E Diel, 1 Nëntor 2026

Enver i vuejtun, apo Sali i kënaqun?

Qarkulluan këto ditë plot lajme dhe komente në mediat, për një vilë qeveritare në Vlorë, për të cilën qenka shpenzuar tej mase dhe që, me luksin e vet, dëshmon për babëzinë ose papërgjegjshmërinë e klasës në pushtet dhe të kryeministrit Berisha vetë.

Dje kish dalë edhe një veteran i PS-së, Sabit Brokaj, për ti deklaruar Shqiptaresse shpenzimet marramendëse të qeveritarëve të sotëm as mund të krahasohen me ato të sistemit të kaluar dhe se Vila e Enverit ishte modeste.

Kjo deklaratë nuk di pse më kujtoi një karakterizim që ia pat bërë shtëpisë së Enver Hoxhës P.J. ORourke, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1997 (Eat the Rich, Atlantic Monthly Press, July 1999, p. 54). Kur flet për atmosferën në bllok, ORourke shkruan se

ideja e tyre [e rrethit të Hoxhës] për luksin ishte gjysmë-suburbane, e po atij lloji lagjeje gjysmë suburbane ku ti po përpiqesh të bindësh prindët e tu për të gjetur shtëpi, para se tua vjedhin makinat. Mirëpo rezidenca e Hoxhës duket si shtëpia e një dentisti shumë të suksesshëm, në Chicago. Ka diçka nga stili preri i Chicagos në dritaret e saj të gjëra, por të keqpërpjesëtuara; në çatinë e ngathët, me strehë të thella; dhe në terracimin prej gurësh të gjerë, të palatuar le ta quajmë Frank Lloyd majtiste.

Dhe, natyrisht, ideja dhe shijet e borgjezisë post-totalitare, në Shqipërinë e sotme, e kanë lënë mbrapa me kohë estetikën prej dentisti të suksesshëm të Chicago-s.

Megjithatë, ka një gabim të madh në këto krahasime; gabim jo në kuptimin që çdo krahasim çalon, por në rrezikun e homologimit të dy sistemeve krejt të ndryshme mes tyre; dhe të dy llojeve të ndryshme me të cilat autokratët Hoxha atëherë, Berisha sot hynin në marrëdhënie me pushtetin.

Si kreu i një regjimi totalitar të kulluar, Hoxha e mishëronte pasurimin e vet, ose suksesin e vet individual nëpërmjet akumulimit të pushtetit; përndryshe, ai mund të rrinte edhe me tuta nga mëngjesi në darkë, dhe askush nuk do të pipëtinte.

Në një nga librat e tij me kujtime, Hoxha shkruan se i kish kërkuar dikur Nexhmijes ose motrës së vet që tia arnonin një ombrellë të vjetër të grisur dhe unë e kam besuar këtë; sepse ajo ka qenë kultura e Hoxhës: e një mikroborgjezi provincial, dorështrënguar dhe të respektueshëm ndaj sendit dhe shpërdorimit.

Në kujtimet e Hoxhës (ose në kujtimet e Kadaresë për Hoxhën, tani smbaj mend) kam lexuar për Stalinin, që hante për darkë një tas me supë ose mashurka. Natyrisht, ndryshe nga çkish parë yni, Stalini mirënjihej, aso kohe, për gostitë gargantuane që shtronte çdo natë në Kremlin (Hrushovi u ka kushtuar atyre gostive kapitëse shumë faqe të zvargura, në kujtimet e veta); por shefi i totalitarizmit sovjetik nuk kish ndonjë pasion për luksin mjaft ti kujtosh setrën ushtarake dhe çizmet, që nuk i hiqte kurrë nga trupi.

Asketike, të thjeshta dhe minimal i kishin  uniformat e huqet edhe krerët e totalitarizmit kinez.

