E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini, Metës: Mbështesim Shqipërinë

Italia do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj integruese. Ky ishte premtimi që dha dje ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. "Folëm për aplikimin për anëtarësim në BE, të paraqitur nga Shqipëria së fundmi. Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm në Luksemburg do të diskutoj përsëri transmetimin e shpejtë të aplikimit departamentit përgjegjës të Komisionit Europian, për të filluar procedurat të cilat shpresojmë të çojnë në njohjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Unë jam i bindur se vendimi për t‘i transmetuar dosjen Komisionit Europian nuk është një vendim politik. Ky vendim duhet të merret tani në nivel teknik dhe të zbatohet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së", theksoi Fratini. Një tjetër temë, sipas tij, ishte edhe regjimi i lirë i vizave. "Shqipëria po bën një progres shumë të dukshëm në lidhje me sigurinë e dokumentacionit, pasaportat biometrike, kontrollin e kufijve të saj të jashtëm. Këtë çështje e kam shumë për zemër, pasi siç e dini, unë e kam lançuar procesin e liberalizimit të regjimit të vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kur isha në rolin e zv.presidentit të Komisionit Europian", nënvizoi Fratini. Sipas tij, Shqipëria po i afrohet përmbushjes së të gjitha standardeve të kërkuara teknike për të pasur një regjim të lirë vizash. "Italia do të kundërshtojë gjithsesi zgjidhje që do ta linin Shqipërinë pas. Ne sapo kemi njohur progresin e bërë nga tre shtetet e tjera të Ballkanit: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat ka shumë mundësi që do të kenë një regjim të liberalizuar. Edhe Shqipëria duhet t‘u bashkohet atyre vendeve që arritën këtë rezultat të dukshëm dhe të prekshëm të regjimit të liberalizuar të vizave", u shpreh Fratini. Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe, Fratini tha se "duhet të mendojmë të organizojmë samite ndërqeveritare ndërmjet dy kryeministrave dhe disa ministrave nga të dyja palët". Ministri shqiptar, Ilir Meta, tha se "është shumë e rëndësishme për ne që të kemi rezultate të prekshme sa më parë që të jetë e mundur, si edhe është shumë e rëndësishme për ne dhe për popullin tonë, si qytetarë të një vendi i cili ishte më i izoluari në Europë 20 vjet më parë, për të pasur miratimin për liberalizimin e vizave me BE". Sipas tij, brenda pak javëve do të përmbushim të gjitha kërkesat e bëra në "road map" për liberalizimin e vizave. I pyetur gjatë konferencës për shtyp në lidhje me vizat, Fratini tha se "do të ketë së shpejti një përgjigje pozitive për Shqipërinë, sepse propozimi mbështetet në kushte teknike dhe jo politike". Të pyetur në lidhje me sektorin energjetik dhe rilançimin e sektorit bërthamor në Itali, Fratini tha se "është përfunduar kohët e fundit një praktikë në favor të një kompanie italiane, A2A, ndoshta ju e dini këtë, por ENEL është gjithashtu e interesuar të diskutojë mbi të gjitha çështje që prekin energjinë nukleare. Ne jemi duke diskutuar lidhur me të, por nuk kemi dalë ende në konkluzione përfundimtare mbi dyshime të mundshme". Meta tha nga ana e tij se "Italia ka luajtur një rol udhëheqës e shumë të rëndësishëm për të na ndihmuar të dalim nga kriza në këtë fushë dhe, gjithashtu ta reformojmë këtë sektor përmes Kooperacionit Italian".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›