E Diel, 1 Nëntor 2026

Musta: S’mund të tolerohet që, ata që na vrisnin me levë pas koke, të na drejtojnë ende

Agim Musta, ish-i përndjekur politik dhe nga të paktët studiues që i është përkushtuar krimeve të Sigurimit, në një intervistë për gazetën “TemA”, shprehet se ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, por edhe veglat e diktaturës prej kohësh duhet të ishin spastruar nga jeta publike e vendit. Në dëshminë e tij Musta shprehet se në jo pak raste janë evidentuar emra, të cilët kërkojnë majat e institucioneve, por që kanë në ndërgjegjen e tyre dhe dënime me vdekje. Rast për këtë është, sipas tij, dhe gjyqtari Skënder Breca që u dekoruar nga Presidenti i Republikës. Por, ndërkohë, në intervistën e tij Musta deklarohet i pakënaqur dhe me procesin e nisur për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, ku, sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi ministrin e Drejtësisë, i cili po e zvarrit pa shkak këtë çështje

Kohët e fundit është hapur një debat në lidhje me hartimin e një projektligji për pastrimin e figurave nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe veglave të tyre. Ju jeni një studiues i hershëm i krimeve të komunizmit, si i keni parë këto zhvillime?

Kjo është një çështje që në këto thuajse 20 vjet të pluralizmit në Shqipëri është trajtuar në mënyra të ndryshme dhe është kthyer në një bumerang për presione ndaj njerëzve të ndryshëm që kanë vuajtur nëpër burgje dhe që duan t’i mbajnë peng deri në fund. Për sa i përket të burgosurve politikë, Sigurimi i Shtetit kishte një platformë. Ndaj shtresave të “deklasuara” presioni ishte jashtëzakonisht i madh. Madje, njerëz që kishin të afërm të arratisur ose kishin probleme me Sigurimin, janë marrë, janë torturuar, madje kanë vdekur në këto tortura, vetëm e vetëm për t’iu marrë një deklaratë bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit. Me një fjalë, të persekutuarit kanë qenë gjithmonë nën presion të madh për t’u futur si bashkëpunëtorë në Sigurim. Nga druri, nga tortura jo në pak raste kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë bashkëpunim. Po këtu duhet të bëhet një dallim, midis atyre që e kanë lëshuar këtë deklaratë bashkëpunimi me anë të presionit dhe atyre që ishin vullnetarë, pra që shkonin me dëshirën e tyre. Midis tyre ka patur dhe një sasi shumë, shumë të vogël të burgosurish. Ata që kanë qenë në radhë të parë të Sigurimit, ishin vetë komunistët, pavarësisht kanë ose s’kanë dosje të regjistruar. Ecej me parimin e Leninit, i cili thoshte: “Çdo komunist duhet të jetë një çekist”, ku “Çeka” ishte organizata e Sigurimit që u krijua për herë të parë në Bashkimin Sovjetik nga Feliks Edmundoviç Xharxhinksi me origjinë polake. Në dhjetor, Lenini e thirri Xharxhinskin dhe i tha: “Terrorin masiv ta kthejmë në terror shtetëror”. Edhe në Shqipëri ndodhi një kopjim identik, siç ndodhi në Rusi. Sigurimi shqiptar u krijua që në vitin 1943, pa u çliruar ende Shqipëria. Dhe një nga krijuesit e këtij organizmi ka qenë Nesti Kërnxhi nga Korça. Madje, ky u dërgua së bashku me Alqi Kondin në ishullin Vis të Jugosllavisë, ku u takuan me Titon, për të marrë eksperiencën jugosllave dhe të vendosnin piketat e bashkëpunimit për marrjen e informacioneve bazë të Sigurimit. Dhe në çdo brigadë, në çdo batalion të Shqipërisë, ai që ishte zëvendëskomisari, kishte Sigurimin dhe informacionin “armiqësor”.

Nisur nga kjo që thatë, qoftë bashkëpunëtorët e fshehtë, qoftë ata të deklaruar, a ekzistojnë sot në politikën shqiptare dhe sa të drejtë kanë të qëndrojnë aty dhe në institucionet qendrore?

