E Shtunë, 31 Tetor 2026

RTK e gjykon sjelljen e gazetarit Zeka

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), nëpërmes një komunikate, e ka gjykuar incidentin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë dhe pas një konference për media, dhe sjelljen e gazetarit Milaim Zeka.

“I kërkojmë falje publike gazetares Liridona Lluka-Gashi dhe të gjithë gazetarëve që janë ndier të fyer në këtë rast, por dëshirojmë t’ua sqarojmë të gjithëve se veprimet e gazetarit Milaim Zeka janë veprime të tij personale dhe në asnjë mënyrë nuk janë qëndrim i Radio Televizionit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Sylejman Shaqiri, drejtor i Përgjithshëm i RTK-së.

Menaxhmenti i RTK-së paralajmëron se do ta shqyrtojë rastin në hollësi e me kujdes dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat në përputhje me Rregulloret e RTK-së, me Standardet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në Programet e Radio Televizionit të Kosovës, duke zbatuar dispozitat që rregullojnë marrëdhëniet e RTK-së me të angazhuarit me kontratë mbi vepër.

Gazetari Zeka, dje gjatë një konference për gazetarë të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, pas kthimit nga një vizitë në Kuvajt, ka fyer rëndë kolegët e tij, pasi nuk i kishin pëlqyer pyetjet që ata po i bënin kryeparlamentarit.

Zeka, i vetmi gazetar, i cili e kishte shoqëruar delegacionin e Kuvendit të Kosovës gjatë vizitës në Kuvajt, fillimisht kishte shtruar një pyetje për Krasniqin lidhur me Eurovizionin duke ironizuar pyetjet “palidhje” të gazetarëve. Sipas tij, pyetjet duhej të bëheshin vetëm për vizitën në Kuvajt, e jo për tema të tjera.

Sikur dëgjohet edhe në vodeoincizimin e transmetuar në KTV, Zeka e fyen disa herë shumë rëndë gazetaren Liridona Lluka-Gashi të RTV Dukagjini.

Ndaj incidentit ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), i cili ka shprehur shqetësimin për “sjelljet joetike të disa gazetarëve” në këtë konferencë.

UGK konstaton se sjelljet e tilla e dëmtojnë rëndë imazhin e medieve dhe gazetarëve në Republikën e Kosovës. Për UGK-në, sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe jo dobidhënëse për gazetarët.

Kjo shoqatë u bënë thirrje gjithë gazetarëve që t’i respektojnë parimet dhe etikën e gazetarisë. UGK po ashtu u bënë thirrje gazetarëve që të vazhdojnë punën e tyre profesionale duke respektuar etiken dhe duke mos u përulur para sfidave që hasin gjatë punës së tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›