E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo më hakmarrje tatimore ndaj biznesit

T‘i paguash taksat nga shtëpia ose zyra! Mjafton të kesh kompjuter me internet dhe e gjitha përfundon brenda pak minutash. Radhët e gjata në tatime dhe banka, koha e humbur për të dorëzuar formularët, stresi dhe kontaktet me tatimorin, shumë shpejt do t‘i përkasin së shkuarës. "Puna jonë e madhe do të jetë me deklarimin e të ardhurave personale dhe faturat". Kreu i Tatimeve, Artur Papajani, rrëfen për "Shqip" raportet me biznesin dhe ndryshimin e mentalitetit, pasojat e krizës, falimenti dhe kasat. "Iku koha kur ndaj biznesit kishte hakmarrje tatimore", thotë kreu i Tatimeve, i cili flet edhe për rastet e korrupsionit dhe denoncimet ndaj tij.

Z. Papajani, për herë të parë u duk se në zgjedhjet e 28 qershorit politika nuk u mor shumë me tatimet. Çfarë ndodhi?

Ndodhi një gjë normale. Në momentin kur ministri i Financave më propozoi marrjen përsipër të kësaj detyre që kam sot, u mendova shumë pak. Kjo, për faktin se nga hierarkia e Ministrisë së Financave kisha gjetur një mbështetje të vazhdueshme. Sidomos te ministri Bode kam gjetur një mirëkuptim të plotë, sepse me firmën e tij janë miratuar disa ide të miat që i kam pasur me kohë, duke punuar për organet fiskale të vendit. Kështu që nuk kisha mëdyshje për ta marrë përsipër këtë detyrë.

Por kjo nuk justifikon faktin që politika nuk preku tatimet në zgjedhjet e fundit...

E justifikon, pse me të marrë detyrën, Kryeministri Berisha më thirri në zyrën e tij dhe më tha: "Nga organet fiskale shqiptare dua ta zhduk termin politikë". Kjo ishte një mbështetje e madhe për mua, pse kisha kohë që punoja në stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe vullneti i Kryeministrit krijonte ambientin e duhur për të vënë në jetë disa ide teknike që kisha për rritjen e profesionalizmit në punën e tatimeve.

Kjo periudhë është e vështirë për ju, pasi po përballeni me pasojat e krizës botërore. Si paraqitet situata?

Në fakt, trysnia mbi tatimet është vërejtur që në gjysmën e parë të këtij viti. Ishin presione ekonomike. Jemi hasur me trysninë e eksportuesve tanë. Presioni i tyre ishte i ndjeshëm. Kemi pasur vështirësi, si organ tatimor. Vështirësitë ishin reale, pse preknin marrëdhënien që ata kishin me administratën tatimore. Një marrëdhënie e vështirë, e trashëguar. Kishim problemin e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) me të gjithë klasën e eksportuesve. Vonesat në rimbursim, duke pasur parasysh edhe vështirësitë që ata hasnin me krizën, ishin kthyer në shumë problematike. E zgjidhëm shpejt, duke rimbursuar në kohë. Trysnia e dytë ishin zgjedhjet e 28 qershorit. Si në çdo vit elektoral, presioni ndaj financave ishte i ndjeshëm. Kam 18 vjet në tatime dhe mund t‘ju them se trysnia është shumë e fortë. Këtë vit, për mua ishte ndryshe, pse ndodhesha në krye të strukturës. E quajta detyrën time kryesore të ruaja profesionalizmin në të. Ishte e vetmja mënyrë për të mos iu dorëzuar politikës dhe për të zbatuar vullnetin e Kryeministrit. Kështu që konstatimi juaj se politika u mor pak ose asfare me tatimet në zgjedhje, për mua nënkupton që kjo detyrë u krye.

Reforma në tatime, term i dëgjuar shpesh nga krerët e qeverisë. Në fakt, çfarë nënkupton?