Me ç’kam dëgjuar dhe lexuar këto ditë në shtyp për tri platformat që janë paraqitur në Kuvend, them që duhet të aprovohet menjëherë ligji për pastrimin e figurës. Pra, në këtë ligj të përfshihen të gjithë njerëzit që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, kanë qenë në organet e dhunës të diktaturës, si gjykata, prokurori, Sigurim etj. Ata duhet të përjashtohen medoemos nga politika shqiptare dhe jeta publike e këtij vendi, pra, nga poste të tilla si në Presidencë, Kuvend, në poste ministrash apo zëvendësministrash dhe drejtorë drejtorish, njëkohësisht dhe në administratën lokale, p.sh., kryetari i komunës s’mund të jetë një ish-sigurims apo kryetari i bashkisë. Ata le të bëjnë ndonjë punë tjetër, të hapin ndonjë dyqan, të merren me tregti, të punojnë në privat, të punojnë ku të duan, por jo në jetën publike të vendit. Unë jam habitur me një person, i cili tashmë është deputet i PD. U arrestua, kur ishte në postin e hetuesit në Durrës, se babai i tij ishte funksionar i lartë i shtetit dhe Enver Hoxha e futi në burg. Vërtet ka vuajtur, ka bërë burg 17 vjet, por ky ka bërë burg, se ishte i biri i një pinjolli që e goditi Enver Hoxha për interesa të tij. Si ky tani të ketë një post të tillë dhe ta heqë veten të persekutuar, kur ky vetë ka persekutuar të tjerët, ishte hetues i Sigurimit?! Hetuesia në kohën e diktaturës ishte një segment i Sigurimit të Shtetit, nuk varej nga Ministria e Drejtësisë, varej nga Ministria e Brendshme. Në Sigurimin e Shtetit ka qenë dhe ai i famshmi drejtor, Gjenerali i zi, që quhej Nevzat Haznedari. Shumë herë, ata që dënoheshin me vdekje, Nevzati nuk i linte t’i ekzekutonin me plumb, por i ekzekutonte vetë me levë që t’iu çante kafkat e kokës. Pra, a e kanë të drejtën morale këta që të jenë në krye të vendit?! Me ç’kam dëgjuar, gjatë këtyre 18 vjetëve i vetmi ka qenë një nga këta që ka bërë një konfesim për krimet e komunizmit, që nga koha e luftës dhe që ka kërkuar falje. Të gjithë duhet t’i kërkojnë falje këtij populli dhe të shikojnë punën e tyre dhe të mos pretendojnë më të jenë në organet drejtuese të shtetit.

Mos ndoshta nevoja për hartimin e këtij ligji doli pas dekreteve të presidentit?

Mua më ka revoltuar çështja e disa gjyqtarëve që deshën t’i emëronin, të cilët gjatë kohës së diktaturës kanë qenë në poste kryesore. Madje njëri ka qenë sekretar i tretë i partisë së Tiranës. Ai u hoq në konferencën e Tiranës, që ishte organizuar nga vetë Enver Hoxha, por që i doli duarsh. U dërgua në Elbasan dhe atje ishte në postin e zëvendësprokurorit. Ka dënuar. Kam pasur njerëz unë atje. Ka qenë një plak, Karafil Laholli nga Shalësi i Elbasanit ose Osman Berati, elbasanas dhe ky. Kam qenë bashkëvuajtës me ta dhe kanë qenë dënuar nga ky person; ose Skënder Breca që ka dënuar Xhelal Koprenckën, heroin e burgjeve shqiptare. E arrestuan që në moshën 20 vjeç. S’kishte njeri, vetëm nënën dhe motrën. Vuajti 19 vjet e gjysmë burg. Dhe, meqenëse se ky njeri fliste kundër diktaturës dhe udhëheqjes së atëhershme, u mor nga burgu dhe me një gjyq special u dënua me vdekje dhe u pushkatua. E ka dënuar me vdekje zoti Skënder Breca, që tashmë është dekoruar nga presidenti me Medaljen e Mirënjohjes. Ky është një paradoks i madh. Le të pyesim në Itali, a ka ndonjë prokuror ose gjykatës nga ata të kohës së fashizmit që të jetë sot në poste drejtuese në këtë vend? Me siguri të plotë e them që nuk ka asnjë, janë pastruar. Dhe këtu në Shqipëri, ku diktatura ka qenë nga më të egrat në Evropën Lindore, të vazhdojnë këta të livadhisin?! Me sa pashë sot, është hequr ai propozimi që bëri PD, për anëtarët e Gjykatës së Lartë, njerëz që kanë dënuar në gjyqe politike. Ndoshta jam i gabuar, por ata nuk duhet të vazhdojnë në asnjë mënyrë të jenë në organet e gjyqësorit.

