RENEA rrethon burgun 313 pas fjalëve se do arratiset Dajti: Skam mundësi dhe as plan të arratisem
Një thashethem i përhapur birucave të burgut 313 ka alarmuar Policinë e Shtetit.
Dritan Dajti do të arratiset nga burgu.
Kaq ka mjaftuar që një grup i forcave speciale RENEA të rrethojë burgun 313 në Tiranë.
Prej ditësh janë shtuar masat e sigurisë në burg, ku është i izoluar i akuzuari i vetëm për vrasjen e katër efektivave të operacioneve speciale në Policinë e Shtetit.
Burime jozyrtare të policisë thonë se urdhri për shtimin e forcave të sigurisë është dhënë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative të një plani për arratisjen nga burgu të Dritan Dajtit.
Informacioni është siguruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ku thuhet se plani i arratisjes do të zbatohej gjatë këtyre ditëve, që në fakt përkon dhe me 4 vjetorin e vrasjes së katër efektivave.
Ndërsa burgu 313 është në rrethim, Dritan Dajti ka mohuar të jetë protagonist i një plani arratisjeje në një prej burgjeve me sigurinë më të lartë në vend.
I kontaktuar nga TemA, i akuzuari për vrasjen e policave thotë se as nuk ka mundësi dhe as nuk ka plan të arratiset nga burgu. Dajti ka deklaruar se lajmet për plane arratisjeje janë inskenime të njerëzve të caktuar në Policinë e Shtetit.
Sipas tij, prej një muaji qarkullojnë thashetheme të tilla.
Më 7 gusht mbushen katër vjet nga vrasja e katër efektivave të policisë gjatë një operacioni për arrestimit e Dritan Dajtit. Drejtësia ende nuk ka thënë fjalën e saj.
Procesi i gjykimit të kësaj dosje është thuajse i pezulluar dhe rasti është përfshirë në skandalet e drejtësisë shqiptare. Dritan Dajti duket se ka një strategji të qartë jo vetëm të tallet me drejtësinë shqiptare, por dhe denigrojë dëshmitarët e vetëm që e akuzojnë atë si autor të vrasjes së Fatos Xhanit, Kastriot Feskajt, Sajmir Duçkollarit dhe Altin Dizdarit./l.ç