E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkenca e ilaçeve, sektor edhe në Shqipëri

Farmakovigjilenca, specialistët e barnave do të nisin studime dhe testime për medikamentet në treg

Shkenca e testimit të ilaçeve do të zhvillohet edhe në Shqipëri. Projekti për të futur në lojë edhe sektorin e farmakovigjilencës po diskutohet nga specialistët e sektorit të shëndetësisë për vite me radhë. Por vetëm 2010-a do të jetë periudha e realizimit të këtij projekti. Sipas diskutimeve dhe planeve për vitin e ri, sektori me gjithçka nevojitej do të ishte gati deri në fund të këtij muaji. Por të papriturat dhe të paparashikuarat, ngjarja e përmbytjeve ka sjellë edhe ngadalësim të punës lidhur me këtë çështje. Kështu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “laboratori” i ekzaminimit të ilaçeve do të nisë nga puna në muajin shkurt.
Farmakovigjilenca
Sektori i farmakovigjilencës do të jetë në ngarkim të Qendrës së Kontrollit të Barnave. Konkretisht, QKKB-ja do të ketë nën hyqëm edhe këtë laborator, për të cilin bashkëpunimi do të jetë me strukturat e kësaj qendre, të cilat monitorojnë farmacitë, depot e të gjitha strukturat që tregtojnë dhe transportojnë barna në vendin tonë. Farmakovigjilenca është shkenca që studion përbërjen e barnave, ilaçeve, efektshmërinë e tyre.
Sipas projektit, qytetarët, pacientët apo edhe ata qytetarë të cilët nuk janë të kënaqur nga barnat dhe medikamentet në tregun tonë farmaceutik mund të bëjnë një ankesë pranë sektorit të farmakovigjilencës apo Qendrës së Kontrollit të Barnave.
Specialistët e kësaj zyre do të marrin parasysh kërkesat e tyre, do të analizojnë përbërjen e ilaçit, efektshmërinë dhe gjithçka tjetër për të dalë më pas në një përfundim për ilaçin, nëse është cilësor, nëse ka efekte anësore, apo nëse duhet të jetë më pjesë e produkteve farmaceutike që hidhen në treg.
Sektori
Sektori i ri do të ketë infrastrukturën e nevojshme, specialistë, si edhe bashkëpunim me të gjitha hallkat. Bërthama e “laborantëve”, të cilët do të merren me analizën e ilaçeve në treg, do të kenë objekte të studimit jo vetëm ilaçe dhe barna që tregtohen në sistemin privat farmaceutik, por edhe nga sistemi publik.
Ilaçet që blihen nëpërmjet tenderave, me të cilat trajtohen pacientët, do të ekzaminohet. Për to do të jepen përfundime, sa cilësore, sa të efektshme dhe sa të përparuara janë në luftën kundër sëmundjeve. Sipas ekspertëve, konkurrenca e lirë ka pasur një terren më të përshtatshëm vitet e fundit për sa i takon sistemit farmaceutik. Heqja e barrierave dhe njëkohësisht edhe nxitja e iniciativës së lirë, por të bazuara në rregulla, ka përmirësuar gjendjen e tregut. Pacientët kanë pasur më shumë barna, më shumë alternativa zëvendësuese dhe çmime më të lira krahasuar me 3-4 vjet më parë. Të gjitha barnat e regjistruara, të pajisura me pullën e kontrollit që qarkullojnë në tregun farmaceutik, u nënshtrohen analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike. Gjatë vitit 2009, janë kryer një sërë analizash, të cilat janë marrë nga mostrat për regjistrim, nga lotët e importeve të para të barnave, nga sondazhet periodike në depot farmaceutike, farmaci dhe agjenci.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›