Nga PS po tentohet që të përqendrohet problemi vetëm te bashkëpunëtorët e fshehtë. Madje, ka patur dhe një deklaratë të Pandeli Majkos për rehabilitimin e figurave komuniste.

Po, e pashë zotin Pandeli Majko, madje kërkonte që të bëhej dhe një lloj amnistie. Por amnistinë m’u duk sikur e kërkonte për babain e tij me shokë apo për nënën e tij që ka qenë shefe kuadri në universitet dhe dihet që shefet e kuadrit kanë qenë të gjithë njerëzit e Sigurimit. Për atë kanë pasur respekt në atë pozicion ku ka qenë, ama ka qenë shefe kuadri, nomenklatura e Sigurimit të Shtetit. ǒështë kjo? Për çfarë bëhet? Duan të tallen me ne?

Kalojmë në një temë tjetër, që është po aq e ndjeshme. Problemi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë deri ku ka shkuar, pasi ju jeni më në brendësi të këtij problemi?

Për sa i përket kësaj shtrese, që kemi 18 vjet që kemi shpresuar dhe që kemi qenë në çdo vijë të parë të frontit, në këto vite është bërë shumë pak ose aspak. Na u dhanë në vitin 1996 disa letra me vlerë, të tjerë kanë marrë ndonjë shtëpi nga shoqata bamirëse, si fondi anglez etj., dhe gjithmonë kanë jetuar me shpresë dhe fakti është se kanë kaluar 18 vjet dhe shumë kanë vdekur. Unë, me thënë të drejtën, jam dhe kundër ligjit që u aprovua, se thotë që dëmshpërblimi do të fillojë që nga dhjetori i ‘44. Unë jam që të marrin dëmshpërblim të gjithë ata që janë ekzekutuar që nga momenti që u krijua Partia famëzezë Komuniste, në vitin 1941. Njëkohësisht, dhe ata që janë vrarë pa gjyq dhe sidomos fëmijët e vegjël që kanë vuajtur në kampet e përqendrimit që nga mosha 1 vjeç dhe deri 18 vjeç, që janë përjashtuar nga ky ligj.

Ministria e Drejtësisë ç’përgjigje ju ka kthyer deri më tani?

Me sa di unë janë dorëzuar nja 8 mijë apo dhjetë mijë dosje deri tani. Unë, në të vërtetë, s’e kuptoj pse ndiqet një mënyrë aq e komplikuar, ku të gjitha këto janë në arkivat e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë etj. Janë të gjithë të regjistruarit. Tani ta kërkojnë dhe njëherë nga fillimi, është mundim shumë i madh. Deri më tani, asgjë s’është bërë. Fondi 5 milionë dollarë i 2006 u dogj, fondi i 2007 u dogj. U justifikua se ligji s’kishte dalë, tashmë ligji doli dhe kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe akoma nuk ka një person që të thotë se unë e mora këstin e parë.

Mos duket se ka dhe një mungesë vullneti për këtë çështje?

Patjetër që ka një mungesë vullneti nga politika dhe përgjegjësia për këtë bie mbi ministrin e Drejtësisë, që duket se po e zgjat në mënyrë të pajustifikuar këtë çështje. Janë dëshpëruar shumë njerëz, ka pasur raste që iu ka rënë dhe hemorragji cerebrale në radhët për dokumente se janë të vjetër dhe të vuajtur. Si unë kanë mbetur vetëm disa që numërohen me gishtat e dorës që janë gjallë, sepse shumica kanë vdekur. Të paktën të kishin parë dy ditë të bardha, por, me sa duket, të gjitha sistemet s’para mendojnë shumë për këtë klasë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›