Shqipëria, pa asnjë politikë në arsimin e lartë
Objektivi i politikës: liberalizim i universiteteve apo orientim i tyre drejt tregut
Të ndjekësh një politikë të caktuar në arsim do të thotë, në thelb, të përcaktosh qartë një objektiv realist për stadin ekzistues të zhvillimit të vendit dhe më pas të formulosh të gjithë mekanizmat që formëzojnë atë politikë, zbatimi i së cilës çon në arritjen e këtij objektivi. Kështu, së pari, nuk mund të përcaktosh një objektiv apriori jashtë kontekstit të zhvillimit historik të vendit dhe, së dyti, të gjithë mekanizmat që do të zgjedhësh nuk mund të jenë të dhëna bllok, të njëjta në çdo kohë, por në varësi të objektivit themelor të përcaktuar. Kjo është arsyeja pse, para së gjithash, politikëbërësit duhet të përcaktojnë se cili është objektivi më realist për Shqipërinë: liberalizimi apo orientimi drejt tregut dhe varësisht nga kjo, të inkuadrojnë të gjithë elementet strukturore, legjislative, administrative, akademike, në një politikë të vetme që e liberalizon arsimin e lartë ose e orienton atë drejt tregut. Shembulli më i mirë që mbështet këtë arsyetim është vetë procesi historik i zhvillimit të politikës së arsimit të lartë në Evropë, të cilin e kam analizuar në mënyrë të veçantë në një shkrim të mëparshëm. Në këtë proces dallohen disa stade apo disa lloje të të bërit politikë. Kështu, deri në Luftën e Dytë Botërore, arsimi i lartë ishte një çështje elite dhe politika në këtë fushë u zhvillua në një kornizë ideologjike që karakterizohej nga motivet sipas meritës. Meqenëse pas luftës kërkohej veçanërisht shmangia e çrregullimeve shoqërore, ose thënë më shkoqur, përgatitja e popujve evropianë për demokraci, arsimi i lartë duhej të përfshinte sa më shumë njerëz. Politika e masivizimit, fillimi i së cilës në Evropë i ka rrënjët në vitet ‘60, u mbështet nga “teoria e kapitalit njerëzor”, pra nga teoria, në të cilën shpenzimet e shoqërisë për arsimimin e rinisë konsiderohen si vlerë e shtuar në këtë “kapital”, investimi i mëvonshëm i të cilit, si i çdo kapitali tjetër, do të sillte fitim (duke mos harruar që në kuptimin klasik kapitali është paraja që sjell pará). Madhësia e këtij fitimi do të ishte e barabartë me diferencën midis të ardhurave që prodhohen nga gjenerata e arsimuar dhe shpenzimet për arsimimin e saj. Thelbi i kësaj teorie është në përgjigjen e pyetjes se ç’natyrë ka e ardhura që mund të prodhojë një gjeneratë, pasi është arsimuar nga shoqëria. Thjesht, është një gjeneratë tashmë e përgatitur për demokraci, që gradualisht fillon dhe stabilizon vetë shoqërinë. Pra, në kontekstin historik, në të cilin qeveria e një vendi mendon që prioritet esencial është përgatitja e popullit për demokraci, ajo përcakton si objektiv të arsimit të lartë jo orientimin drejt tregut, por masivizimin apo liberalizimin e universiteteve.
Si gjithmonë, situata është më e komplikuar për Shqipërinë, për shkak të prapambetjes në kohë të saj. Veçanërisht në njëzet vitet e fundit, “teoria e kapitalit njerëzor” konsiderohet si një teori që i ka kaluar koha dhe tashmë bëhet një pengesë për ndryshime të reja. Akoma më shumë, janë Banka Botërore dhe OSBE ato që pengojnë përhapjen e kësaj teorie politike. Kjo teori, që në fakt justifikon masivizimin, është zëvendësuar me një tjetër teori politike që konsiston në analiza të kujdesshme të drejtimeve të zhvillimit të strukturës së tregut të punës dhe në evolucionin e arsimimit të vazhdueshëm. Arsyeja themelore është se pas aplikimit për njëfarë kohe të “teorisë së kapitalit njerëzor”, pra masivizimit, ndodh një rënie e madhe e efektivitetit të sistemit të arsimit të lartë, gjë që do të thotë se ka shumë njerëz të shkolluar që nuk zënë dot punë, pra të ardhurat janë më të ulëta (“produkti nuk shitet”) se shpenzimet (kosto e shkollimit). Rrjedhimisht, për të përmirësuar efektivitetin e sistemit, teoria politike që orienton arsimin e lartë drejt tregut të punës zëvendëson “teorinë e kapitalit njerëzor”, pra masivizimin, por gjithmonë pasi ky i fundit e ka kryer misionin e tij.
ǒpolitikë duhet të ndjekë Shqipëria?
