Papunësia do të shoqërojë të rinjtë edhe për një brez

Organizata Ndërkombëtare e Punës, tërheq vëmendjen për papunësinë tek të rinjtë. Të ardhurat e tyre si kalojnë 1,25 dollarë në ditë
Në raport ILO konstaton se deri në fund të 2010-ës numri i të rinjve të papunë do të rritet me 13 për qind
"Numri i të rinjve të papunë në të gjithë botën ka arritur shifra rekord", në këtë përfundim ka arritur Organizata Ndërkombëtare e punës, ILO. Sipas një raporti që kjo organizatë ka publikuar ditën e djeshme, numri i të rinjve të papunë në të gjithë botën po rritet me ritme e shumë të shpejta.
Kështu në raport thuhet se nga 620 milion të rinj aktivë në tregun e punës, në fund të vitit 2009 rezultonin të pa punë 81 milion të rinj në të gjithë botën , një numër ky qe do të arrije shifra më të larta deri në fund të vitit 2010.
Sipas parashikimeve të kësaj organizate, tendenca e papunësisë për vitin 2010 do të ketë pasoja negative për të rinjtë, që po përgatiten të hyjnë në tregun e punës, një brez për të cilin raporti shprehte se do të konsiderohet si brez i humbur, pasi mundësitë për gjetjen e një pune fikse po pakësohen çdo ditë dhe më shumë.
Duke ju referuar parashikimeve të ILO-s , papunësia globale e të rinjve pritet të vazhdojë rritjen gjatë vitit 2010-ës, me 13 për qind. Raporti gjithashtu se thekson se niveli i papunësisë ka tendencën të rritet shpejtë tek punëtorët e një brezi të ri, në krahasim me ata që kanë një periudhë kohe në një vend pune.
Në kushtet në të cilat ndodhet aktualisht ekonomia botërore, është momenti më i përshtatshëm për të qenë optimist për të ardhmen e të rinjve në tregun e punës.
ILO e cilëson këtë gjeneratë të rinjsh si një brez të humbur, por nuk shprehet pesimiste as për brezin e ardhshëm të punëtorëve, pasi në raport thuhet se me të njëjtat vështirësi do të përballet edhe brezi i ri që po përgatitet të dalë në tregun e punës.
Në raport thuhet se niveli i papunësisë është më problematik në vendet në zhvillim, një kategorie së cilës i përket edhe vendi ynë.
Në përmbledhjen e ILO-s citohet se pikërisht në këto vende në zhvillim të rinjtë shpesh për shkak të mungesës së vendeve të punë janë të detyruar të punojnë me kohë të pjesshme, duke pasur të ardhura minimale. Një kriter ky që i klasifikon ata në radhët e popullsisë së varfër, dhe tepër të ndjeshme ndaj lëkundjeve të ekonomisë.
Raporti thekson se në botë punojnë rreth 152 milion të rinj (afërsisht 28%), por gjithsesi ata mbeten në kufijtë e varfërisë, pasi të ardhurat e tyre nuk shkojnë më shumë se 1,25 dollarë në ditë. "
Në vendet në zhvillim kriza prek më shumë shtresat e varfra", citohet në raportin e ILO-s në të cilin paralajmërohet se në kushte të tilla të rinjtë rrezikojnë të ndihen të padobishëm, gjë që mund të çojë në më shumë kriminalitet, dhunë dhe konflikte të tjera.
Mes viteve 2007-2009, papunësia në gjeneratën e të rinjve kapi shifrën t 7.8 milionë (1.1 milion në 2007/08 dhe 6.7 milion në 2008/09). Mes këtyre shifrave vendin më të madh e zënë vajzat e reja, të cilat kanë më shumë vështirësi në gjetjen e një vendi pune se sa djemtë e po të njëjtës moshë.
Shkalla e papunësisë për femrat në vitin 2009 ishte 13 për qind në krahasim me shkallën e papunësisë së meshkujve së të njëjtës moshë që ishte 12 % . ILO parashikon se rënia më e madhe (1 pikë përqindjeje), në normat e papunësisë së të rinjve pritet për Evropën Qendrore dhe Jug-Lindore, përfshirë edhe vendet që nuk janë pjesë e unionin evropian.
Reagimi/ Union i Tregtarëve Agroushqimorë: "Po abuzohet me çmimin e shitjes së miellit"
Tregtarët kundër abuzimeve më çmimin e bukës
Lajmet e këqija për rritjen e çmimit të bukës dhe etiketimet "Pozicion monopolist ne treg" apo "abuzime me çmimin e shitjes se miellit", kanë shkaktuar reagime në Unionin e Tregtarëve Agroushqimorë.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kreu i këtij unioni Murat Kloboshtica ka bërë me dije se në sajë të kontributit të bizneseve që operojnë në sektorin e prodhimit të miellit, gjatë këtyre 15 viteve të fundit, të cilët kanë bërë investime të mëdha dhe shumë moderne në teknologjinë e prodhimit të miellit ushqimor, është bërë e mundur që në Shqipëri të mbahet çmimi më i ulët për 1 Kg miell dhe për rrjedhoje dhe për 1 kg bukë, jo vetëm në krahasim me vendet Europiane, por dhe me vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. "Prodhuesit e miellit kanë dhënë dhe po japin një kontribut të madh lidhur me zhvillimin e bujqësisë duke e blerë të gjithë prodhimin e grurit vendas.
Nga analiza e nevojave të tregut të brendshëm, prodhimi vendas i grurit mbulon vetëm 10-15% të nevojave për grurë, ndërsa sasinë tjetër të grurit, prodhuesit e miellit janë të detyruar që ta blejnë në tregjet ndërkombëtare duke ju nënshtruar ecurisë së bursës së drithërave" -ka deklaruar Kloboshtica.
Sipas specialistëve vetëm gjatë këtyre 3 javëve të fundit, çmimi i grurit në bursë është rritur me 100-150 dollarë për ton ose rreth 70-75 për qind, ndërsa çmimi i miellit nga prodhuesit vendas është rritur vetëm me 15-20%.
Kjo rritjes sipas kreut të unionit Agroushqimor ka amortizuar në mënyrë të ndjeshme rritjen e çmimit të grurit në tregun e bursës, pasi është shfrytëzuar sasia në gjendje e miellit. Nga parashikimet eksperteve të prodhimit botëror të grurit, për vitin 2010 pritet një rënie e tij në masën 8-10% ne krahasim me vitin 2009, gjë e cila do të reflektohet dhe në çmimin e shitjes në bursë të grurit.
"Lidhur me deklarimet për "pozicion monopol" të prodhuesve të miellit, bëjmë me dije opinionin publik se në kushtet e konkurrencës së lirë dhe të funksionimit të një tregu global rajonal e me gjerë nuk mund të flitet më për një monopolizim të tregut të miellit, pasi prodhuesit e grurit si Serbia, Bullgaria etj janë shumë afër", -përfundoi ai duke tërhequr vëmendjen për faktin se gjatë këtyre 15 viteve të fundit, falë bizneseve të prodhimit të miellit, në Shqipëri çmimi i shitjes së bukës është mbajtur konstant në nivelin 60-80 lekë për kilogram, ndonëse janë rritur shumë shpenzimet për tatime, paga, energji, sigurime shoqërore, teknologji prodhimi etj.