Onufri shkon për Hasan Nallbanin
“Kompozim” është shpallur vepra fituese e çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri ‘09”. Vendi i dytë është ndarë mes dy artistëve, Enkelejd Zonjës dhe Aldi Zgjanit
Jo vetëm për natyrën e saj të brishtë, delikate, për bukurinë fizike e shpirtërore, por edhe për rolin e saj vendimtar në shoqëri, për forcën e madhe dhe për dashurinë që mbart brenda vetes, figura e femrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet burim frymëzimi për piktorin e madh, Hasan Nallbani. “Kompozim”, vepra me të cilën u paraqit “Onufri ‘09”, është vlerësuar si më e mira e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore. Ka qenë pikërisht kjo vepër, të cilën juria e përbërë nga kryetari Francesco Poli dhe anëtaret Suzana Varvarica Kuka dhe Alma Mile, pas shqyrtimit e ka vlerësuar me çmimin e parë me motivacionin ”Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit. Për një liri kompozimi, i cili karakterrizohet nga një tension vital shprehës. Cilësi këto që janë shumë aktuale në ditët e sotme”. Vendi i dytë i konkursit është ndarë mes artistëve Enkelejd Zonja (për veprën “Përrallë nga 1997”) dhe Aldi Zgjani(për veprën “Sit still seeking!”). Lajmi u bë i ditur në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve, e organizuar në sallën e bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve. Në zgjedhjen e fituesve juria ka qenë e “kushtëzuar” nga një sërë kriteresh paraprake, që nuk kanë të bëjnë me cilësinë artistike, por më shumë me brezat. I pari kriter specifikon se “vlerësimet me çmime t`i jepen artistëve që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e sistemit të artit pamor në Shqipëri”. Duke qenë se këtë vit “Onufri” i përjashtoi artistët e huaj, ky kriter ka përjashtuar nga ccmimet edhe ata pak artistë shqiptarë pjesëmarrës që jetojnë e krijojnë jashtë. Kriteri i dytë parashikonte që Ccmimi i parë i përket artistëve të quajtur “Old generation artist”(gjeneratat e vjetra) dhe çmimi i Dytë artistëve të brezit të ri. Hasan Nallbani, i cili nukishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së ccmimeve, në muajin qershor të vitit të kaluar, çeli një ekspozitë personale në Galerinë e Arteve, ku në qendër të saj ishte edhe një herë figura e gruas. Atëkohë ai paraqiti 68 punime të teknikës vaj në kanavacë (në të tillë teknikë është punuar edhe vepra fituese e “Onufrit ‘09”) të realizuara në periudhën 2006-2009.
Figura e gruas për piktorin Hasan Nallbani është një nga motivet më interesante e më tërheqëse për t’u përcjellë në pikturë. Për të, gruaja është interesante në të gjitha aspektet, për shkak të delikatesës, të dobësisë që prezanton, si dhe të bukurisë së saj fizike që e karakterizon. Sipas tij, të gjitha këto elemente së bashku i krijojnë dëshirën artistit që ta prezantojë në veprën e tij. Por është e dashur dhe e vlerësuar edhe për rolin që ka si nënë. “është ripërtëritëse e jetës, por edhe përballon gjithë problematikat që ka jeta, si me rritjen e fëmijëve, edukimin e tyre e çdo gjë tjetër që ka nevojë shoqëria”, ka thënë më parë ai. Në pikturën e Nallbanit, femra vjen me të gjitha problematikat. Ajo vjen si një reflektim i piktorit ndaj realitetit që shikon dhe ndien përditë, një realiteti që mund të jetë pohues, mohues dhe kritik. Dhe femra për të është seksi që e përballon më me problematikë këtë realitet. Piktori, thotë se në realitetin tonë, problemet sociale, ekonomike, por edhe kulturore, i prezanton më mirë dhe më fortë femra. Tek ne e gjen gruan edhe në rrugë, edhe duke lypur, apo në një pub, duke kërcyer, apo të prezantimit të vetes si mall. Dhe ai zgjedh të përcjellë gjithçka me ngjyra të errëta, të forta, të ftohta... Dhe e bën këtë për të ironizuar këtë realitet, sepse për të rrëfyer diçka që prek, një subjekt kritik, atëherë i duhet të heqë dorë prej ngjyrave euforike. Piktori Hasan Nallbani ka lindur në vitin 1934 në qytetin e Beratit. Shkollën fillore e ka kryer në qytetin e lindjes. Përfundon liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa specializimi i tij profesional është njohja e restaurimit të veprave të artit. Për një periudhe të gjatë kohe ka drejtuar sektorin e restaurimit në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ai është autor i shumë artikujve që lidhen me tema të ndryshme të restaurimit të veprave të artit mesjetar në Shqipëri. Pas viteve 1964, Nallbani u bë një nga piktorët më në zë të artit shqiptar. Si për të gjithë artistët shqiptarë, edhe krijimtaria e tij përshfaq dy periudha krijuese. E para është ajo e para viteve ‘90, ku ai pikturoi dhe mori pjesë në ekspozitat e diktuara nga shteti i kohës komuniste. Në këtë periudhë ai u dallua si një piktor që preferoi temën historike dhe atë të ditës. Periudha e dytë është ajo e pas viteve ‘90, ku vazhdon të pikturojë plotësisht i çliruar.
#