REPORTAZHI/ Disa shqiptarë mendojnë për ndryshimin e kombësisë për përfitim
Nga Linda Karadaku, Southeast European Times
Greqia mund të jetë duke u mbytur në borxhe dhe plot me protesta që vijnë nga masat shtërnguese jo të admiruara, por kjo nuk ka frenuar mijëra shqiptarë që të përpiqen për të pretenduar trashëgiminë greke dhe të ndryshojnë zyrtarisht kombësinë e tyre.
Shtytja është një premtim për përfitime që u jepen atyre në shtetin fqinjë. E përditëshmja shqiptare Shekulli ka njoftuar se këto përfshijnë një pension prej 400 euro në muaj.
“Eshtë e turpshme që shtetasit shqiptarë nuk janë krenarë për kombësinë e tyre dhe për shkak të motiveve financiarë kërkojnë t’a ndryshojnë atë. Eshtë e papranueshme që ky proces të përfundojë për shkak të pazarit politik-financiar,” tha Zëvendës/Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu.
“Unë di mjaft raste të njerëzve që morën dokumentë grekë për të përfituar dhe ata janë më shumë lloji i njerëzve që kanë gjetur mënyra të tjera për të marrë dokumentët dhe jo duke ndjekur rrënjët e parardhësve të tyre,” i tha SETimes grekja shqiptare Adela Jani, 28 vjeç.
Jani është drejtoresha e Enterprise Systems & Business Intelligence Section, në Albanian Mobile Communications. Lindur nga një nënë greke dhe baba shqiptar, ajo ka dokumentë nga Greqia, leje të përherëshme për të jetuar dhe punuar në vend, por nuk e ndryshoi kombësinë shqiptare të saj në greke. As i jati i saj nuk bëri kështu.
Ata nuk janë të vetmit. Një lëvizje është duke u zhvilluar nga një grup që e quan veten Aleanca Kuq e Zi, që i kundërvihet me forcë ndryshimit të shtetësisë.
Ajo ka drejtuar gjithashtu një peticion që ka për qëllim eleminimin e pyetjeve rreth etnisë dhe fesë nga regjistrimi kombëtar, që do të zhvillohet në tetor.
Grupi thotë se mblodhi 20,000 firma nga anembanë vendit, që i paraqiti në parlament të mërkurën (22 qershor). Peticioni kërkon një referendum rreth zhvillimit të një rregjistrimi që përmban pyetje të tilla.
Gjykatat janë përfshirë gjithashtu. Në Korçë, një grup njerëzish janë duke u ndjekur penalisht sepse dyshohet se kanë ndryshuar kombësinë e tyre nga shqiptare në greke dhe pastaj kanë paraqitur dokumentët në konsullatën greke me qëllim që t’u jepet statusi i “homogjenëve”.
Spahiu ishte nga të parët që në shkurt dha alarmin rreth ndryshimeve të kombësisë, duke thënë se një dukuri e tillë duhet të ndalohet.
Spahiu vë në dukje se shumica e kërkesave erdhën nga shqiptarë në Korçë, Gjirokastër dhe Përmet. Ai tha se këto ndryshime të mundshme të konsiderueshëm të kombësisë shkelin kushtetutën dhe fajësoi një keqinterpretim të një ligji të miratuar më 2002, të konsideruar të butë lidhur me ndryshimin e kombësisë.
Javë më parë, ai tha se ishin 192 raste të tillë në Korçë, 1,600 në Gjirokastër dhe 469 në Përmet. Spahiu u zotua se secili prej tyre do të shqyrtohet gjatë takimit të ardhshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe vuri në dukje se ndryshime të tillë në shtetësi mund të fryjnë në mënyrë artificiale përmasat e bashkësive të pakicës përpara rregjistrimit.
Ishte konsulli grek në Korçë, Theodhoro Ikonomus, që shkaktoi një valë polemike në shkurt kur u bëri thirrje të gjithë njerëzve që të deklaronin etninë e tyre.
“Po, grekë ekzistojnë në Korçë. Po, vllehët janë grekë. Grekë, mos u trëmbni nga rregjistrimi, shpallni origjinën tuaj të vërtetë,” bëri thirrje Ikonomus në një fjalim të transmetuar më pas nga media shqiptare.
“Nëse jeni në dyshim,” u bëri thirrje atyre “shkoni dhe kontrolloni emrat dhe gjuhën në varret e parardhësve tuaj.”
Prifti vllah në Korçë e kundërshtoi menjëherë deklaratën si të papërgjegjshme.
“Konsulli më kërkoi të deklarohesha si një vllah grek për të më dhënë viza. U ndjeva i persekutuar. I thashë se jam një vllah shqiptar dhe nuk më dha vizat,” i tha Atë Dhimitër Veriga TV shqiptar News 24.
Pakica maqedonase reagoi gjithashtu. Vasil Sterjovski, kryetari i Shoqatës Maqedonase, i hodhi poshtë komentet si “të papranueshëm dhe dëmtues për bashkësitë që jetojnë në Shqipëri. E konsiderojmë këtë një ndërhyrje në çështjet e brendshme të Shqipërisë,” u tha Sterjovski mediave vendase.
Ministria e Jashtme shqiptare thirri ambasadorin grek në Shqipëri Nikolas Pazios, duke kërkuar sqarim për komentin e Kamarinos. “Ministria e Jashtme e bëri të qartë qëndrimin e saj ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur ato të papranueshme. Deklarata të tilla nuk pasqyrojnë përmbajtjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe ndikojnë në frymën e miqësisë midis të dy vendeve,” tha ministria në një njoftim për shtyp më pas.
“Nuk dua keqkuptime dhe dua të jem shumë i qartë për qëndrimin e Greqisë në këtë çështje. Mund t’ju them se e konsiderojmë pakicën greke etnike në Shqipëri si një urë bashkëpunimi dhe miqësie midis dy vendeve dhe dy popujve,” u tha gazetarëve në Athinë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Gregori Delavekuras.
Ai i bëri thirrje Tiranës që të përmbushë detyrimet e saj ndaj pakicave si një kusht paraprak për integrimin europian. “Kjo përfshin respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në të gjithë territorin e Shqipërisë, jo të kufizuar vetëm në zonat e pakicave,” tha Delavekuras.
Politikani veteran shqiptar Sabri Godo i tha së përditëshmes shqiptare Telegraf se kombësia nuk mund të ndryshohet dhe “duhet t’a mbrojmë atë ide.” “Ata që e kanë projektuar këtë do të kuptojnë më mirë se shumica e shtetasve nuk e pëlqejnë atë. Dhe një ligj që shumica e shtetasve nuk e do, duhet të ndryshohet sepse shtetasit nuk mund të ndryshojnë,” tha Godo.