Qylafi i Sejdiut dhe fjalimi i Xhaferrit në Parlament
Në nahien tonë, Sejdiu njihej si bujk i mirë. Puna disavjeçare me tokën, e kishte bërë disi të prapë. Xanxën e shprehte tek gruaja si më e pafajshmja, por edhe se ish më prezentja në jetën e tij.
Një ditë, si çdo ditë, ajo i solli drekën. Një krahë zogu e bërë me miell e disa fletë qepe dhe një pagure me dhallë, të holluar tej mase. Sejdiu atë ditë kish ndërruar plorin. Të vjetrin e kish mbështjellë me qylafin e lyrosur nga djersa e kushedi sa kohëve. E kish vënë si pa kujdes në krye të arës ku do bënte pushimin e drekës. Donte të grindej me gruan dhe nëpër mend shkonte ndonjë fjalë të kthyer e ndonjë fije të pahedhur në poture e xhamadan. Dreka i pëlqeu, por vuri re se buka ish pak e djegur në një anë. Sebepi u gjet. Rrëmben qylafin dhe filloi ta godiste gruan me të. Ajo filloi të ulërijë. Fshatarët që u gjendën aty pranë filluan të qeshnin me veprimin e Sejdiut dhe me ulërimat e gruas së tij! Sejdiu vazhdonte ta qëllonte duke thënë: Nuk e dini çka qylafi brenda !
Kjo ndodhia e Sejdiut me të shoqen, zullumen, m’u kujtua kur dëgjova diskutimin borroçitës të Ferdinand Xhaferrit në Parlament, në mbrojtjen që i bënte të pambrojtshmit Basha. Xhaferri nuk di ç’ka brenda qylafi i Prokurorisë për Bashën, ose e di dhe mendon se plori do ta godasë edhe atë që mund të ketë drekosur! Nuk u dihet këtyre punëve. Gardhi është çarë, ca hunj do të digjen se janë të ngrënë nga krimbi.