Në mbledhjen e parë të qeverisë, e cila zgjati vetëm pesë minuta (qeveria bëri betimin) u përmend edhe reforma fiskale. Kjo për ne tatimorët është shumë e rëndësishme. Jemi përpara një ndryshimi thelbësor për ne, që lidhet me tatimin mbi të ardhurat. Pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi është dixhitalizimi i sistemit tatimor. Këto dy detyra do t‘i mbajnë shumë të zëna me punë strukturat tona tatimore në 4 vitet e ardhshme. Reforma nënkupton modernizim. Shqipëria është ai vend në rajon që ka barrën më të ulët fiskale. Në këtë këndvështrim, nuk do të ndodhë gjë për një vit. Por ndryshimi i mirëfilltë është modernizimi, lehtësimi i procedurave për biznesin që paguan detyrimet tatimore. Pakësimi në maksimum i kohës për të paguar detyrimin. Me fjalë të tjera, dixhitalizim tërësor i sistemit. Këtë do ta mundësojmë nëpërmjet deklarimit elektronik të rezultateve të veprimtarisë së biznesit. Kemi kontakte me administratat e vendeve fqinje. Jemi në një nivel me ata, ose edhe më të avancuar. Kemi kontakte edhe me administrata tatimore të vendeve perëndimore dhe mund t‘ju them se me dixhitalizimin e deklarimeve jemi në udhën e duhur. Shumë shpejt qeveria do të miratojë dhe dërgojë në Kuvend për ta kthyer në ligj detyrimin për taksapaguesit që deklarata tatimore të vendoset në internet online. Me këtë largohet përfundimisht "suporti i letrës", mundësia që bizneset të hyjnë në marrëdhënie ryshfeti me punonjësit e tatimeve, pse gjithçka do të jetë elektronike. Deklaratat tatimore do të shikohen në kohë reale në internet dhe do të kontrollohen lehtësisht. Ky përafrim do të vendoset nga Kuvendi si detyrim ligjor dhe do të fillojë që nga 1 janari 2010.

Disa biznese janë ankuar se organet tatimore po i falimentojnë, ndërkohë që ato kanë mundësi financiare për të vazhduar biznesin. Çfarë po ndodh?

Jemi në një ekonomi tregu. Falimentimi është dukuri e tij. Ndodh dhe do të ndodhë gjithmonë, për shkak të konkurrencës në treg. Interesi ynë si administratë tatimore është të mos ketë falimentime, pse me të pakësohen bizneset, pra subjektet që paguajnë taksat dhe na japin të ardhura. Por falimentime ka dhe do të ketë. Administrata tatimore përballet këtu me një detyrim ligjor, i cili është taksativ. Ndërkohë, ka disa analistë të ekonomisë që shprehen se tatimet kanë thyer ligjin. Nuk e kuptoj nga ç‘motive nisen që deklarojnë një kundërsens të tillë. Në fakt, ne kemi zbatuar Ligjin e Procedurave Tatimore, i cili është i prerë. Ai thotë se në rast se një tatimpagues rezulton për tre vite radhazi me bilanc negativ, pra me humbje, atëherë administrata tatimore është e detyruar që ta çojë dosjen e tij në gjykatë për të hapur procedurat e falimentimit. Ligji, nëse tatimet nuk e zbatojnë këtë detyrim, ka sanksione për punonjësit përkatës të fiskos. Këto sanksione disiplinore fillojnë me një vërejtje të thjeshtë dhe mbarojnë me largim nga puna të atij/asaj punonjëseje, deri dhe në procedim penal. Prandaj dhe ne si administratë tatimore thjesht kemi zbatuar ligjin. Kemi dërguar në gjykatë dosjet e bizneseve që rezultojnë me bilanc negativ për tre vitet e fundit. Çfarë ndodh në gjykatë? Asgjë e jashtëzakonshme. Tatimpaguesi do të ketë provat e tij. Do t‘i japë gjykatës planin financiar të kompanisë, investimet e kryera dhe do të justifikojë rezultatin ekonomik të veprimtarisë së vet. Administrata tatimore nuk ndërmerr asnjë veprim penalizues me këtë rast. As i bllokon aktivitetin tatimpaguesit, as llogaritë bankare. Thjesht dërgon një dosje në gjykatë.

