E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolimi i Jugosllavisë dhe interesat e dikurshme ruse në Ballkan

Jeronim Perovic, një bashkëpunëtor shkencor në Seminarin e Historisë të Universitetit të Basel, Switzerland, ka shkruar një punim vërtet interesant për historinë politike të Ballkanit.

Ai thotë se në vitin 1956, Nikita Hrushov, në fjalimin e tij të famshëm në Kongresin e XX të partisë, do të citonte këto fjalë të Stalinit: “Mjafton të lëviz gishtin e vogël dhe Tito zhduket". Megjithatë, dokumente të reja arkivi, tregojnë që Stalini në atë kohë nuk kishte në plan të lante duart përgjithmonë me Titon. Në fakt, shefi i Kremlinit u mjaftua si fillim vetëm me një izolim të Jugosllavisë brenda kampit socialist. Ky akt ishte jo vetëm për të hequr qafe një inat. Por, indiferenca e hapur e udhëheqjes së Beogradit, i shërbeu Moskës edhe si mundësi për të dënuar kampin socialist, dhe i ofroi në të njëjtën kohë një rast shembullor për aksione pastrimi, aksione të cilat në vitet e mëpasshme, Moska do t’i përdorte edhe për partitë e tjera lindore.

Izolimi i Jugosllavisë do të shkonte paralel me interesat ruse në Ballkan. Shqipëria do t’i kthente kurrizin Jugosllavisë dhe do të gjente tek Moska padronin e ri; Bullgaria do të shndërrohej në një nga kritikët më të mëdha të “Klikës së Titos”; dhe si përfundim, vetë Beogradi do të ndërpriste ndihmën për partizanët grekë, duke kontribuar në një humbje të thellë të tyre dhe në fundin e luftës civile.

Titoja nuk kishte përllogaritur një qëndrim kaq të ashpër të Moskës. Por, udhëheqësi jugosllav do ta kuptonte shumë shpejt se kjo situatë duhej kthyer në favorin e tij. Me mjeshtëri, Titoja do ta shiste konfliktin me Moskën si rezultat të luftës së tij për “një rrugë të vetën drejt socializmit” – një devizë, që më vonë do të ishte në themel të politikës së suksesshme jugosllave për t’u shkëputur përfundimisht nga blloku komunist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›