E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon në mijëra numri i jetimëve të mitur

Situata

Vijnë nëpër qendrat spitalore të improvizuara gjysmë të vdekur, me numra nëpër duar. Askush nuk i njeh vetëm se tashmë ata do të mbushin radhët e jetimëve të Haitit, vendit të goditur tragjikisht nga tërmeti i 13 janarit. Shumë prej të miturve nxirren nga rrënojat dhe gërmadhat e shtëpive të shembura, të tjerë merren nga rruga e madhe. Ata janë të tronditur psikologjikisht përveçse të dëmtuar fizikisht. Para mjekëve qëndron një detyrë dyfish e vështirë: çfarë të bëjnë me fëmijët dhe të miturit, pas mjekimit? Ku vallë do të shkojnë ata? Një pjesë e madhe nuk dinë se ku i kanë prindërit, të tjerëve u kanë vdekur dhe tashmë janë djegur. Ata dinë vetëm se janë gjallë falë një mrekullie, por para tyre shtrihet një e ardhme e paqartë. Ky është një problem shumë i madh edhe për trupat e shpëtimit që kanë marrë situatën në dorë që prej disa ditësh. Për këta mijëra jetimë duhet një strategji e mirëfilltë, sepse përndryshe shumë kollaj ata mund të bien pre e veprimtarisë së bandave të ndryshme keqbërëse dhe të përfundojnë nëpër trafikime dhe prostitucion. Janë fëmijë dhe vogëlushë të pambrojtur që pas mjekimit do të kenë nevojë për një strehë dhe për paqe.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›