E Diel, 1 Nëntor 2026

RENEA në burgun 313, dyshime se Dritan Dajti do arratiset

Police ne burgun 313Telenovela Dritan Dajti kryqëzon drejtësinë Shqiptare duket se po vazhdon me surprizën e radhës, ku i akuzuari për vrasjen e katër efektivëve të Policisë në Durrës, edhe përtej dyerve të Gjykatës ka vënë në lëvizje të plotë Policinë e Shtetit dhe për më tepër ka angazhuar forcat speciale RENEA, që të jenë në gadishmëri të tij. Me një urdhër të veçantë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që prej 20 ditësh, ka urdhëruar një grup të posaçëm të forcave speciale RENEA në ambientet e brendshme të burgut 313 në Tiranë për të ruajtur Dritan Dajtin. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se prezenca e forcave speciale lidhet me një informacion të mbërritur në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm se një prej të burgosurve VIP ka planifikuar arratisjen gjatë muajve korrik-gusht. Burime nga policia konfirmojnë se bëhet fjalë për të dënuarin Dritan Dajti, i akuzuar për masakrën e Durrësit, ku u vranë katër policë në gusht të 2009-ës. Mësohet se prej gati 20 ditësh një grup i forcave speciale RENEA me tre turne janë dislokuar në ambientet e brendshme të burgut të sigurisë së lartë 313, ku qëndrojnë kryesisht në oborrin e burgut dhe vërejnë çdo lëvizje të Dajtit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ende nuk jepet informacion i detajuar për planin e arratisjes së tij, që është zbuluar nga informacionet e SHKB-së. Kujtojmë se në burgun 313, i cili konsiderohet edhe burg i sigurisë së lartë, vuajnë dënimin disa prej të akuzuarve më të rrezikshëm, që ende janë në gjykim në çështjet më të përfolura si Dritan Dajti, Ilir Xhakja etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›