E Hënë, 2 Nëntor 2026

Falja fiskale merr rrugën zyrtare

05/05/2011  Botohet në Fletoren Zyrtare. Pas datës 18 maj do të nisë publikimi i udhëzimeve

Ministri Bode: Ligji do të jetë efecient brenda dy javëve të para të majit

Ligji për faljen dhe legalizimin e aseteve ka marrë rrugën ligjore. Por publikimi i udhëzimeve të Ministrisë së Financave për zbatimin e këtij ligji do të bëhen publike pas datës 18 maj. Kjo pasi sipas procedurës zyrtare, pas botimit në Fletoren Zyrtare, ligji parashikon edhe një afat prej 15 ditësh që të hyjë në fuqi dhe të gjitha institucionet që do të bëhen pjesë e këtij ligji të kenë mundësi të nisin procesin e faljes. Botimi i ligjit për faljen fiskale në Fletoren Zyrtare vjen në një kohë kur fushatës për zgjedhjet e 8 majit po i vjen fundi. Ndërsa zbatimi i faljes fiskale dhe publikimi i akteve nënligjore do të bëhet në një kohë më vonë, kur edhe vëmendja e opinionit publik do të jetë larguar disi nga rezultatet e zgjedhjeve dhe do të përqendrohen të rëndësinë që ka ky proces, për qytetarët dhe për bizneset. Administrata tatimore, brenda një afati, që përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave do të evidentojë kategoritë e tatimpaguesve, që përfitojnë nga falja e parashikuar në këtë ligj.

Udhëzimet për faljen

Ligji përcakton se është ministri i Financave, i cili me urdhër miraton formularët e aplikimit për përfitim nga procesi i legalizimit të kapitalit. Ministri Ridvan Bode theksoi pas miratimit nga Parlamenti se ligji do të zbatohet dy javët e para të majit. “Nga momenti që ligji do të dekretohet dhe do të hyjë në fuqi, nga ana e Ministrisë së Financave janë parapërgatitur të gjithë aktet e tjera nënligjore, të cilat do të zbatohen me shpejtësi për ta bërë eficent ligjin brenda dyjavorit të parë të muajit maj. Kohëzgjatja e tij do të jetë deri në fund të viti 2011, sipas miratimit të ligjit”, - është shprehur pak kohë më parë ministri Bode. Ligji përcakton se ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e 11 neneve. Më konkretisht bëhet fjalë për nenin që lidhet me rivlerësimin e pasurive të personave juridikë, me mbylljen e procedurave të legalizimit të kapitalit, me transferimin e shumave në të holla përpara afatit, me detyrimet tatimore që falen pa pagesë, me faljen e detyrimit tatimor për tatimpaguesit, persona juridikë, apo tatimpaguesit e regjistruar si subjekt i TVSH-së, apo faljen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit dhe personat fizikë dhe juridikë. Sa i përket procedurës së shuarjes së borxhit fiskal, do të jetë administrata tatimore dhe ajo doganore që brenda 2 muajve pas dhjetorit 2011 që do të shuajnë detyrimet fiskale të falura, sipas këtij ligji dhe bëjnë pasqyrimet e këtij fakti në regjistrat e tyre kontabël. “Procedura e shuarjes së detyrimeve fiskale të falura dhe të detyrimeve fiskale, të cilave u ka kaluar afati i parashkrimit, përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave”, - thekson ligji. Të gjitha aktet nënligjore, të parashikuara nga ky ligj, miratohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Nenet që kërkojnë udhëzime të veçanta

Ministri i Financave nxjerr udhëzim për zbatimin e neneve:

Neni 11 - Rivlerësimi i pasurive të personave juridikë

Neni 12 - Mbyllja e procedurave të legalizimit të kapitalit

Neni 15 - Transferimi i shumave në të holla përpara afatit

Neni 19 - Detyrimet tatimore që falen pa pagesë

Neni 20 - Falja e detyrimit tatimor për tatimpaguesit, persona juridikë, apo tatimpaguesit e regjistruar si subjekt i TVSH-së

Neni 23 - Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit

Neni 24 - Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat fizikë dhe juridikë

Neni 25 - Detyrimet e administratës tatimore

Neni 26 - Falja e detyrimeve ndaj administratës doganore

Neni 27 - Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët

Neni 28 - Procedura e shuarjes së borxhit fiskal

Proces vetëdeklarimi

Ky proces do të jetë i bazuar në vetëdeklarimin e qytetarëve dhe bizneseve. “Ne kemi marrë masat që të organizojmë sistemin e punës, pasi i gjithë ky është një proces vetëdeklarimi. Pra, nuk është se të gjithë këta qytetarë dhe biznese do të shkojnë në administratën tatimore. Në administratën tatimore në rrugë elektronike apo hard copy mund të tërheqin formularët. Ndërsa deklarimet do t’i bëjnë vetë qytetarët në bankë, hipoteka. Është vullnet i lirë i qytetarëve dhe biznesit për ta realizuar këtë proces”, - thekson Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›