Si ecën deklarimi elektronik, duke pasur parasysh përdorimin e internetit nga biznesi?

Mendoj se biznesi e njeh dhe e përdor gjerësisht internetin. Nga të dhënat që kemi nga departamenti ynë i Informatikës, rezulton se faqja jonë e internetit www.tatime.gov.al klikohet mjaft dendur. Është pikërisht tek interesi i biznesit për të paguar detyrimet përmes internetit. Më parë ka ndodhur që tatimpaguesi është sorollatur me orë të tëra nëpër zyrat e tatimeve për të tërhequr deklaratën tatimore. Tani atë ai mund ta sigurojë duke e shkarkuar në më pak se një minutë nga faqja jonë e internetit. Mundësia tjetër është që deklaratën ta mbushë "online" (pra drejtpërsëdrejti në internet nga kompjuteri) nga dritarja elektronike ku ofrohet ky shërbim i yni. Me gjithë dobitë e këtij sistemi të ri, vërej se biznesi ende nuk ka besim te dixhitalizimi. Kam zhvilluar takime me shoqatat e biznesit në shumë rrethe të vendit, për t‘i bindur për domosdoshmërinë e përdorimit të internetit në raportet me ne. Ende bizneset hezitojnë. Deri tani, vetëm 30% e tyre i bëjnë deklarimet tatimore "online". Ende shumica duan të shohin një letër me një vulë banke, që të sigurohen se deklarata ka mbërritur te ne. Ne po forcojmë mekanizmin e konfirmimit nga ana jonë për deklarimet tatimore "online", që biznesi të rrisë besimin te kjo formë. Nga ana tjetër, sikundër e përmenda më lart, i kemi propozuar qeverisë që nga data 1 janar 2010 nuk do të njihet me ligj asnjë lloj deklarimi tatimor me letër, përveç atij "online" nëpërmjet internetit.

Elementi që vendos një raport të qartë mes bizneseve dhe detyrimeve ndaj shtetit janë kasat e regjistrimit. E keni filluar ju instalimin e tyre?

Kasa e regjistrimit është një suport alternativ për vërtetësinë e transaksioneve ekonomike. Nuk është i vetmi. Ekziston edhe fatura tatimore, por kasa përdoret në marrëdhëniet që ka biznesi me konsumatorin e gjerë, në blerjet dhe shërbimet e përditshme. Është e detyrueshme me ligj që çdo transaksion që kryhet me para në dorë të kalojë nëpërmjet kasës regjistruese. Funksionimi normal i kasave është një operacion i vështirë. Do ta quaja një sfidë të vërtetë të administratës që drejtoj. Paraqet një sfidë, pse vendosja e tanishme e kasave përbën provën e tretë që administrata jonë po ndërmerr. Kemi dështuar dy herë me vendosjen dhe funksionimin normal të kasave. Herën e parë në vitet 1994-‘95. Herën e dytë në vitet 2000-2001. Kjo është hera e tretë dhe shpresoj të jetë e vërteta, e suksesshmja. Janë disa faktorë që më shtyjnë të jem optimist. Kësaj radhe kuadri ligjor është tërësisht i përgatitur, ndryshe nga dy herët e mëparshme. Tani kemi një ligj, kemi një vendim të plotë të Këshillit të Ministrave, kemi një udhëzim të detajuar të ministrit të Financave, të ripunuar dhe amenduar dy herë, për të respektuar të gjitha sugjerimet e palëve të interesit. Dhe më kryesorja, tani shitjen dhe mirëmbajtjen e kasave regjistruese e realizojnë kompani private. Deri tani ka qenë shteti që merrej me shitjen e pajisjeve fiskale dhe gjithnjë ka pasur te tatimpaguesit një "Pse?" ose "Por...", pra mosbesim. Tani pajisjet i shesin 5 kompani private të autorizuara nga Ministria e Financave. Nga ana tjetër, kemi një sistem të transmetimit direkt të të dhënave (ne e quajmë "GPRS"), një shërbim i mundësuar nga kompania celulare "Vodafone", i cili do të realizojë kalimin e të dhënave çdo dhjetë ditë nga kasat regjistruese te serveri qendror i administratës tatimore.

