E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteza e Saragut dhe rrënojat e kishës së Shën Ndreut

05/05/2011  Ndalesat dhe kalimet e Cezarit dhe Pompeut në zonën e Pajovës

Duke u ndalur përgjatë rrugës nacionale nga Pajova në Bishqem, vështrimi të ndalet në një varg kodrinor, që si një shkallare e madhe teatri qarkon dhe mbyll këtë pjesë të komunës. Vargu fillon mbi tarracën lumore në lagjen “Tabak” dhe duke u lartësuar drejt Kodër Sarag, Qafë Shënkoll, Budan, Shëndrez, Qafë Kërrabë, Shkëmbi i Madh, Qafë Kodërlak, Kodërlak, Kodër Shkujkë dhe në zbritje drejt Qafës së Pusit, për të përfunduar në Kulën e Hakajve. Banorët e zonës të tregojnë me krenari se dikur gjithë ky varg kodrinor ka qenë një qytezë me shtëpitë aq pranë sa macja kalonte mbi çati nga fillimi deri në fund të vargut. A është kjo vetëm një gojëdhënë që ka marrë përmasat e një legjende apo një realitet? Shumë janë mosbesues, se një gojëdhënë e tillë qarkullon dhe në zona të tjera të Shqipërisë, por ata që e kanë pasur mundësinë të vizitojnë këtë varg nuk e vënë në dyshim vërtetësinë se dikur këto kodra kanë qenë të banuara. “Duke vizituar një pjesë të këtij vargu ne vërejtëm se ato kanë qenë të banuara me ndërprerje në disa periudha të ndryshme, duke filluar nga shek. XV para Kr. deri në shek. XVI pas Kr”, vërejnë profesorët e këtij botimi. Tjegullat e shumta që vijnë nga çatitë e shtëpive që nga shekulli i VI p. Kr. deri më sot, apo nga përdorimi për ndërtimin e varreve (shek. IV p. Kr. deri në shek. VI m. Kr.) të shpërndara andej- këtej krijojnë iluzionin e afërsisë dhe të pandërprerës midis tyre, duke krijuar edhe legjendën e kalimit sipas krahinave të maces, dhelprës, drerit etj. Në këtë kurriz të banuar, gjetja më e hershme u zbulua në qytezën e Saragut, dhe i takon periudhës së kalimit nga bronzi i mesëm në bronzin e vonë (shek. XV – XIII p. Kr.). Po prej qytezës vijnë disa fragmente enësh të punuara pa çark (periudha e hekurit, shek. VIII – VII p. Kr), tjegulla dhe një fragment pitosi arkaik (shek. VI. p. Kr.) dhe shumë tjegulla, enë, pjesë mokrash etj, që i takojnë shek. IV p. Kr. Pranë shkëmbit të madh në vendin e quajtur Shëndrez gjenden rrënojat e kishës së Shën Ndreut të Pajovës (shek. XIII – XVI). Në qafën e Kodërlakut dhe Kodërlak gjenden rrënojat e një fshati të banuar në shek. XIII –XVI, të identifikuar me fshatin Lak të Defterit të 1431. Poshtë Kodërlak në vendin e quajtur Kishë, gjenden rrënojat e një kishe të madhe të shek. XIII – XVI të identifikuar me kishin e Shën Mërisë, që në periudhën e fundit të saj, shek. XVI i ka takuar Bishqemit. Po pranë saj u zbuluan rrënojat e një banese të shek. II. m. Kr. dhe gjurmë të tjera që lidhen me këtë periudhë ose me ato më të hershme, të shek. III- II p. Kr. Një rrënojë në vendin e quajtur Budan duket se lidhet me një periudhë më të vonë (shek. XVII, kur Baba Budani, përfaqësues i shquar i sektit sufi, mori nga Etiopia farën e kafesë për ta kultivuar më pas dhe në Indi. Rrënojat e periudhës së shek. III – II shtrihen dhe në faqen jugore të kodrave drejt qendrës së Pajovës, Leqitit dhe Bishqemit. Gjurmët e një ujësjellësi që fillon nga çezma e vjetër e Leqit tregon se në afërsi të rrëzës së kodrës duhet të ketë pasur ndonjë vilë apo ndonjë stacion rrugor të periudhës romake, por kjo ka nevojë për kërkime të reja arkeologjike në të ardhmen. Ndër rrënojat e vjetra vendin e parë e zënë rrënojat në kodrën Sarag (Sarak), që nga banorët njihet me emrin Koçile. Dhe jo më kot ka ardhur me këtë emër të burimit latin koçi = copë (pra diçka që nuk është e plotë), pra që do të shpreh copat e qeramikës të kësaj rrënoje arkeologjike.

