E Diel, 1 Nëntor 2026

RIKTHIMI I SIR TONY BLAIR

Ditën që Irlanda tha "po-në" e vet për Traktatin e Lisbonës Tirana jonë bëri një festë të madhe. Krerët na thanë se Irlanda e afroi më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian. Kurse miku nga Praga, President i vendit, në të njëjtën ditë, e cilësoi "një vendim tragjik" dhe mundësinë e lehtësimit të procesit të zgjerimit prej votës së Islandës thjesht "një marrëzi".

Prej kohës kur Bashkimi Europian vendosi të bëjë një hap të ri përpara dhe të forcojë integrimin, duke hartuar një "kushtetutë europiane" deri në miratimin e Traktatit të Lisbonës prej Islandës kanë kaluar disa vite dhe kanë ndodhur shumë ndryshime. Vetë dokumenti themelor nuk quhet më kushtetutë, por traktat për funksionimin e Europës së re. Shtetet dhe kombet e bashkësisë, duke e refuzuar në votimin e parë këtë dokument, që do të jetë themeli juridik i së ardhmes, ndikuan që të ndodhnin ndryshime jo të vogla. Parimi bazë mbi të cilin nisi jetën Bashkësia Europiane, parimi i njëzëshmërisë, i unanimitetit (të gjithë votë - të gjithë veto) nuk do të jetë më. Bashkë me të, edhe konsensusi. Në Europën e ardhshme, vendimet do të merren përmes një zgjidhjeje të re, që quhet "co-decision", bashkëvendosje. Se ç‘përfaqëson bashkëvendosja, është shpejt për ta kuptuar. Por një gjë është shumë e qartë: Ajo që i pati thënë Hans-Dietrich Genscher presidentit të dikurshëm të vendit R. Alia, që Bashkimi Europian është federata e barazisë tërësore të shteteve dhe popujve; është federata ku Luksemburgu dhe Franca, Malta dhe Spanja, Holanda dhe Britania, kanë të njëjtën votë dhe të njëjtën veto, tashmë është diçka që i takon historisë. Këtej e tutje nuk do të jetë më kështu. Do të ketë vende që mund t‘u cenohen interesat dhe do të votojnë kundër, por kjo nuk do ta pengojë funksionimin e Europës së Bashkuar, sepse unanimiteti nuk është më i domosdoshëm.

Po cilat do të jenë vendet më të rrezikuara në interesat e tyre për shkak të hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, të cilin tashmë kanë mbetur pa e ratifikuar vetëm çekët dhe polakët? Logjikisht duhet të jenë ato vende që i kanë rezistuar ratifikimit, që duan garancinë e unanimitetit në vend të pragmatizmit të co-decision-it. Prova nëpër të cilën kaloi Europa e Bashkuar këto kohë qe pikërisht kundërshtimi i popujve dhe shteteve të vogla. Natyrisht, me përjashtim të Shqipërisë, sepse me sa duket shteti dhe shtetarët e saj nuk kanë interesa strategjike dhe nuk e kanë shtruar ndonjëherë pyetjen se çfarë do të humbin me ndryshimet në funksionimin e bashkësisë. Dhe prandaj, ndryshe nga çeku realist, shqiptari ynë që qeveris shpërthen në një gëzim të marrë. Tani do të jemi më afër Europës. Irlanda votoi dhe për ne!

Nuk është e rastit që, pikërisht në kohën kur Bashkimi Europian po bëhet gati të ndryshojë parime qeverisjeje në kontinentin e vjetër kanë dalë në skenë organizime brenda bashkësisë. Një prej tyre është rikthimi i "Grupimit të katërshes", apo G-4, që po shfaqet si një nismë ndryshe prej G-7-ës. Pse do të krijohet G-4-a, pikërisht në kohën kur Europa e Bashkuar po bëhet gati për të marrë vendime me shumicë votash dhe jo me njëzëshmëri; pse po dalin në skenë pikërisht ato që historianët i kanë quajtur "Fuqi të mëdha", kur në BE nuk duhej të kishte fuqi të mëdha a të vogla, kjo është një pyetje që njerëzit duhet ta mendojnë seriozisht. Natyrisht se G-4-a nuk krijohet për të mbrojtur interesat e irlandezëve dhe të çekëve - interesat e shqiptarëve tashmë dihet, janë në duar të sigurta - por për të kontrolluar vendimmarrjen.

Një ndryshim historik po ndodh në funksionimin e Europës së Bashkuar. Nëse deri në fund të këtij viti ajo është dhe do të jetë federata e kombeve të lira, prej hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës nuk do të jetë më e tillë, por federatë e qytetarëve të lirë. Shkurt, Shtetet e Bashkuara të Europës tashmë edhe në formën e jashtme po ndjekin modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku qysh në krye të herës ka pasur një komb - jo kombe të barabarta - dhe shtetas të lirë e me shanse të barabarta. Pasi vendet anëtare lanë në historinë e së shkuarës kufijtë, monedhën kombëtare, doganat, tani po bëhen gati të heqin dorë edhe prej disa interesash të tjerë lokalë.

