E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherrnaja politike

05/05/2011  Reportazh / Gjirokastër, flet kryetari Ermal Dhoska

KZAZ-ja "filtri" që "bekon" fituesin dhe humbësin nga Pallati i Sportit

GJIROKASTËR- Pallati i Sportit në qytetin e Gjirokastrës ka filluar të rijetëzohet, pas një heshtje 2- vjeçare. Shtatë anëtarët, plus sekretari i Komisioni Zonal Administrativ Zgjedhor (KZAZ) nr. 25, kanë filluar punën për të mbikëqyrur zgjedhjet lokale gjatë dhe pas votimit të 8 majit. Ermal Dhoska, kryetari i KZAZ-së, thotë se deri tani procesi ka vijuar normalisht, përveç një "ngërçi" që u shfaq përpara disa ditësh pas vendimit unanim të mori KQZ-ja për largimin e dy komisionerëve që kishin konflikt të pastër interesi. "Emrat e sekretarit dhe nënkryetarit të KZAZ numër. 25, figuronin në listën shumëemërore të këshilltarëve, gjë që solli papajtueshmëri në Kodin Zgjedhor", specifikon Dhoska. Sipas tij, kjo "anomali" nuk shkaktoi vonesa në zëvendësimin e tyre, pasi subjekti politik u tregua i gatshëm të sillte emra të rinjtë, të lëna bosh. Dhoska tregon se KZAZ-ja po përgatit të gjitha materialet zgjedhore, me përputhje me Kodin Zgjedhor, që procesi në 8 maj të vijoj normalisht. KZAZ-ja, vijon Dhoska, do të mbikëqyrë 123 qendra votimi (QV), 27 në Bashkinë e Gjirokastrës, 3 në Bashkinë e Libohovës, 5 në Komunën Antigone, 11 në Komunën Cepo, 18 në Komunën e Dropullit të Sipërm, 17 në Komunën e Dropullit të Poshtëm, 3 në Komunën Lazarat, 8 në Komunën Lunxhëri, 5 në Komunën Odrie, 4 në Komunën Piçar, 6 në Komunën Pogon, 7 në Komunën Qendër Libohovë, si dhe 9 në Komunën e Zagorie. Për të, ky proces është i rëndësishëm, pasi në rrethin e Gjirokastrës mendohet të votojnë 66630 zgjedhës, sipas listën përfundimtare. "Të gjithë votuesit kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Kjo është demokracia", nënvizion Dhoska. Më tej, kryetari i KZAZ nr. 25 thekson se procesi është delikat, sidomos gjatë numërimit të votave. "Për herë të parë, të gjithë kandidatët fitues apo humbës do të dalin nga pallati i sportit", shprehet Dhoska, ndërsa shton se ky proces kërkon përqendrim dhe qetësi. "Ky proces do të jetë transparent, i monitorueshëm nga kandidatët rivalë, shoqëria civile, OSBE-ODIHR dhe media", pohon Dhoska. Ai siguron se procesi i numërimit të votave nuk do të nisë pa ardhur dhe kutia e fundit. Sipas tij, Zagoria është komuna më "problematike" për shkak të largësisë nga Gjirokastra. "Për këtë arsye, KZAZ-ja ka marrë masa të rrepta dhe ka kërkuar ndihmën e forca politike të tregohen korrektë për mbarëvajtjen e këtij procesi", thotë Dhoska, ndërsa nënvizon se asnjë kuti votimi nuk do të merret në dorëzim nga KZAZ-ja, pa praninë e kryetarit, sekretarit dhe punonjësi të rendit që është caktuar pranë QV. Telnis Skuqi

Erdhi Berisha dhe Topalli

PS Shkodër: Presion administratës

për të dalë në miting

SHKODER- Mitingu i PD-së në Shkodër, ku ishte i pranishëm kreu i kësaj force politike, Sali Berisha dhe nënkryetarja Jozefina Topalli është pasur me një deklaratë për shtyp të degës së PS-së Shkodrës. Në deklaratën e lexuar nga zëdhënësi i kësaj partie, njëkohësisht dhe kandidat për anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit, Agron Metushi,u theksua se PD-ja e mbushi sheshin ku do të fliste Berisha dhe Topalli në mënyrë të kundraligjshme me nëpunës të institucioneve shtetërore, duke filluar me administratën e deri tek punonjësit e thjeshtë, të cilëve u ishte bërë presion politik që një ditë para mitingut elektoral të PD-së. Zëdhënësi i PS-së Metushi u shpreh se pjesëmarrësit u detyruan të dilnin në miting pavarësisht bindjeve të tyre politike,duke u kërcënuar me vendin e punës si në periudhën e diktaturës moniste. Sipas Metushit,veprimet e presionet e PD-së e kthyen Shkodrën në një shëmbëlltyrë të keqe të kohës së diktaturës. .”Sot qytetarët e Shkodrës panë përsëri arrogancën e pushtetit të Sali Berishës e Jozefina Topallit.Në mitingun e PD-së ishin prezent punonjës të institucioneve të ndryshme, të cilët nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës detyrohen të marrin pjesë në aktivitetin politik, pavarësisht nga dëshirat e bindjet e tyre politike. Presioni për të marrë pjesë ka filluar një ditë para mitingut duke u bërë presion qytetarëve se, pavarësisht bindjeve politike,duhet të jenë në takimin ku është kryeministri Berisha. V. A

