E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

ROMË – Vatikani: Papa Françesku do të qëndrojë më gjatë në spital

ROMË, 17 shkurt /ATSH/- Papa Françesku po trajtohet për bronkit dhe do të qëndrojë në spital për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha sot Vatikani, sipas BBC.

Papa Françesku, 88 vjeç u shtrua në spitalin Gemelli të Romës të premten për t’iu nënshtruar trajtimit dhe analizave për bronkitin.

Në një njoftim, Vatikani tha se papa Françesku ka një “infeksion polimikrobial”, i cili ka kërkuar një ndryshim në trajtimin e tij.

Para shtrimit të tij javën e kaluar, papa Françesku kishte simptoma të bronkitit për disa ditë dhe kishte deleguar zyrtarë për të lexuar fjalime të përgatitura në ngjarje.

“Të gjitha analizat e kryera deri më tani janë tregues i një tabloje komplekse klinike që do të kërkojë shtrimin e tij në spital”, sipas deklaratës së Vatikanit.

Gjatë fundjavës, Vatikani tha se gjendja e papa Françeskut ishte e qëndrueshme dhe se atij i ishte thënë të bënte “pushim të plotë” për të ndihmuar në shërimin e tij.

Papa nuk ishte në gjendje të bënte lutjen e tij të rregullt javore të dielën në sheshin e Shën Pjetrit apo të drejtonte meshën speciale për artistët për të shënuar Vitin Jubilar të Kishës Katolike.

Të mërkurën e kaluar, papa Françesku i kërkoi një prifti të lexonte një pjesë të fjalimit të tij për shkak të vështirësive të tij me sëmundjen.

Ai gjithashtu mbajti takime në rezidencën e tij në Vatikan javën e kaluar në një përpjekje për të pushuar dhe për t’u rikuperuar.

Papa argjentinas ka shërbyer gati për 12 vjet si udhëheqës i Kishës Katolike Romake.

Ai kaloi më parë tre netë në të njëjtin spital në mars 2023 për trajtimin e bronkitit.

Në dhjetor të të njëjtit vit, ai u detyrua të anulonte udhëtimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe për samitin e klimës COP28 për shkak të sëmundjes.

Ai ka vuajtur një sërë problemesh shëndetësore gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë heqjen e një pjese të mushkërive në moshën 21-vjeçare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›