qyteza e Saragut

Rrënojat e kësaj qyteze ndodhen ende në kodrat që mbajnë emrin e ndryshuar për gjatë shekujve Saraku (Saragu), në majën e Koçiles (301 m) në veriperëndim të fshatit Leqit. Në luginën e Shkumbinit përgjatë historisë ka kaluar një nga rrugët kryesore që lidhte Lindjen me Perëndimin. Së pari, gjatë periudhës ilire, ajo është njohur si rruga e Kandavisë, kurse me ndërtimin e rrugës nga romakët ajo u quajt Egnatia. Qyteza e Saragut, si për kohën e ndërtimit dhe zhvillimit të saj, si dhe për emrin që ne trashëgojmë lidhet me një periudhë shumë më të hershme se ndërtimi i rrugës Egnatia. Muri rrethues që ne kemi mundur të shohim mbi sipërfaqe i takon shek. IV p. Kr., por gjetjet e shumta që vijnë nga shek. VI p. Kr. na bëjnë të mendojmë që mund të ketë pasur dhe një qendër protourbane të fortifikuar që në shek. VI –V p. Kr. Këtë e përforcon dhe punishtja e gjetur në fshatin Paulesh në vendin e quajtur Vreshti i Vogël, që datohet po në këtë periudhë, shek. VI – V p. Kr. Një fragment qeramike i periudhës së bronzit, gjetur gjatë vizitës së kryer në muajin prill të këtij viti, tregon se kjo kodër ka qenë e banuar edhe më herët. Për saktësimin e të dhënave në radhë të parë duhet që ky monument të vihet në mbrojtje, për të ruajtur atë pjesë që i ka shpëtuar dëmtimit dhe më pas të ndërmerren gërmime arkeologjike. Kjo duhet të bëhet jo vetëm për vlerat arkeologjike që ai mbart, por dhe për vlerat historike të tij që lidhen me ngjarje të rëndësishme të historisë siç është lufta civile që filloi në senatin e Romës dhe u zhvillua në Iliri, pra në territorin e sotëm të Shqipërisë. Duhet theksuar se vitet e fundit ai është dëmtuar shumë nga punimet bujqësore.

Kodra e Saragut ndodhet në anën e djathtë të lumit Shkumbin midis përroit të Pajovës në perëndim dhe fushës së Bishqemit që përshkohet nga përrenjtë e Babluçit, Demuleshit dhe atij të Zi. Nga ana lindore dhe veriore një brez shkëmbor prej guri shtufor e ndan shpatin e përdorur për ndërtim nga pjesa tjetër e kodrës, në veri shpati zbret shumë thiktë, ndërsa në dy anët e tjera ai zbret butë. Pikërisht në këto dy faqe është shtrirë në formë tarracash ndërtimi i këtij vendbanimi. Në sipërfaqen brenda mureve rrethuese dhe jashtë tyre vërehen fragmente të shumta qeramike, ku vendin kryesor e zënë tjegullat e shek. V-II p. Kr. Gjurmët e murit rrethues të këtij vendbanimi ruhen në një pjesë të gjatësisë së tij, kurse në pjesët e tjera është relievi i thiktë që mund të përcaktojë drejtimin e tij. Brenda fortifikimit ka mure banesash të ndërtuar me blloqe shtufor me përmasa më të vogla, por nuk mungojnë dhe gurë gëlqerorë. Një sasi e madhe qeramike, sidomos enë me vernik të zi, amfora transporti për vaj ulliri dhe për verë, enë të shumta rezerve (pitosa) të importuara apo të prodhuara në furrat e qeramikës, një prej të cilëve është dhe ai i zbuluar në Paulesh, gurë peshash prej balte për tezgjah, fragmente mokrash për bluarje drithi të bëra prej guri vullkanik me lëvizje horizontale, gjenden brenda dhe jashtë murit fortifikues. Gjithë materiali shtrihet në një periudhë kohore të gjatë që fillon nga periudha e bronzit deri në shek. II p. Kr.

A mund të lidhet ky vendbanim me ndonjë qendër të përmendur në burimet e autorëve antikë. Për këtë na vjen në ndihmë Jul Cezari, që në përshkrimin e betejave me Pompeun përmend pranë lumit Genus, Asparagun, ku të dy ushtritë kishin vendosur kampet e tyre. Cezari, në krahun e majtë të lumit, kurse Pompeu në të djathtë, në Asparag. Autorë të ndryshëm që janë marrë me historinë e Luftës Civile në këtë qendër e kanë vendosur herë në Bashtovë herë në Rrogozhinë. Nisur nga pozicioni që tregon Cezari dhe forma e transformuar e emrit gjatë historisë, emri Sarag ka më shumë gjasa që të vijë nga emri Asparagus, Sparag (italisht në mesjetë), shparg ose sporeng (shqip), por fjalën e fundit për këtë e kanë gjuhëtarët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›