Sfida energjetike
Në Ballkan, rrjeti rajonal i energjisë nuk ka ecur me hapin e ndryshimeve të dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Investimet kanë qenë minimale si në rrjetet vendore të energjisë, ashtu edhe në linjat ndërkombëtare të transmetimit. Si pasojë, ato s'mund ta përballojnë oreksin për energji të importuar. Drejtuesit politikë presin të ndodhë një mbufatje në vitet e ardhshëm. “E dimë se rajonin tonë në vitin 2012-n do ta kaplojë një krizë e madhe”,- tha Angel Marin, zëvendëspresident i Bullgarisë, në një takim të drejtuesve të Ballkanit në Maqedoni.
Ekspertët llogarisin se vendet ballkanike kanë nevojë të investojnë më shumë se 15 miliardë euro në burime të reja energjetike dhe linja interkonjeksioni, për të shmangur mangësitë edhe më të mëdha të rrymës në të ardhmen.
Më 2007-n, korporata shtetërore shqiptare e energjisë, KESH-i, vepronte me humbje mbi 200 milionë euro, që janë afro 2.5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, PBB, kryesisht si pasojë e importeve. Edhe EVN-ja e Maqedonisë, operatori më i madh i sistemit të shpërndarjes së energjisë në vend, paraqiti një deficit të madh financiar, si pasojë e çmimit të lartë të rrymës së importuar.
A po rri Serbia me shkop në dorë?
Një nga arsyet e përmendura shpesh të krizës energjetike në rajon, është mungesa e linjave ndërlidhëse të energjisë përmes Ballkanit dhe mbingarkimi i linjave që e lidhin këtë të fundit me Evropën Qendrore.
Qendra e linjave të përçimit të energjisë në Ballkan është në Serbi. Tetë linja përçimi e lidhin Serbinë me gjashtë vende fqinje, me Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Kosovën (kjo e fundit nuk njihet nga Serbia si shtet).
“Është e papërfytyrueshme të tregtosh energji në Ballkan, pa i përdorur linjat që kalojnë nga Serbia”,- thotë Sokol Spahiu, shef i shitjes në KESH-it. “Ai që dëshiron ta bëjë këtë, duhet të punësojë dikë që flet serbisht”.
Por, disa shtete fqinje e akuzojnë Serbinë se po e përdor pozitën e saj strategjike në zemër të rrjetit energjetik të Ballkanit për t'i rritur tepër çmimet. “I paguam Serbisë 70-80 euro për megavat, ndërsa çmimi në Gjermani sillej mes 50 e 55 eurove”,- u ankua operatori i transmetimit i Bosnjë e Hercegovinës, në një raport të tij të vitit 2007.
Shumica e kompanive që tregtojnë energji në Ballkan, gjithashtu, zotërohen nga serbë, të cilët përfitojnë nga informacione të brendshme për aftësitë përçuese të linjave ndërlidhëse të Serbisë. Monopoli i njëmendtë i Serbisë në këtë fushë i ka rritur ankesat. Mediat në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri rregullisht i sulmojnë qeveritë e tyre pse nuk punojnë më fort për t'i ikur kontrollit serb kur bëhet fjalë për energjinë.
Megjithatë, kompanitë mëtojnë se ato thjesht po bëjnë tregti, dhe shumë ekspertë e konfirmojnë këtë: “Ne nuk e kontrollojmë tregtinë e rrymës në Evropën Juglindore, dhe ky kontroll as që është i mundur”,- tha Nenad Savic, zëdhënës i kompanisë energjetike serbe EFT. “Krejt aftësitë tona përçuese, përdorë nga pjesëmarrësit në treg në Serbi, si dhe në vendet e tjera të rajonit, shpërndahen më përpara përmes tenderave dhe, një sistem i tillë shmang gjithë abuzimet e mundshme”,- shtoi ai. “Është thjesht tregti”,- thotë Ymer Balla, kreu i operatorit të transmetimit të energjisë në Shqipëri. “Në kohë krizash, kemi marrë ndihmë nga Serbia”.
Harroje bashkëpunimin, më mirë të konkurrojmë:
Ndërkohë, ekspertët shtjellojnë që politikanët nuk po e shohin krizën me mend në krye; në vend se të krijojnë një treg të përbashkët energjie, nga i cili do të përfitonin të gjithë, ata janë përfshirë në një garë për të krijuar asetet e veta kombëtare të energjisë. Një treg i përbashkët do të krijonte qasje të barabartë për kompanitë e energjisë në linjat e përçimit anembanë rajonit. Si dëshmi e kësaj, ata tregojnë Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, ku secili vend po përpiqet të krijojë centralet e veta bërthamore. Ngjashëm, Greqia, Maqedonia dhe Serbia shpresojnë ta përdorin gazin rus për termocentralet e tyre të reja.
Kosova shpreson të tërheqë investime të huaja për të ndërtuar një termocentral vigan qymyri, ndërsa Shqipëria ka dhënë me koncesion dy hidrocentrale. Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria, nga ana tjetër, synojnë të ndërtojnë linja të reja përçimi, me qëllim të zvogëlimit të varësisë së tyre nga Serbia. Këta projekte konkurrojnë me kosto dhe mund të mos ketë vend për të gjithë. Disa mund të kthehen në puse pa fund që gëlltisin para dhe që ia gërryejnë themelet procesit të liberalizimit.