Në pikëpamjen e natyrës së çrregullimeve dhe ekuilibrave të brishtë shoqërorë, Shqipëria është pikërisht në situatën që Evropa ka përjetuar në çerekun e tretë të shekullit të shkuar. Është jashtë çdo dyshimi nevoja për liberalizimin (masivizimin) e arsimit të lartë si e vetmja rrugë që çon drejt përgatitjes së shqiptarëve për demokraci, apo krijimit të asaj valvule sigurie, të domosdoshme në regjimin tonë demokratik, të cilën fatkeqësisht nuk e kemi akoma. Kjo do të thotë që në kohën që jetojmë, vendi ynë duhet, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse të aplikojë politikën që bazohet mbi “teorinë e kapitalit njerëzor”. Në të gjitha dimensionet e saj - ligjor, administrativ, strukturor, akademik - kjo politikë synon në themelimin e një universiteti si institucion simbol i demokracisë, ku demonstrohen standarde më të larta demokratike se në zonat e tjera të shoqërisë, me synimin që universitarët të mësojnë demokracinë, duke e ndërtuar atë së pari vetë dhe në universitetin e tyre. Një universitet i tillë duhet të gëzojë një autonomi institucionale, atje mësohet nëpërmjet shembullit konkret apo kërkimit, të gjithë universitarët marrin pjesë në zgjedhjet e lira të autoriteteve dhe organeve universitare dhe, ajo që është më e rëndësishme, universiteti është i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit, duke e përgatitur atë për jetën. Në këtë pikëpamje, liberalizimi apo masivizimi i arsimit të lartë ishte një objektiv i drejtë i qeverisë ekzistuese në 2005. Fatkeqësisht, ai mbeti i parealizuar. Pas tri vitesh qeverisje, pothuajse asnjë element i politikës që çon në zbatimin e “teorisë së kapitalit njerëzor” nuk është zbatuar. Përkundrazi, mosndryshimi i thelbit të organizimit burokratik të universitetit që karakterizohet nga mungesa e autonomisë dhe nga një ndërhyrje pothuajse poshtëruese të qeverisë dhe politikës në të, përbën edhe mënyrën më të drejtpërdrejtë jo për t’i përgatitur, por për t’i larguar universitarët përfundimisht nga procesi i përgatitjes për demokraci. Madje edhe zgjedhja e autoriteteve dhe organeve universitare me pjesëmarrjen e të gjithë universitarëve u bë në kushtet e një dyshimi të rëndë moral, çka e thelloi më tej hendekun midis universitetit dhe demokracisë. Nga ana tjetër, masivizimi jashtë çdo kriteri i arsimit të lartë, pa pyetur fare, nëse ka përputhje apo ruhet njëfarë standardi në raportet midis burimeve universitare dhe numrit të studentëve që i përdorin ato, ka çuar në një rënie të cilësisë të sistemit, nga më tragjiket të njohura deri më sot. Pa e kryer misionin e vet, madje akoma pa nisur zbatimin, politika e masivizimit apo e përgatitjes së popullit për demokraci konsiderohet e tejkaluar dhe politika e orientimit drejt tregut shpallet nga kryeministri i vendit si politikë që do të lëvizë arsimin e lartë tani e tutje në Shqipëri. Pavarësisht nga ndikimi që mund të kenë ushtruar përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri me anë të konstatimit të tyre lidhur me cilësinë e ulët të eksporteve shqiptare që automatikisht ngre çështjen e orientimit të arsimit drejt tregut, për kryeministrin e vendit dhe njerëzit që merren me këtë fushë e qëndrojnë pas tij, dy gjëra duhet të ishin të qarta si kristali. E para, orientimi drejt tregut si politikë e përjashton mundësinë e masivizimit (pavarësisht se në çdo masivizim, brenda tij, ka patjetër dhe elementë të orientimit drejt tregut), aq më shumë kur dihet që tregu i punës në Shqipëri jo vetëm që është i kufizuar, por mbi të gjitha ai është krejtësisht i deformuar. Në këtë pikëpamje, nxjerrja e politikës arsimore të përgatitjes së shqiptarëve për demokraci nga fokusi i qeverisjes në kushtet e balancave të brishta, në të cilat ndodhet Shqipëria, është së paku një papërgjegjshmëri historike. Dhe e dyta, që të startosh politikën e orientimit drejt tregut, duhet që paraprakisht universitetet të kishin pësuar ose së paku t’iu ishte krijuar hapësira për ndryshime shumë të thella dhe të të gjitha natyrave dhe dimensioneve, gjë që nuk ka ndodhur ose më mirë, realizimi i këtyre ndryshimeve është refuzuar nga qeveria.
A mund të orientohen universitetet shqiptare drejt tregut?