Problemi qendror (por që është i riparueshëm) që vështirëson procesin ka të bëjë me kërkesën e llogarisë për kuponin tatimor të kasës nga ana e konsumatorit shqiptar. Ne skuqemi dhe na vjen turp kur blejmë një mall, apo përfitojmë një shërbim, që t‘i kërkojmë shitësit kuponin tatimor. Duhet ta bëjmë këtë të gjithë, pse përfitimi do të jetë kolosal. Kam kryer vetë një verifikim dhe në orën dy të drekës, në një restorant serioz të Tiranës, jam shërbyer dhe kam kërkuar faturën. Ajo kishte numrin tatimor 2. Të jeni i sigurt se në atë orë të drekës dhe në një restorant aq të frekuentuar, duhej të kishte numrin 202. Pra, janë 200 klientë që janë shërbyer dhe shteti nuk di asgjë për këtë. Kështu që s‘mund të marrë atë që i takon. Ne mund ta ndihmojmë që ta marrë, duke kërkuar kuponin e kasës. Ja përse ndërgjegjësimi i konsumatorit është kusht shumë i rëndësishëm për suksesin e nismës. Ne kemi kërkuar eksperienca të ngjashme. Kemi qenë në Maqedoni, Rumani dhe Serbi. Autoritetet e këtyre vendeve e kishin futur ndërgjegjësimin për kërkimin e kuponit në arsimin tetëvjeçar, në formën e edukatës fiskale. Nuk është aspak vonë për ne të ndërmarrim edhe nisma të tilla.

Kur do të merrni rezultatet e para të kasave që po vendosni?

Rezultatet e para janë arritur, madje tej parashikimeve. Për Tiranën, që është një zonë pilot e jona, ofruesit kryesorë të shërbimeve ndaj konsumatorit, supermarketet dhe hipermarketet punojnë që të gjitha me pajisjet fiskale.

Ju i keni bërë thirrje biznesit, qytetarëve, por edhe vetë kolegëve tuaj tatimorë, që të denoncojnë tatimorët e korruptuar. Sa garanci ka biznesi që denoncon se tatimori i denoncuar nuk do të hakmerret?

E siguroj biznesin që është arritur edhe me ligj që nuk ekziston më hakmarrja tatimore. Biznesi ta harrojë këtë lloj hakmarrjeje. Më parë ka pasur kontrolle selektive, hakmarrje tatimore për interesa të caktuara, përfshirë edhe ato politike. Është bërë gjueti shtrigash ndaj grupeve të biznesit. Kjo përfundimisht nuk ndodh më. Kemi një ligj që u garanton të gjitha të drejtat tatimpaguesve. Mirëpo, edhe pse ka ligj, ndodh që prishet konkurrenca mes tatimpaguesve nga makinacione të ndryshme. Prandaj kemi futur tre muaj më parë një numër telefoni publik falas, me nr. 191, që shërben për të denoncuar tentativat korruptuese. Marrim nga 14-15 telefonata në ditë. Kryesisht denoncimet janë për evazion fiskal, për mosregjistrim të numrit të punonjësve dhe për aktivitetet pa leje. Ende nuk kemi denoncime të biznesit ndaj tatimorëve, apo të këtyre të fundit ndaj kolegëve të tyre.

Pse?

Unë i kam bërë një letër të hapur të gjithë administratës tatimore, gjithsecilit. Të mos ndruhen të denoncojnë kolegët e tyre, pse po të bashkëjetojnë me abuzimin apo korrupsionin, do të mbajnë edhe vetë përgjegjësi. Mendoj se ende nuk kemi denoncime të tilla, pse është e vështirë të gjesh prova. Mund të kesh dyshime, por ato duhet t‘i provosh. Letrën e bëra pikërisht për t‘u dhënë zemër atyre që duan të denoncojnë.

