E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, Brovina: Të rritet tarifa për konviktorët

TIRANE-Rritje e tarifave të akomodimit për studentët që zgjedhin Qytetin Studenti". Ky është propozimi i bërë nga drejtori i QS, Bujar Brovina në prag në fillimit të vitit të ri akademik.

Sipas tij, konsumi nga studentët është shumë i lartë, ndaj dhe tarifa duhet të rritet. "Kemi parasysh që ka një konsumim shumë të madh të energjisë elektrike dhe të ujit. Të mos harrojmë që dushet janë falas, ngrohja bëhet me anë të rrymës elektrike. Mendoj që edhe tarifa nuk do të jetë ajo që ka qenë vitet e kaluara akademike, mendoj që do të rritet. Pritet të jetë diçka simbolike, jo ndonjë çmim i madh", - ka shpjeguar Brovina. Megjithatë, propozimi i drejtorit nuk është miratuar ende, pasi kjo është një kompetencë që i takon Këshillit Mbikëqyrës. Në fakt, ende nuk dihet sa do të jetë rritja e mundshme e tarifave për ata studentë që zgjedhin të jetojnë në bujtinat e Qytetit Studenti, por të paktën për tre vitet e fundit kjo tarifë ka qenë e pandryshuar në vlerën e 40 mijë lekëve.

Kapacitetet
I gjithë kapaciteti i Qytetit Studenti është 6000 studentë. 4200 prej tyre u takojnë viteve të dyta dhe të treta, ndërkohë që 1800 janë studentët që regjistrohen në vitin e parë të studimeve. Pjesa më e madhe e dhomave strehojnë nga tre studentë, ndërsa ka edhe dhoma që kanë vetëm nga dy shtretër. Sipas Brovinës, 72% e dhomave janë me tre veta, ndërsa 32% e tyre me dy veta. Megjithatë, nëse do të jetë e nevojshme do të ketë shtim të shtretërve në dhomat që strehojnë vetëm dy persona.

"Të dashuruarit"
Vitin e kaluar Qyteti Studenti erdhi me një risi, ku u mundësua çelja e një godine për të dashuruarit. Pagesa për këto dhoma shkonte në 22 mijë lekë në muaj, ndërsa studentët mund të garantojnë qëndrimin dyshe në dhomë, me komoditetin e nevojshëm, duke përshirë këtu tualetin dhe të gjitha pajisjet hidro-sanitare. Qyteti Studenti është një sipërmarrje me vetëfinancim, por në gjysmën e buxhetit subvencionohet nga qeveria për pagesat e energjisë, ujit dhe pagat e punonjësve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›