E Shtunë, 31 Tetor 2026

RTK me tri seriale plus

Tregut të serialeve televizive vendore tashmë i janë shtuar edhe tri seriale tjera, të cilat po transmetuan në televizionin publik të Kosovës – RTK. Janë këto serialet “Qyteti pa Lum”, “Shtëpia Ime” dhe “Lagja e Re”. Të tria janë fituese të tenderit publik, që RTK e kishte shpallur në shtator të vitit 2010. Nga Express më 24 mars 2011 në ora 14:06

Radiotelevizioni i Kosovës RTK) ka blerë disa projekte televizive. Megjithëse, nuk duket të ketë begatuar spektrin e temave që do të trajtohet nëpërmjet tyre. Kështu, përveç serialeve “Familja Moderne” dhe “Kafeneja Jonë”, që në RTK kanë një jetëgjatësi disavjeçare, televizioni publik në program e vetë të rregullt tashmë ka inkorporuar edhe tri seriale të tjera.

Tregut të serialeve vendore i janë shtuar edhe “Qyteti pa Lum”, me skenar të Zymber Kelmendit, dhe regji të Ilir Kabashit; seriali tjetër i zhanrit dramë “Shtëpia Ime”, me skenar dhe regji të Synaj Raçës; dhe seriali i zhanrit komedi “Lagja e Re”, me skenar të Lirak Qelajt dhe regji të Florent Mehmetit. E përbashkëta e të gjitha këtyre serialeve duket të jetë shtëpia, familja, kafeneja, apo lagja. Mungojnë temat që dalin nga ky qark.

Megjithatë, sipas Ilir Kabashit, regjisor i "Qytetit pa Lum", ky serial vjen si produkt i ri në RTK, dhe është krejt i ndryshëm nga serialet tjera.

“Është një dramë, e xhiruar në stilin filmik. Pra, me një kamerë dhe me një lojë ndryshe të aktorëve, me ambiente të hapura dhe të mbyllura xhirimi”, thotë ai.

Për më tepër, Kabashi pohon se e gjithë kjo punë bëhet nga njerëz adekuat dhe profesionistë - secili për lëmin e vetë.

“Si rrjedhojë, kemi një produkt që është vlerësuar si standard i ri në RTK. Kjo pastaj ka bërë që shikuesi ta pranoj shumë shpejt dhe mirë serialin ‘Qyteti pa Lum’”, thotë me bindje Kabashi.

E, ky serial, njësoj sikurse e dhe dy serialet tjera, kanë qenë projekte konkurruese në tenderin publik që RTK e kishte shpallur në shtator të vitit 2010, për blerjen e veprave audiovizuale nga producentë të pavarur. Pra, secili seria u shpallë fitues secili në zhanrin e respektiv. “Qyteti pa Lum” ka marrëveshje me RTK’në për realizimin e 26 episodeve , me mundësi vazhdimi.

“Mendoj se vlerësimin më të mirë për çdo gjë vizuale do të duhej ta jepte publiku”, shprehet producentja e “Qytetit pa Lum”, Merita Musa.
Sipas Musës, “Qyteti pa Lum” nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë që, nga episodi në episod, të bartë ngjarjen përmes karaktereve tashmë të definuara në pesë episodet e transmetuara deri më tani.

Regjisori, Jeton Ahmetaj, shprehet i gëzuar, për faktin që këto tri seriale vijnë si projekte të reja, me aktorë dhe regjisorë të rinj, të cilët tani po gjejnë punë në lëmin për të cilin janë shkolluar.

“Kanë angazhim, dhe janë punësuar njerëzit. Këtë, pra, po e llogaris si gjë pozitive”, thotë Ahmetaj.

Ai vlerëson se, për aq sa ka parë, këto seriale kanë sjellë një frymë të re, dhe një laramani temash.

“Nuk ka përafri me seriale tjera, sepse ka xhirime edhe në eksterier, dhe dallohen shumë për nga stili i xhirimit. Megjithëse, janë të formatit të teatrit, megjithatë kanë një zbërthim tjetër të ngjarjeve”, sqaron Ahmetaj.

Mirëpo, sipas tij, televizioni do të duhej të punonte edhe në një format tjetër të pa eksploaruar, përveç serialeve, të cilat tashmë nuk janë të pakta në numër. Do të duhej të kishte interesim më të theksuar për filma artistikë, apo edhe filma dokumentarë, sugjeron Ahmetaj.

“Unë RTK’së ja kam ofruar filmin ‘Gomarët e Kufirit’, dhe ka mbetur që të shihet nëse e ka interesim për të nga politika programore e RTK’së. Unë po pres, por gjithsesi se do të duhej të kishte shumë më tepër filma artistikë. Kjo për arsye se, megjithatë filmi artistik dallon nga ky lloj i serialeve, sidomos filmi dokumentar, i cili trajtohet tepër pak. Për mua ka më shumë emisione dokumentare, seç ka, ta zëmë, filma dokumentarë, e ky, megjithatë, është një dallim substancial”, nënvizon Ahmetaj.

Express është munduar që të kontaktoj edhe me producentin ekzekutiv të RTK’së, Ilir Shaqiri, në mënyrë që nga ky i fundit të kuptojë diçka më tepër rreth këtyre dhe projekteve të ardhshme, por edhe të marrë informata shtesë lidhur me kriteret, dhe kostot e prurjeve të fundit në programin e rregullt të televizionit publik. Mirëpo, kjo doli të jetë e pamundur, ngase z. Shaqiri ndodhej jashtë vendit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›