RCC: 48% e qytetarëve, frikë për një luftë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka publikuar barometrin për vitin 2024 dhe hedh dritë mbi perceptimet e publikut për sigurinë, qeverisjen dhe besimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu teksa prezantoi gjetjet, theksoi nevojën urgjente, sipas saj, për veprim.
“Sondazhi, i realizuar mes 6,000 respondentëve në të gjithë rajonin, ofron një pasqyrë komplekse: Vetëm 39% e qytetarëve bien dakord që Ballkani Perëndimor është një vend i sigurt për të jetuar, duke theksuar shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë; 48% e qytetarëve frikësohen se një luftë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor është e mundshme, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme; 59% e qytetarëve ndihen të sigurt personalisht, por pasiguri më të gjera rajonale mbeten; 36% identifikojnë depopullimin si një çështje të madhe, me 23% që planifikojnë ose janë në proces të emigrimit; 83% besojnë se korrupsioni është i përhapur, duke theksuar nevojën kritike për reforma në qeverisje”, tha ajo.
Referuar barometrit, Bregu i cilësoi gjithashtu urgjente gjetjet e dhunës me bazë gjinore.
“66% e grave identifikojnë dhunën në familje si një kërcënim të rëndësishëm dhe 54% e shohin ngacmimin seksual si një shqetësim real. Sipas statistikave të disponueshme në rajon, mesatarisht, një grua vritet në rajon çdo javë. Këto nuk janë vetëm statistika; janë thirrje për veprim. Siguria e grave është një themel i çdo shoqërie të sigurt dhe të drejtë”, shtoi ajo.
Majlinda Bregu gjithashtu reflektoi mbi arritjet e RCC gjatë mandatit të saj, duke theksuar përparimin në fushën e sigurisë kibernetike, kontrollin e armëve dhe bashkëpunimin rajonal duke deklaruar se po kontribuojmë në një Europë më të qëndrueshme dhe të bashkuar.
RTSH