Fryma e fitores dhe mungesa e frymës
Fitorja e zgjedhjeve, mbi të gjitha, është frymë. Ajo ndihet kudo, gjithandej, shumë kohë përpara se të ndodhë. Kështu ndodhi në vitin 2005. Të gjithë e ndjenim se Partia Demokratike, pas një opozite 8-vjeçare, do të vinte në pushtet dhe socialistët, pas rrënimit të shtetit, kthimit të korrupsionit në sistem dhe pas problemesh të mëdha mes veti, ishin gati ta linin pushtetin. Rotacioni ndodhi butë dhe pa problem. Shenjë e mirë kjo për demokracinë shqiptare.
Në zgjedhjet e vitit 2009 sërish kjo frymë mungonte nga ana e socialistëve. S’kishte se si të ndodhte ndryshe. Vendi në një 4-vjeçar kishte pasur arritje të pakontestueshme në të gjitha fushat. Vetëm Edi Rama nuk mendonte kështu. Ai dhe një grup i vogël rreth tij menduan se mund të fitonin. Në këtë kontekst, pranuan dhe iniciuan ndryshimet kushtetuese në vitin 2008. Pas marrjes së pushtetit një vit më vonë, nga ana e tyre, mund të qeverisnin të pashqetësuar nga askush.
Ajo që ngjau dihet, tanimë, prej të gjithëve. Kaluan zgjedhjet dhe, përtej kontestimeve, bojkotimeve, grevës etj., demokratët vazhdojnë të qeverisin vendin të pashqetësuar dhe me një mbështetje popullore të përkthyer në vota parlamentare të pëlqyeshme.
Gjithsesi, ajo që ka ikur nuk mund të kthehet më. Dhe këtë më mirë se kushdo duket se e ka kuptuar Edi Rama.
Por, gjithashtu, me ç’duket, zoti Rama ka kuptuar edhe atë se sistemi elektoral që votoi në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nuk jep garanci për rotacion të lehtë dhe për ndryshime të mëdha.
Përkundrazi, sipas të gjithë të dhënave, duhet të ketë një përmbysje të madhe me votë, një ndryshim, gati të pamundur, të elektoratit, që përfaqësia e deputetëve në zona të caktuara të ketë lëvizje nga njëri kah në tjetrin.
Po ashtu, kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend duket se e ka kuptuar se fitues i këtij sistemi elektoral, që ai inicioi dhe votoi në 2008, nuk shpallet partia që del e para në zgjedhje, pra që merr më shumë vota, por koalicioni i tillë. Treni që ka më shumë vagonë shpallet fitues. Dhe dihet se kush është trenisti që jep më shumë garanci dhe siguri tek lokomotiva dhe vagonët që i ka pas veti.
Problemet me listat e deputetëve duket se janë një tjetër minë me sahat në dorën e Edi Ramës. Rasti i Kukësit dhe Bulqizës janë dy më të njohurit. Në ditët në vijim, sigurisht që do ketë edhe raste të tjerë. Të gjitha këto probleme duket se, gjithsesi, do të reflektojnë në votë. Dhe kur ka probleme dihet se reflektimi është për keq e jo për mirë.
Të gjitha sa më lart mendoj se kanë bërë që zoti Rama përpara se të luajë me kartën e fitores, duke mos krijuar dot frymën për një gjë të tillë, po luan me atë të humbjes, duke vënë në listat e Partisë Socialistë ish-klientelën e tij gjatë periudhës si kryebashkiak i Tiranës, të cilët, duke mos pasur ndonjë kontribut konkret dhe historik në PS, do të mund t’i sigurojnë vazhdimësinë Edi Ramës në krye të kësaj partie, edhe pas humbjes së zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Duke mos krijuar dot një frymë fitoreje, sigurisht që fajin e kanë edhe Endri me Erjonin, të cilët, siç duket, edhe këtë herë po e çojnë në qorrsokak liderin e tyre.