Qytetarët të pakënaqur, bashkia gjobit urbanët dhe taksitë
Transporti rrugor
Përfaqësuesit e pushtetit vendor në kryeqytet miratojnë një paketë të re masash për shkelësit e kontratave
Autobusi me të cilin udhëtoni nuk respekton orarin e nisjes, nuk është i pastër, apo nuk ka sistem ventilimi? Taksisti nuk përdor taksimetrin, apo nuk ka kushtet e duhura të sigurisë për transportin tuaj? Këto dhe të tjera pakënaqësi që qytetarët do të kenë për shërbimin e transportit rrugor do t’i kushtojnë nga një gjobë operatorëve privatë në këtë fushë. Masa të reja administrative janë parashikuar për të bërë të mundur eliminimin e këtyre problemeve, që sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës jo rrallë ua prishin humorin qytetarëve që në pikë të mëngjesit. E për të pasur qytetarë me humor të mirë, vetë Këshilli Bashkiak kryeqytetas ka marrë në shqyrtim me seriozitetin e duhur çështjen e penaliteteve. Me këto të fundit do të duhet të përballen të gjithë operatorët privatë, të cilët jo në pak raste shkelin kontratat e nënshkruara me këtë institucion, si edhe rregullat më elementare të udhëtimit të qytetarëve.
Kështu, mbarëvajtja e transportit rrugor në kryeqytet, për këtë vit është konsideruar si një nga prioritetet e punës së Bashkisë së Tiranës. Kjo ka mundësuar vendosjen e saj në fokusin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në mbledhjen e tyre të fundit.
Me propozim të Drejtorisë së Kontrollit të Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, këshilltarët kanë miratuar vendimin për “Vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor”. Në këtë vendim janë përfshirë tabelat kryesore që parashikojnë shkeljet e ligjit nga ana e drejtuesve të automjeteve apo drejtuesve të agjencive të transportit, si edhe sanksionet përkatëse për çdo shkelje.
Sipas relacionit të paraqitur nga drejtoria përkatëse, që shoqëron projektvendimin në fjalë, “për shumë çështje që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimit të transportit, janë vendosur rregulla, respektimi i të cilave është i detyrueshëm, por për shkeljen e tyre nuk kanë qenë të përcaktuara sanksione konkrete”. Në këtë mënyrë, vendimi i miratuar bën detajimin e disa shkeljeve specifike dhe sanksioneve përkatëse. Eliminimi i këtyre shkeljeve, sipas përfaqësuesve të pushtetit vendor në kryeqytet, mendohet se do të rrisë standardet e këtij transporti rrugor dhe cilësinë e tij.
Gjobat e parashikuara për të gjitha shkeljet variojnë nga 1500 deri në 5000 lekë dhe vjelja e tyre është parashikuar që të bëhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore. Nga ana tjetër, Drejtoria e Kontrollit të Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, si autoriteti që do të zbatojë në praktikë këtë vendim, është urdhëruar që të marrë menjëherë masa për përgatitjen dhe kualifikimin e specialistëve kontrollorë, në përputhje me dispozitat ligjore.
#