E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KLSH për 2012: Abuzime e shkelje me koncesionet

TIRANË- Gjatë vitit 2012, institucionet shtetërore kanë dyfishuar abuzimet me fondet e buxhetit. Konstatimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe është pasqyruar në raportin që NEWS 24 disponon dhe që së shpejti pritet t’i dërgohet për miratim parlamentit. Në raport theksohet se audituesit e KLSH-së kanë konstatuar dhe evidentuar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me pasojë dëm ekonomik në shumën totale prej 13, 5 miliarde lekë.

KLSH thekson se krahasuar me një vit më parë, ku janë raportuar 7 miliardë lekë zbulime me pasojë dëm ekonomik, këtë vit janë zbuluar 6.49 miliardë lekë më shumë ose mbi 92% më shumë. Rritja e abuzimeve dhe shkeljeve me efekt financiar në buxhet ka ndodhur një vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, inkurajuar edhe nga mundësia e ndërrimit të pushtetit.

Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë konstatuar se pjesa dërrmuese e dëmit ekonomik ka ardhur si pasojë e mosshlyerjes së detyrimeve ndaj dy shoqërive publike Albpetrol dhe KESH, gjë që ka vendosur në vështirësi financiare këto të fundit. Ndërkohë që abuzimet me fondet e buxhetit në fusha të ndryshme vlerësohen në rreth 1.8 miliardë lekë. Në raportin e KLSH-së evindentohen edhe shkelje me koncensionet. Sipas raportit, dëmi ekonomik në vlerën e 606 milionë lekëve është shkaktuar si pasojë e mosushtrimit të penaliteteve për shkeljet e kushteve të kontratave koncesionare nga 24 koncesionarë dhe mosndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e dëmit të tyre ekonomik.

Mazhoranca e re ka deklaruar se do të rishikojë të gjitha kontratat koncensionare që janë me shkelje, një qendrim i përforcuar një ditë më parë publikisht edhe nga deputetja Ermonela Felaj.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›