A mund ti krahasosh tani ato gjimnastjorka prej kërpi e shajaku, apo dokun proletar ngjyrë battleship grey të kinezëve të Maos, lëkurën e thiut të çizmeve të Stalinit dhe fanellat prej leshi deleje natural të Enverit, me kravatat farfuritëse, kaleidoskopike të pushtetarëve të sotëm spitullaqë, berlinat e tyre të shtrenjta, stilin e jetesës prej gangsterësh (po të Chicago-s, në vitet 1930), ishujt me emra të pashqiptueshëm ku i kalojnë pushimet dhe të tjera bëma që edhe vetëShqiptarja slodhet së rrëfyeri në faqet e veta rozë?

Jo, nuk mund dhe nuk duhet ti krahasosh.

Pushteti i sotëm është banal në thelb; të cilin thelb e materializon, ndër të tjera, edhe në konsumin e spikatur ose për dukje (conspicuous consumption) të protagonistëve të vet të cilët janë të detyruar të duken, përndryshe e humbasin garën sakaq me rivalët, mbeten prapa, ekspozohen ndaj harresës, tatëpjetës, rrokullimës dhe disfatës.

Nën totalitarizëm, përkundrazi, konsumi i spikatur ekonomik mbahej për krim, politik dhe etik përkundrejt një kulti pothuajse kristian të varfërisë dhe përkorës; njëlloj si guru-të e sekteve vetë-privuese, udhëheqësit e atëhershëm konsumonin jo të mira materiale, por pushtetin ndaj Tjetrit. Ti mund të veshësh kostum stofi të shtrenjtë polak, të thoshte Enver Hoxha, por unë ti heq edhe brekët po të dua.

Do të më objektohet se edhe konsumi i spikatur ose për dukje është një lloj dhune, sado e tërthortë, së paku ndaj ziliqarëve; dhe se milionat që mund të shpenzojë e të shpërdorojë Berisha & Co. me gjithfarë veturash, pishinash dhe qilimash përkthejnë vuajtjen e atyre të tjerëve, të cilëve u janë marrë këto miliona.

Nuk dua ta kundërshtoj këtë; por njëlloj edhe nuk mund ti akuzoj kështu haptazi dhe thjesht, pushtetarët e sotëm, për rendjen e detyruar pas luksit, si të ishte kjo ndonjë pllangë e pafalshme amoraliteti në pëlhurën përndryshe të bardhë borë të virtytit të tyre human.

Sistemi që po sendërtohet e riprodhohet në Shqipëri, me pjesëmarrjen e hareshme të gjithë qytetarëve, e lyp këtë pisllëk vetvetiu. Nuk mund të presësh nga Berisha që të sillet si presidenti uruguajan Mujica, brenda një regjimi si ky i tanishmi në Tiranë, ku konsumi i spikatur funksionon si katalizator për dinamikat e pushtetit.

Enver Hoxha që ia lejonte vetes të arnonte ombrellën, kishte pushtet absolut brenda një regjimi totalitar dhe e dinte këtë; sikur të fillojë edhe kryeministri i tanishëm shqiptar të arnojë ombrellat, të riparojë orën e dorës, të hajë supë nga tasi e të dalë rrugëve me kostum poliesteri bojëqiell, atëherë Shqipërinë vërtet e mori lumi.

Gabon, pra, kush e akuzon Berishën se po bën jetë si sulltan, me dëshirën për ta demaskuar si autokrat dhe gjakpirës; sepse shpenzimet e tepruara të kryeministrit shqiptar për vila, makina, pishina dhe qilima janë shenjë jo e pushtetit të tij të pafre, por e frikës së tij se mos pushteti i rrezikohet; Berisha që shpërdoron paranë e buxhetit për projekte vanitoze dhe buçet me gjithfarë mburrjesh nga podiumet është një autokrat i pasigurt, që e sheh veten të rrethuar nga rivalët, teksa përfshihet, volens nolens, në të njëjtën garë absurde ku janë futur tashmë, qorrazi, shumica e bashkatdhetarëve të vet./ Xha Xhai/Pejsazhe te Fjales/

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›