Ish kreu i kësaj lëvizjeje për Shkodrën Zef Koçeku

Janë larguar 300 anëtarë të LSI-së te PS-ja

SHKODER- Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Shkodër, është tronditur dje nga largimi i një numri të konsiderueshëm të anëtarëve të saj. Janë plot 300 anëtarë të Degës së LSI-së Shkodër, të cilët kanë deklaruar se tashmë nuk i përkasin më kësaj force politike. Njëkohësisht këta anëtarë të larguar nga LSI-ja kanë bërë të ditur se do t’i bashkohen degës së PS-së së Shkodrës dhe do ta mbështesin fuqishëm atë në këto zgjedhje elektorale për për pushtetin vendor,që do të zhvillohen të dielën më 8 maj. Për bërjen publik të këtij lajmi ka dalë me një deklaratë për shtyp ish-nënkryetari i degës së LSI-së Shkodër, Zef Koçeku, i cili, përveçse sqaroi momentin dhe arsyet e largimit, disa vite më parë ,nga PS-tek LSI, theksoi se arsyeja kryesore e largimit të sotëm të tij dhe e anëtarëve të tjerë të LSI-së dhe bashkimi me PS-në u bë për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme të drejtuesve të LSI-së dhe kryesisht të kryetarit Iir Meta.“Jam një nga themeluesit e LSI-së në Shkodër, anëtar i Konferencës së parë për LSI- në Shkodër, nënkryetar për qytetin e Shkodrës. Hymë në LSI kur në qeverisje ishte PS-ja dhe kryeministër ishte vagabondi Fatos Nano me një sërë ministrash si Luan Rama, Andis Harasani ,Ylli Manjani e Kastriot Islami. Në atë kohë, në Shkodër kishte dy muaj që kishte rreshje të bollshme shiu dhe përsëri Shkodra ishte pa drita. Duke parë këtë situatë kaluam tek LSI. Që në momentin e parë na zhgënjeu bllokmeni, drejtuesi i kësaj partie ,i cili hyri në pazaret e para me delegatët, ndërkohë që njërin deputet e la dy vjet dhe tjetrin dy vjet. Zhgënjimi i dytë ishte në zgjedhjet lokale,në të cilat nxorëm dy anëtarë të LSi-së. Nga ky rezultat erdhi shumë i irrituar,na pushoi të gjithëve nga drejtimi i LSI-së dhe na tha se me paratë që kishte harxhuar për të kryer pagesat e qerasë së zyrës mund të kishte blerë votat dhe të kishte nxjerrë më shumë anëtarë. Që atë ditë ,në Shkodër nuk ka pasur LSI. Kryetar i LSI-së në Shkodër tani është një i bujtur, prandaj asnjë votë nuk do i japim LSI-së. I japim me emra të 300 anëtarët e LSI-së që janë larguar, por nuk mund t’i bëjmë të gjithë publike pasi një pjesë e mirë e tyre janë të punësuar dhe e dimë se menjëherë do të hiqen nga puna”, theksoi ish kreu i degës së LSI-së Shkodër Zef Koçeku. V. Abdyli

Reagimi: Jemi parti i civilizuar

Digjen flamujt, PD akuzon Partinë Socialiste

ELBASAN- PD Elbasan ka denoncuar një ditë më parë djegien e flamujve të PD në lagjen Partizani duke akuzuar stafin e kundërshtarit Qazim Sejdini. Kryetari I PD Luçiano Boçi deklaroi se kjo është një pjesë e zakonshme e PS-së që ka luftuar me simbole e flamuj si dhe kërcënime. “U njoha me lajmin e zakonshëm të djegies të flamujve të PD nga eksponentë ose militantë të frymëzuar nga pjesa më e egër e PS në lagjen “ Partizani”. Kjo për PS është një ngjarje e zakonshme, pasi PS që në fillim të fushatës ka aplikuar një lloj terrori psikologjik duke luftuar me simbole dhe flamuj, si edhe duke kërcënuar nëpërmjet telefonatave. Doja të thoja se në PS ekziston një skalion pune i cili nismën dhe vazhdën e ka që nga data 21 janar. Edhe një herë përsëris thirrjen duke i kërkuar këtyre njerëzve të ruajnë qetësinë, dhe këtë qetësi ne duam ta gjejmë në Korçë Elbasan-Tiranë, dhe këta kandidatë të përgatisin lënien e postit, pasi kanë treguar që nuk janë qytetarët tanë të parë. Ndërkohë PS nëpërmjet deputetit Ilir Bejtja ka dalë në një deklaratë për shtyp duke I cilësuar akuzat një farsë elektorale. “ Ne jemi kundër klimes, kundër çdo lloj mesazhi që ne kemi transmetuar në këtë fushatë elektorale. Asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është në stilin tonë një akti i tillë. Simbolet janë të shenjta dhe ne do ti respektojmë kushdo qofshin këto. Përsa i përket anatemimeve që ne jemi të dhunshëm mua më duket qesharake, socialistët janë ata që kanë vrarë në 21 janar 4 njerëz, socialistët janë ata që kanë vrarë 26 njerëz në Gërdec, socialistët janë që kanë lënë 1 milion vetë të papunë apo lojëra me qendrat e votimit, duke nxjerrë njerëzit në mitingje duke i marrë firmat? Kjo është e gjithë një farsë qesharake. Ne jemi forcë politike shumë e civilizuar. Socialistët janë të gatshëm ta mbrojnë votën e tyre dhe I ftojnë të dalin çdo ditë të gjithë qytetarët që të gjejnë emrat për një pjesëmarrje masive në votime”, ka përfunduar Bejtja. L. Lleshi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›