike mes dy vendeve nuk reflektojnë potencialet që ato ofrojnë. Presidenti Gyl tha se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve në fushën politike duhet shtrirë edhe në fushat e sektorët e tjerë, në veçanti në fushën ekonomike dhe tregtare. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajnë qytetarët turq me origjinë shqiptare, nënvizoi Presidenti Gyl dhe përmes Ambasadorit Muçaj i përcolli përshëndet më të ngroha Presidentit Nishani dhe Kryeministrit Berisha.
Ambasadori i ri i Shqipërisë Muçaj e falënderoi Presidentin Gyl për pritjen e ngrohtë dhe miqësore. Pasi i komunikoi përshëndetjet e ngrohta të Presidentit Bujar Nishani dhe Kryeministrit Sali Berisha, Ambasadori Muçaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka ofruar në vazhdimësi Shqipërisë në proceset integruese dhe në organizmat ndërkombëtare, pjesë e të cilave janë të dyja vendet. Ambasadori Muçaj e garantoi Presidentin Gyl se do të japë kontributin maksimal në bashkëpunimin me institucionet turke, veçanërisht në fuqizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve, marrëdhëniet të cilat kanë lidhje të fuqishme historike e kulturore.
Dje paradite Ambasadori i ri i Shqipërisë në Turqi, Genc Muçaj bëri një vizitë zyrtare në Mauzolenë e Ataturkut në Ankara.