Ju ulët pragun e klasifikimit të biznesit të madh nga 8 milionë lekë xhiro në vit, në 4 milionë. Cili ishte qëllimi i ndryshimit?

Janë dy aspekte për t‘u marrë parasysh në këtë masë. I pari është administrativ. Për një periudhë të gjatë (nga marsi e deri në qershor 2009) kemi konstatuar me vrojtime të shumta që një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të regjistruara si biznes i vogël thjesht kanë mashtruar me deklaratat e tyre. Kjo për arsyen e thjeshtë se vetëm 10% e tyre deklarojnë se kanë të ardhura vjetore më shumë se 2 milionë lekë, në bilancet që paraqesin në muajin mars. Ne këto të dhëna i morëm me shumë vonesë nga pushteti vendor, pse një pjesë e madhe e njësive nuk bashkëpunon, ngaqë nuk kanë interes t‘u largohen subjektet tatimpaguese. U detyruam të kryejmë vetë operacione verifikuese me njerëzit tanë, duke filluar nga Velipoja, deri në Sarandë. Jemi përballur me të dhëna të çuditshme. Hotele me dhoma fjetjeje me 80-120 euro të regjistruara si biznes i vogël. Këto paradokse përbëjnë shtrembërim të hapur të konkurrencës.

Aspekti i dytë pse përgjysmuam pragun e biznesit të madh ka të bëjë me parimet e mekanizmit të Tatimit të Vlerës së Shtuar, i cili zbatohet jo vetëm te ne, por në 150 shtete të botës. Baza e këtij tatimi është aplikimi i tij mbi konsumin. Pra, çdo konsumator i fundit duhet të paguajë një taksë. Masa e taksës ka të bëjë me masën e TVSH-së, 20%. Këtë taksë, kur malli shitet nga biznesi i vogël (te ne si konsumatorë çmimi nuk ndryshon, pavarësisht nga e blejmë, nga biznesi i madh apo i vogël), shteti nuk e merr, por e merr tregtari. Prandaj për të ndrequr këtë deformim që i bëhet tregut, ne kemi ulur pragun e deklarimit të biznesit të madh.

A ka rol asistenca e huaj në reformën tuaj?

Ka një rol shumë të madh. Në rast se flasim sot për deklarime dhe pagesa tatimesh online, për llogari elektronike (tatimpaguesi mund të printojë nga kompjuteri i vet gjendjen e llogarisë së tij me tatimet), kjo është mundësuar dhe nga Programi i Objektivave të Mijëvjeçarit të USAID-it. Po ashtu, falë mbështetjes së USAID kemi realizuar analizën e riskut, me të cilën zhduket përfundimisht kontrolli selektiv. Po ashtu, në fushën e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, programi dhe ekspertët e SIDA, agjencisë suedeze, na kanë ndihmuar konkretisht dhe për vite me radhë. Ndërkohë, duke filluar nga janari 2010, administrata tatimore do të jetë përfituesja e një projekti me vlerë mbi 2 milionë euro nga fondet IPA të BE-së. Ky projekt do të rrisë kapacitetet tona institucionale dhe do të përputhë legjislacionin tonë fiskal me atë të BE-së. Paralelisht ne po zhvillojmë programe binjakëzimi me administratën fiskale franceze, me atë maqedonase etj.

Mund të na thoni z. Papajani, nga eksperienca juaj, a ka diçka që do të donit ta kishit kryer dhe nuk e keni realizuar dot?

Do të doja të kishim një sistem të duhur të vlerësimit të punës së njerëzve që merren me tatimet në Shqipëri. Vlerësimi të kryhej nga sistemi dhe jo nga subjekti në vartësi të të cilit punonjësi është. E dyta, do të dëshiroja motivimin maksimal të stafit. Kemi një boshllëk këtu. Kemi rënë dakord me ministrin e Financave që ta plotësojmë me shpejtësinë më të madhe të mundur këtë hendek.

Redaksia e Ekonomisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›