Qytetarët amerikanë: Mafia po na grabit pronën
Ne që po ju shkruajmë, jemi dy qytetarë amerikanë: Jani dhe Ana Xhumari, të moshuar, përkatësisht 70 dhe 62 vjeç, pensionistë, të persekutuar nga regjimi barbar komunist.
Në vitin 1944, komunistët më kanë pushkatuar babanë, pse ishte antikomunist. Këto vitet e fundit po persekutohemi nga mafia e ndërtimit së bashku me mafien e gjyqësorit. Kemi shtëpinë tonë, pronën tonë që nga viti 1936. Këtë pronë nuk e kemi vjedhur, nuk e kemi ndërtuar pa leje, as nuk kemi zënë tokën e dikujt për të ndërtuar. Me firmën mashtruese “Alb Toronto”, në vitin 2002 kemi bërë një kontratë për të ndërtuar një pallat. Tani jemi në vitin 2008, firma nuk respektoi asgjë nga marrëveshja, duke bërë falsifikime të ndryshme. (Ju vë në dispozicion edhe dokumentet).
Na bëjnë padi në gjykatë për “lirim sendi”, vetëm në Shqipëri shtëpia quhet send, se në çdo vend të botës shtëpia është e shenjtë. Ne pensionistë, ata firmë ndërtimi, merreni me mend se kush i fiton gjyqet. Këtu në Shqipëri drejtësia blihet vetëm me pará.
Ju keni thënë në një fjalim në një universitet në Tiranë se gjyqtarët kanë vetura që kushtojnë 30 mijë euro. E keni gabim, zoti ambasador, ato janë vetura që kushtojnë nga 100 mijë euro. Por qëndrojmë me shpresë se do bëhet një reformë në drejtësi.
Nga Zyra e Përmbarimit na vjen njoftimi që brenda 3 ditëve të dorëzojmë pronën, kjo zyrë e shoqëruar me forca të policisë. Ne do bëjmë ç’është e mundur për të mbrojtur pronën tonë dhe jetën do e vëmë në rrezik.
Këtu në Shqipëri ligjin e bën mafia. Ne jemi viktima të mafies së ndërtimit në bashkëpunim me mafien e gjyqësorit.
Ju kërkojmë, zoti ambasador, si përfaqësues i George W. Bush, që të mbroni qytetarët tuaj që ndodhen në Shqipëri.
Presidenti ynë i nderuar, George W. Bush, gjatë një fjalimi drejtuar kombit amerikan ka thënë: “Prioriteti ynë është që të ndihmojmë ata që janë të lënduar dhe të marrim çdo masë paraprake për të mbrojtur qytetarët tanë në shtëpi dhe në të gjithë botën”.
Ne jemi të lënduar, saqë jemi dhe të sëmurë nga kjo gjendje, prandaj ju lutemi të ushtroni autoritetin tuaj për të na mbrojtur ne si qytetarë amerikanë të vendit më demokratik në botë.
Me respekt
Jani Xhumari
Ana Xhumari