E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëreshë në Itali, Hirushe në Europë

"Nuk kemi të bëjmë me një mallkim". Në këtë mënyrë Zhoze Murinjo ka nxituar t‘i përgjigjet pyetjes së një gazetari rreth rezultatit 2-2 që Interi arriti me Dinamon e Kievit. Kjo ishte ndeshja e tetë radhazi pa fitore në Ligën e Kampioneve (5 barazime dhe 3 humbje). Këto ishin fjalët e fundit të trajnerit luzitan përpara largimit nga "Meaca", pas një mbrëmjeje të filluar keq dhe që u mbyll me një barazim. Tashmë zikaltërit duhet të luftojnë me të gjitha forcat për të arritur objektivin, që deri pak javë më parë cilësohej si i sigurt: kualifikimin në fazën e 1/16 të Champions. Justifikimi i përdorur së fundmi nga drejtuesit e Interit është se skuadra luan në grupin më të vështirë të këtij edicioni, ku garojnë katër skuadra që kanë fituar kampionatet respketive (e mes tyre janë edhe kampionët në fuqi të Europës). Është e vërtetë se Rubin Kazani (i cili bëri surprizën duke fituar në "Kamp Nou") dhe Dinamo e Kievit kanë fituar titujt në Rusi e Ukrainë, por duhet theksuar se këto dy liga nuk janë pjesë e kampionateve më të rëndësishëm në kontinent. Masimo Morati nuk ndihet i zhgënjyer me barazimin: "Nuk jam as i zemëruar dhe as i zhgënjyer, pasi grupi ku luajmë është shumë i vështirë. Të katërta skuadrat janë kampione në vendet e tyre. I kishim të qarta vështirësitë me të cilat do të përballeshim ne dhe Barcelona. Në Champions, të gjitha skuadrat janë të barabarta". Presidenti zikaltër nuk bën asnjë kritikë për ekipin: "Rendimenti më i keq që Interi ka Europë në krahasim me Serinë A mund të shpjegohet me faktin se këtu kemi të bëjmë me ndeshje të drejtpërdrejta, ku një gabim e komplikon dukshëm ecurinë. Nëse kundër Dinamos do të kishim shënuar gola të tjerë, tani do të flisnit ndryshe". Edhe Murinjo kapet pas episodeve për të shpjeguar faktin që në Champions italianët nuk kanë forcën e zakonshme. I vetmi që ka guximin të flasë hapur për problemet e skuadrës është lojtari i vetëm i Interit që e njeh mirë Ligën e Kampioneve. Samuel Eto‘o, dy herë fitues i trofeut më prestigjioz për klube me Barcelonën nuk kërkon justifikime. "Deri në këto momente kemi luajtur gjithmonë keq në pjesën e parë. Nëse dëshirojmë të kalojmë fazën e grupeve, duhet të përmirësohemi në këtë këndvështrim", deklaroi sulmuesi kamerunas.

Interi nuk fiton në Champions prej 22 tetorit 2008 (1-0 me Anorthosis) dhe nuk shënon golin e avantazhit në Europë prej 4 nëntorit 2008 (rrjeta e avantazhit të përkohshëm 3-2, gjithmonë kundër qipriotëve). Në Itali, zikaltërit regjistrojnë rezultatet më të mira jashtë fushe, kur kanë shumë hapësira për të kundërsulmuar. Por, në aktivitetet ndërkombëtare fitojnë gjithmonë ata që i imponojnë kundërshtarëve ritmin e lojës, si bëjnë Barcelona dhe Mançester Junajtid. Pikërisht kjo është dobësia e skuadrës së Murinjos (në 15 minutat e para të sfidës me Dinamon e Kievit, topin e kanë mbajtur vetëm ukrainasit). Problemi është vënë në dukje prej barazimit 0-0 me Barçën, ku disa prej lojtarëve zikaltër kanë theksuar se ekziston çështja e qarkullimit të topit: një Serinë A kjo ka peshë, ndërsa në Europë është "vdekjeprurëse". Përpara ndeshjes, trajneri portugez tentoi të largonte presionin nga lojtarët, megjithatë kjo nuk solli rezultatet e kërkuara. Murinjo e ka të qartë se rroga e tij, 11 milionë euro neto në sezon (pa llogaritur shpërblimet) ka vetëm një arsye: të udhëheqë Interin drejt suksesit që mungon prej vitit 1965. Por, situata nuk është ndër më komodet, pasi seria pa fituar asnjë ndeshje në Champions zgjat prej një viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›