Bashkë me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës mbyllet përfundimisht edhe periudha historike e kryesimit të Bashkësisë Europiane me sistemin e rotacionit: gjashtë muaj presidencë suedeze, gjashtë muaj presidencë sllovene, gjashtë muaj presidencë çeke. Së paku çekët, sllovenët dhe sllovakët e pakët si shqiptarët e provuan shijen e kryesimit të Shteteve të Bashkuara të Europës. Shqipëria dhe të tjera vende që do të jenë pjesë e bashkësisë së këtyre shteteve një shans të tillë nuk kanë për ta prekur. Dhe kjo është humbja më e vogël. Mbase vërtet shqiptarët nuk e kanë merituar të qeverisin përkohësisht Europën, përderisa nuk po dinë të qeverisin veten e tyre. Por nuk mbaron me kaq. Kështu është kur historia të dënon duke qenë i fundit. Shqipëria do të ketë një portë të hapur drejt bashkësisë që ëndërron në një kohë kur vota e saj nuk do të ketë vlerë as për lobbyng, jo më për të kushtëzuar diçka më shumë. Të paktën "fuqitë e mëdha" të kohës së re nuk e kanë në përbërje të tyre Rusinë. Ja një ngushëllim për të qenë!

Që Europa e Bashkuar po i jep fund qeverisjes me rotacion, kjo mund të ketë ardhur jo vetëm për pragmatizëm, për të lehtësuar funksionimin e saj dhe për të mundësuar zhvillime strategjike, por edhe prej vlerësimit të përvojave historike. Në Europën e shekullit të 20-të vendi i vetëm i qeverisur me rotacion ka qenë Jugosllavia, dhe dihet mirë se si shkoi fati i saj: dezintegrimi dhe lufta ndëretnike. Shpërbërja nuk është ndonjë kërcënim i dukshëm për Europën e re, por njëfarë mosmarrëveshjeje është gjithnjë e më e qartë. Pikërisht për këtë arsye, bashkë me zgjedhjen e presidentit të parë të Bashkimit Europian për një periudhë 5-vjeçare, institucionet e bashkësisë kanë krijuar edhe instrumentet e kompromisit, lëshimeve, ndoshta dhe të presioneve. Pranë Komisionit Europian (European Commission), që kontrollon buxhetin e federatës, do të jetë në veprim ajo që mund të quhet "confesional room", dhoma e rrëfimit, ku vendet kundërvotuese do të kenë mundësi të shqiptojnë para presidentit të Europës kërkesat e tyre në këmbim të ndryshimit të qëndrimit, si një përpjekje e fundme për konsensus dhe unanimitet. Por shanset për t‘i dhënë vlerë votës kundër në këtë dhomë rrëfimesh, ku nuk do të ketë as protokoll, as verbal, as mikrofona dhe as komente e zëdhënës do të jenë fifty-fifty: zgjidhja mund të jetë më mirë një votë kundër (tek e fundit a nuk merren vendimet me co-decision) se një lëshim për hir të unanimitetit formal. Por sa janë të përgatitur qeverisësit e Shqipërisë për të propozuar kërkesa e lëshime në këmbim të votës së saj? Jo, kjo është e tepërt: ata mendojnë - në Europë pa asnjë kusht, pa asnjë kompromis.

Në gjithë këtë histori ndryshimesh rrënjësore që po ndodhin në karakterin e Europës së Bashkuar, e cila nuk është dhe nuk do të jetë më ajo e romantikut R. Schuman, por e pragmatistëve të shekullit të 21-të, një gjë është shenjë e mbarë për popullin shqiptar. Tani për tani, i vetmi kandidat për të kryesuar në 5-vjetëshin e parë të presidencës europiane është një mik i Shqipërisë dhe i Kosovës, një mik i sinqertë i shqiptarëve: Sir Tony Blair. Të gjitha të dhënat janë që ish-kryeministri simpatik i "mbretëreshës së detrave" do të rikthehet në skenën politike me një rol të ri, si një figurë konvergjence dhe e padiskutueshme. Në fillimin e vitit të ri 2010 shqiptarët gjithashtu do ta quajnë president të tyre Sir Tony Blair-in, të cilin e kanë pritur me dashuri të sinqertë. Jo vetëm në art, dije dhe kulturë ka mirënjohje. Edhe politika di të shprehë mirënjohjen e saj. Rasti i Sir Tony Blair, që e filloi karrierën e vet si një lider popullor i britanikëve dhe e mbylli me prekjen e skeptrit të mbretëreshës, është pohimi i mirënjohjes në politikë. Të fillojmë edhe ne të mësonim cazë nga kjo sjellje e fisme e botës së re europiane!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›