Kallamari i Bogdanit
Një hall i patreguar e ka gjetur zëdhënësin e ri të PD, Gerti Bogdani. Kur i ofruan për të bërë zëdhënësin e PD, Bogdani mendoi se do të bëhej figurë publike, duke përfaqësuar mendimin zyrtar të PD në pushtet. Kështu, për ditë të tëra ai shfletoi literaturë, konsultoi shumë leksione se si funksionon një zëdhënës partie në pushtet, cilat janë çështjet ku do të përqendrohet etj. Pamja e tij interesante, shkollimi në SHBA, puna si kryetar minibashkie e të tjera detaje të formimit të tij i jepnin përparësi këtij posti. Dhe shumë miq e dashamirës të tij iu gëzuan kësaj karriere të re të Gertit.
Por ditët kalonin dhe Gerti nuk po shfaqej. Në zyrat e PD nuk gjeje njeri. Flamuri, të cilit i kanë lënë çelësat e zyrave, nuk e sqaronte dhe sa herë i kërkonte të uleshin të pinin kafe që t’i tregonte ku është zyra, ai e pyeste: “Ke fol gjë me atë burrin?” (kështu flet Flamuri i shkretë, kur do të përmendë me takt Doktorin). Kështu, Gertit po i ikte karriera pa e konsumuar. Një ditë e thirri ai burri. “Na duhet një deklaratë, - tha, - për këta gazetarët që janë unifikuar në një redaksi. Duhet me ua tregu vendin. S’ka gjë më të shëmtuar. Katër gazeta, titujt njësoj. I udhëzon Rama dhe Braçe. Më bë një deklaratë, bëji si këpuca bëji.”
Doli Gerti i shkretë dhe nisi të shkruajë. Në fillim fjalinë kryesore, pastaj të shpjegonte faktet dhe në fund të nxirrte konkluzionet. E shkroi dy herë. I iknin djersë. E rishkroi prapë. Më në fund diçka kishte nxjerrë. Vendosi t’ia tregojë Doktorit, para se të dalë në konferencë. U lidh në telefon. Matanë, zëri i Doktorit.
- E mbarova Doktor. Mirë më ka dalë.
- Çfarë mbarove?
- Deklaratën për ato gazetat.
- A shumë mirë. Ku je tani, eja pak në zyrë.
Pas pak minutash Bogdani ishte në paradhomë. Doktorin e gjeti duke lexuar gazetat në zyrë.
- Erdhe, shumë mirë Gerti. Shkruaj: “Në kuadrin e politikës së re të unifikimit të redaksive, mediat e kontrolluara nga binomi Rama– Braçe, botojnë sot tre tituj të njëjtë se ligji për hapjen e dosjeve ka të bëjë vetëm me kandidaturat e gjyqtarëve. Z. Rama duhet kujtuar se ligji për hapjen e dosjeve është një direktivë e Këshillit të Evropës dhe e Parlamentit Evropian, një detyrim madhor moral, kërkesë e pozitës dhe e opozitës. Me titujt që i imponon mediave të tij, z. Rama dëshmon manipulimin e pamëshirshëm të tyre dhe një qëndrim monist ndaj medias dhe shtetit të lirë.”
Mbaroi së shkruari Bogdani i ngratë.
- Shumë e mirë, shpërndaje tani.
- Po deklarata ime? - tha Bogdani. - Nuk e pe, e kam përgatitur.
- Gerti, shumë e mirë është e jotja, po kjo na duhet. Hajt mirupafshim.
Doli Bogdani i hutuar nga zyra. E pa dhe njëherë deklaratën e tij. Ishte ku e ku larg kësaj që i tha shefi. E kapi një pezmatim për paaftësinë e tij, por s’kishte ç’të bënte. E lexoi dhe njëherë atë të shefit.
“Tri gazetat që kontrollohen nga Braçe - Rama....”
- Për kë ta ketë vallë? - tha. - “Panorama”... jo, se me Irfanin i ka mirë punët. “TemA”... jo, se s’ka gazetë të hënën. “Shekulli”... s’besoj, se i ngelet qejfi Edi Ramës, po i shave Koçon. “Shqip”.. ndoshta dhe “Shqiptarja”. Po ky Erioni kë kontrollon xhanëm, se “Zëri i Popullit” s’e kishte këtë titull.
Nën këto dilema, ra sërish telefoni. Ishte prapë Doktori.
- Dëgjo Gerti. Nesër duhet të shkoj te katedra e Gazetarisë. Më duhet të rikthejmë atë idenë e një ligji për gazetarët që duhet të mbrohen nga shefat e tyre në politikën botuese.
- S’të kuptoj, - tha Bogdani i shkretë.
- Ah s’e di ti. Do bëjmë një ligj, ku gazetarët të shkruajnë në gazeta ato që mendojnë vetë dhe jo ato që iu thonë shefat. Janë tërbu këta shefat e gazetave.
- Ëhë e kuptova, - tha Bogdani. - OK, flasim, ja sa të mbaroj këtë konferencën për deklaratën.
I shastisur siç ishte, desh u përplas me Flamurin në korridor të PD.
- Hë mixhë, çfarë ke? - i tha Flamuri.
- Ja, do bëj një deklaratë, - tha Bogdani, - po s’i kam të qarta ca gjëra.
- A ke fol me atë burrin?
- Po, po, - i tha.
- Hajt, mos ça kokë. Më ke mua këtu për çdo gjë.