Natyrisht, ata që janë mbrapa këtyre nismave të reja kombëtare të energjisë nuk pajtohen me këtë. “Investimi ynë mund të bëhet i tepërt, nëse Bullgaria ndërton centrale bërthamore, por duke parë shpejtësinë e ngritjes së nivelit të përdorimit, unë besoj se ka vend për të dy projektet”,- thotë Agim Gjinali, kreu i një projekti 3 miliardë eurosh nga “US Exim Bank”, i cili synon të ndërtojë termocentrale me gaz në Shqipërinë Jugperëndimore.
Disa drejtues energjetikë besojnë se mungesa e aftësisë përçuese, në të vërtetë, nuk është problemi i vërtetë dhe që disa nga investimet e propozuara për të ndërtuar linja të reja energjetike janë të panevojshme. “Linjat tona përçuese u ndërtuan për t'u përdorur vetëm në kohëra krizash”,- thotë Ivan Aylov, kreu i operatorit të transmetimit në Bullgari, duke shpjeguar se shpesh aftësitë e tyre të transmetimit të energjisë nuk përdoren. “Në Ballkan ka linja përçimi që nuk përdoren”,- i bën jehonë kësaj Lubos Pavlas, menaxher i “CEZ Bulgaria EAD”. “Problemi nuk është teknik apo ekonomik. Është politik”.
Teorikisht, linjat energjetike ballkanike duhet t'u jepen të gjithëve dhe tarifat për përçimin e energjisë janë përcaktuar mes 0.5 deri 5 euro për megavat. Por, këto rregullore, përcaktuar nga marrëveshja rajonale e Athinës më 2005-n, përcaktojnë edhe që linjat e interkonjeksionit mund të vihen në ankand, kur kërkesa e tejkalon kapacitetin. Ky nen i ka bërë të gjitha vendet të hapin ose të hyjnë në ankande për këto linja, me gjithë mungesën e transparencës lidhur me kapacitetin shtesë.
Srdjan Dajic, avokat për “Electric Power Industry” të Serbisë, operatori kombëtar i linjave të interkonjeksionit, thotë se informacioni mbi tenderat publikë për linjat e transmetimit energjetik “futet në sferën e sekreteve të biznesit”. Ngaqë nuk ka informacion publik mbi kapacitetin e lirë aktual të linjave të përçimit, qeveritë i tenderojnë linjat përmes tenderave dhe tarifat e transmetimit për elektricitetin i kalojnë tepër ato për të cilat është rënë dakord, duke e rritur çmimin e importeve energjetike.
Më 2007-n, një tender për përdorimin e linjës ndërlidhëse mes Rumanisë dhe Serbisë, për shembull, përfundoi me çmimin e pranuar prej 22 eurosh për megavat, ndërsa tarifa normale e transmetimit nuk duhet ta kalojë 5 euro për megavat.
Rryma e shitur Rumanisë nga CEZ e Republikës Çeke për 40 euro për megavat, më vonë u rishit nga tregtarët e energjisë në tregun e Greqisë për 80-90 euro për megavat. Kjo praktikë është e njohur si “pastrim kilovatësh”, e ngjashme me pastrimin e parave, quajtur kështu për të përshkruar procesin e errësimit të origjinës së vërtetë të sasive të veçanta të rrymës që shitet në tregun e energjisë.
Ngaqë CEZ-i nuk kishte akses në linjat e përçimit për t'ia shitur energjinë e vet Greqisë drejtpërdrejt, ajo duhej shitur nga një ndërmjetës, nga një tregtar energjie, i cili nxori një fitim të majmë nga ky proces. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, i ngarkuar me liberalizimin e tregut energjetik të Ballkanit, pajtohet që aftësitë përçuese në rajon s'janë transparente sa duhet dhe nuk i jepen lirisht të gjithë operatorëve.
Mos prit përmirësime pa rritje çmimesh:
Ekspertët besojnë se nevojitet një lëvizje tjetër për ta lehtësuar krizën, rritja e çmimeve. Kjo do t'u ndihmonte kompanive energjetike të mbulonin harxhimet e prodhimit dhe do të lehtësonte kushtet për blerjen dhe shitjen e rrymës. Por, qeveritë nuk kanë vullnet të shkaktojnë zemëratën e popullsisë duke e marrë një hap kaq të rrezikshëm. Qeveria shqiptare, për shembull, ngul këmbë se është e përkushtuar për liberalizimin e energjisë dhe privatizimin e sektorit të shpërndarjes së saj. Megjithatë, tenderi për privatizimin u shty dy herë në tre tremujorët e parë të vitit 2008.
Ekspertët kanë dyshuar prej kohësh që kompania energjetike do të mund të gjente ndonjë blerës privat me këto kushte kaq diskriminuese, dhe ishte vetëm më 29 shtator 2008 që kompania e shpërndarjes shqiptare, OSSH-ja, iu shit CEZ-it çek për 102 milionë euro. Në mënyrë domethënëse, një kusht i shitjes ishte që CEZ-i nuk do t'i rriste çmimet në vitin 2009. Kuptohet pse: Do të zhvillohet fushata për zgjedhjet e përgjithshme.