Gjithsesi, ekziston mundësia që në kushtet e kërkesave që ka Banka Botërore për rritjen e efektivitetit të sistemit të arsimit të lartë, të instalohen brenda tij elemente të rëndësishme të orientimit drejt tregut, pra të projektohet një “përzierje” e të dy politikave në të njëjtën kohë, pra në të njëjtin stad historik të vendit, pa harruar rolin e padiskutueshëm parësor të përgatitjes së shqiptarëve për demokraci. Është e komplikuar, por gjithsesi një tjetër shembull se si prapambetja nuk i bën gjërat më të thjeshta se progresi, përkundrazi. Universiteti i projektuar për të funksionuar në kushtet e “teorisë së kapitalit njerëzor”, tani duhet të fillojë të pësojë ndryshime të thella për t’iu përshtatur orientimit ndaj tregut. Kjo nuk përputhet me konceptin semplist, që me sa duket është pjesë e mentalitetit qeveritar se, universiteti është i orientuar ndaj tregut, nëse ai ofron programe që kërkohen në tregun e punës. Përkundrazi, synohet që nëpërmjet ndryshimeve shumëdimensionale (legjislative, strukturore, administrative dhe akademike), institucionet e arsimit të lartë të shndërrohen nga institucionet e “shkollarëve” (në kuptimin e izolimit) në kompani (free enterprises) që konkurrojnë për pará, personel dhe studentë dhe, nga ana tjetër, ofrojnë shërbimet e tyre në zgjidhjen e problemeve që ndesh sot shoqëria, plotësojnë tregun e punës, ofrojnë shërbime në fushën e trajnimeve dhe kërkimit shkencor. Për këtë, në radhë të parë, pushteti i vendosur jashtë universitetit duhet t’i transferohet atij me ligj. Brenda universitetit ky pushtet duhet të shpërndahet në mënyrë të tillë që profesori të bëhet i aftë të zgjidhë problemet që lindin tek ai (niveli i punës) dhe të drejtojë ekipin në fushën e tij, duke ndryshuar kryekëput konceptin dhe praktikën ekzistuese burokratike, të centralizuar, të menaxhimit universitar, veçanërisht atë financiar. Kjo do të kërkojë një strukturim plotësisht të ndryshëm të universitetit, në qendër të të cilit do të qëndrojë menaxhimi i tij mbi bazë të maksimizimit të efektivitetit dhe përcaktimi i autoriteteve dhe strukturave universitare mbi bazë të aftësisë së tyre menaxhuese dhe jo mbi një votë populiste dhe të dyshimtë. Sistemi i akreditimit apo i vlerësimit të një universiteti që fillon të orientohet drejt tregut, shndërrohet në një mjet të fuqishëm për ruajtjen e standardeve dhe forcimin e rolit të tij. Për këtë, akreditimi ndryshe nga ekzistuesi, duhet të plotësojë tri kushte: të jetë i pavarur nga qeveria dhe politika, të vlerësojë output-in në raport me input-in dhe mbi këtë bazë të vlerësojë jo imazhin, por performancën e universitetit, si dhe akomodimin e universitetit në hapësirën dhe tregun evropian, së cilës, me ligj, arsimi ynë i lartë po i largohet çdo ditë e më shumë. Një universitet i tillë bëhet i aftë të përcaktojë dhe ripërcaktojë vazhdimisht misionin dhe detyrat e tij në përputhje me ndryshimet e tregut dhe këtë nuk e bën në mënyrë mekanike, por përmes një procesi të thellë refleksiv
. . .
Dy vjet më parë, profesorë të profesoratit shqiptar bënë përpjekje të jashtëzakonshme për ta bindur qeverinë se, në gjendjen ekzistuese universitetet shqiptare jo vetëm nuk mund të luanin rolin e përgatitjes së rinisë për demokraci, por ishin plotësisht të zhveshura nga çdo element që mund të ndihmonte orientimin e tyre drejt tregut të punës dhe më gjerë. Qeveria dhe këshilltarët e saj u paralajmëruan në mënyrë shumë të qartë, personalisht dhe publikisht, se në gjendjen ekzistuese universitetet nuk mund të bëheshin bartëse të asnjë politike. Në këtë kontekst, u propozuan një kompleks ndryshimesh në arsimin e lartë, zbatimi i të cilave do të bënte të mundur reformimin e universiteteve me hapësirë për zbatimin e politikës së përgatitjes të rinisë për demokraci, si dhe me elemente të orientimit drejt tregut, pasi shpallja e të dyjave si politika sunduese është thjesht e pamundur. Në mungesë të këtyre ndryshimeve, kërkesa e qeverisë për orientimin e universiteteve drejt tregut e shton akoma më shumë konfuzionin, mbetet thjesht një gjest servilosjeje ndaj një institucioni ndërkombëtar dhe qartësisht nuk shpreh një vullnet politik për materializimin e elementeve të kësaj politike në realitetin shqiptar. Gjithsesi, si përgjigje të përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme dhe të sinqerta, në mënyrën më të padrejtë, profesorët e profesoratit u akuzuan për interesa meskine. Kjo edhe mund të përtypet, sepse nesër njerëzit nuk do të pyesin a ishin apo jo meskinë profesorët; ata do të pyesin se pse u lanë në këtë gjendje universitetet shqiptare, të paafta për formimin demokratik të rinisë dhe të përjashtuara nga ekonomia dhe shoqëria shqiptare. Që tani parashikohet se kësaj pyetjeje nuk mund t’i gjendet një përgjigje që përtypet lehtë.