Braçe: Fullanit i është zgjidhur gjuha kundër Berishës, sepse ka frikë për shkeljet që ka bërë
Deputeti socialist, Erion Braçe, shprehet se Guvernatori Ardian Fullani, e ka zgjidhur gjuhën kundër kryeministrit në largim, Sali Berisha, sepse ka frikë për ato që ka bërë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka “zgjidhur gjuhën” dhe “po e bën me dhëmbë” kundër Sali Berishës.
Veçanërisht për financat publike të rrënuara dhe borxhin publik jashtë çdo kufiri ligjor.
Të gjithë po pyesin: Pse tani? Pse nuk foli kurrë sa ishte Berisha fuqiplotë? Po ua them unë: Ka frikë për veten në raport me ligjin, shprehet deputeti socialist.
Braçe i referohet një raporti, i cili tregon gjithë shkeljet skandaloze të Guvernatorit Fullani, i cili tashmë po bën të gjitha përpjekjet që ti hyjë në zemër kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama.
Kam përpara një raport, i zi sterë dhe që konfirmon qartësisht paligjshmërinë e veprimeve të tij:
Në financimin direct të qeverisë së Sali Berishës përtej nivelit 5% të të ardhurave vjetrore të qeverisë.
Në prishjen e kalendarit të tregtimit të bonove të thesarit, të vendosur më parë, me qëllim financimin tej planeve e në shproporcion skandaloz përgjatë gjithë vitit, të huamarrjes së qeverisë, sipas nevojave politike të saj.
Në prokurimet publike, të cilat janë kryer në pavarësi të plotë nga ligji i prokurimeve, porn ë shkelje edhe të vetë rregullores së prokurimeve të Bankës së Shqipërisë. Madje madje, duke mos arshivuar dokumentacionin e plotë të çdo procedure prokurimi.
Në pagesat marramendëse për qera të ambienteve, në kushtet kur kontrata e rikonstruksionit dhe gjerimit të ambienteve të Bankës së Shqipërisë dhe më tej Hotel Dajtit, kanë dalë jashtë çdo afati, duke shkaktuar dëm, i cili nuk llogaritet në kurriz të firmave, por paguhet nga vetë banka.
Në rrogat marramendëse e jashtë çdo limiti të Bankës së Shqipërisë, Guvernatorit, zëvendësguvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, rroga të cilat kalojnë disa herë rrogën më të madhe publike në këtë vend, rrogën e Presidentit të Republikës, rroga që vijojnë të rriten, pavarësisht krizës.
Në dietat për udhëtime jashtë shtetit, dieta si ajo e Guvernatorit, që kalon me tre herë dietat e Presidentit të Republikës, dieta si ajo e nënpunësve të Bankës së Shqipërisë, që janë të barabarta me dietën e Presidentit të Republikës, shprehet Braçe.
Tashmë mbetet të shihet nëse qeveria e re do të ketë vullnetin për të hetuar veprimtarinë e Guvernatorit Fullani, pas akuzave të rënda që i ka bërë vetë për vite me radhë, me në krye pikërisht deputetin Braçe, një prej denoncuesve më të mëdhenj të shkeljeve të Fullanit./b.l