E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti që nuk i pret studentët


Nga Joleza Koka

Me afrimin e ditëve të fundit të verës në shumicën e familjeve shqiptare fillojnë diskutimet për fillimin e vitit të ri shkollor.  E sipas traditës mund të nisim me ankesa e pakënaqësi  për gjëndjen e keqe të kësaj dhe të asaj, që mund të zgjaste me ditë të tëra për tu mbyllur me një hë se më mirë do bëhet’. Po a do bëhet më mirë?

Në fakt do duhet dikush që ta bëjë më mirë. Kjo detyrë mesa duket ngelet në duar të atyre që sot janë në bankat e shkollës.

Sipas të dhënave te INSTAT mbi lindjet në vitet 90-93, llogaritet të jenë përafersisht 605,000 të rinj sot në moshë studentore. Po nga i njëjti burim mësojmë se ndër ta,  20%  kanë pasur akses në arsimin e lartë gjatë vitit shkollor  09-10, ku 17% e kanë marrë këtë shërbim nga arsimi privat.

Pjesërisht në kërkim të profesionalizmit, komunikimit,  cilësisë së munguar në shtet apo thjesht për të realizuar ëndrrën shqiptare shtëpia e babit-universitet-shtëpia e burrit (ose anasjelltas). 27 % e të gjithë të diplomuarve sot vijnë nga Universiteti i Tiranës.

A studiojnë?  Çfarë studiojnë? Në çfarë kushtesh jetojnë? A e marrin pregatitjen e nevojshme që të sjellin atë ndryshim që të gjithë e presim?

Mosha studentore është një nga periudhat vendimtare të formimit të profilit profesional dhe njerëzor të të rinjve. Ky proces nuk realizohet ekskluzivisht në bankat e shkollës, rol mjaft të rëndësishëm ka edhe ndikimi  i shoqërisë e ambientit rrethues. Sa frymezuese janë sot këto hapësira? Sa forcë dhe dëshirë për të punuar mund ti ngjalli një të riu të sapo ardhur në Kryeqytet një shëtitje në rrugët e  ish Qytetit Studenti? Që si arkitekte nuk mund tia falja vetes ta quaja atë një kampus universitar, ajo  çka duhet të ishte në të vërtet.

Duhet të ishte një hapësirë, që gjeneronte dhe pasqyronte gjithë energjinë, që sot mbahet e mbyllur në muret e vjetëruar të dekoruar më kafe pensionistësh apo shumë shumë ndonjë demonstrim të kulturës turbo folk, që as perfaqëson e as I shërben kohës në të cilën jetojmë.

Nuk është pa vend të përmendet që zgjidhje e këtyre problematikave do të ishte një perqasje e majtë, me alternativa më pranë  studentit. Programi i PS, si parti e majtë nuk mund të mos  kthente sytë nga hapësira e kampusit aty ku duhet të fillojë ndërtimi i universitetit, që ne e humbëm keqazi rrugës së tranzicionit mes një kafeje dhe tjetrës të politikanëve shpesh dritëshkurter.

Përkundrazi, në vend të tyre duhet të ishin bibliotekat, sallat e studimit, të sportit, auditoret, laburatoret,  hapësirat rekreative.

Shumë prej nesh përballen me  vitet e para te shkëputjes nga familja, hapat e para të realizimit të ëndërres vetjake.  Por, sa mundësi ka një i ri sot te shkëputet realisht nga familja?

Në të gjithë vendet më të zhvilluara ekonomikisht kultivohet kultura e të punuarit, e fitimit të të ardhurave personale, gjë që rrit vetëbesimin dhe shpresën tek e ardhmja. Përvec mangësive në klasat e universiteteve dhe jashtë tyre studentët sot përballen me një mungesë të madhe vizioni. Ku të punosh nuk është në modë, ku të mësosh nuk është aspak zgjidhja me trendy, ku të kesh një profesion është realisht humbje kohe.

Më shumë se biseda mbi paranë, çka është ajo që prindërit ofrojnë dhe pedagogët kërkojnë, duhet kapërcyer pak më tej. Në fund të fundit të rinjt janë në kërkim të parasë  për tia kaluar mirë. Nuk do ishte bukur, që tia kalosh mirë dhe gjatë procesit të punës, gjatë intervalit të krijimit? Ku ekonomist të bëheshin ata që kishin dhunti matematikën dhe juristat  talent  oratorinë? Te paktën ky orientim iu jepej studentëve në vitet 60, më pas vijmë me moton le të bëhemi të gjithë gjithcka.

Do ishte me vend ekzistenca e një zyre kariere, ku të jepej informacioni  i nevojshëm mbi degët, lëndët dhe praktikën në të ardhmen. Dhe jo firmosja qorrazi e mandatit të regjistrimit në shkolla që nuk i duam dhe që rrjedhimisht nuk do të na i kthejnë dashurinë mbrapsh.

Në rast se cdo student sot do të ndiqte rrugën e tij drejt profesionit që dëshironte do ta mbronte atë dhe pasi të ishte me diplomë në dorë. Do ta mbronte jo duke bërë luftë,  por duke kryer punën e tij me seriozitet. Ne momentin që secili prej nesh do të mbante përgjegjësi për punën që bënë, do të kishim detyrimin moral ndaj vetes, që tiu krijonim kushtet dhe orientimin e duhur studentëve, që do të vinin në të ardhmen, duke themeluar një zinxhir funksional .

Dhe një ditë  statusi në Facebook i profesorit tim të mençur,  Artan Fugës do të na dukej si një e shkuar e hidhur dhe e harruar: Si mund të mos jetë “helm” kafja që ma servir përditë në një kafene të Tiranës, ish studenti im që e kam diplomuar për filozofi?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›