E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët vijojnë protestën përpara Kryeministrisë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 69-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Një pensionist ngriti shqetësimin për kushtet ekonomike të të moshuarve, duke kërkuar që minimumi jetik të jetë një nga kërkesat kryesore të qytetarëve.

Ai u shpreh se pa garantimin e minimumit jetik nuk mund të sigurohet një jetë normale dhe bëri thirrje që pensionistët të bashkohen në protestë.

“Pensionistët duhet të vijnë të gjithë, të mos rrinë në shtëpi, të mos rrinë skutave, por të vijnë të gjithë këtu. Jemi kthyer në lypësa te fëmijët tanë”, tha ai.

Një aktivist deklaroi se qytetarët janë më të shumtë dhe më të vendosur për të vijuar qëndresën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas aktivistit, protesta për 69 ditë ka përmbysur makinerinë propagandistike të qeverisë.

Ai tha se, pavarësisht përpjekjeve për t’i intimiduar protestuesit, protesta ka vijuar dhe kërkesa mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë.

“Nëse gjuhë urrejtjeje është të përbuzësh korrupsionin, ne nuk do të ndalojmë së përbuzuri korrupsionin. Nëse gjuhë urrejtjeje është që të kërkosh largimin e qeverisë më të korruptuar në Evropë, ne nuk do të ndalojmë derisa kjo qeveri të largohet”, u shpreh ai.

Aktivisti Edison Lika tha se qëndresa e qytetarëve vijon me të njëjtën energji si në ditën e parë, duke paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Kush do ta mendonte se pas 69 ditësh rezistencë, ky shesh do të kishte përsëri të njëjtën energji si ditën e parë. Kushdo që ka shpresuar se kjo protestë nuk do ta zërë shtatorin, i themi që e kanë gabim. Ndërkohë që vijmë për ditën e 70-të, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë nisur numërimin mbrapsht. Dorëheqje!”, tha ai.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

1 nga 8

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›