Konsum i madh i duhanit në Maqedoni

Maqedonia zë vendin e dytë në Evropë për pirjen e duhanit për frymë. Thuajse një në tre persona në Maqedoni është me cigare në dorë ose 700 mijë banorë, sipas statistikave të fundit, që kap një përqindje 35 përqind të popullatës së përgjithshme.
Duhanpirësit dhe ata që nuk e konsumojnë duhanin janë të vetëdijshëm për pasojat e pirjes se duhanit por çdo njëri nga ta ka arsyet e veta.
“Mendoj se më mirë do të ndihet ai njeri që ka mushkëri të shëndosha, pa nikotinë”.
“Unë nuk pi duhan, bashkëshortja po, kështu që kemi gjithmonë zënka”, “Mendoj se është e dëmshme , por çka të bëj, më ka mbetur shprehi. Kam provuar ta lë por nuk mundem," thonë qytetarët.
Tani më dy vite në Maqedoni zbatohet ligji për mbrojtje nga pirja e duhanit që nënkupton se duhani është i ndaluar në kafene, bare nate, disko- klube dhe në të gjitha ambientet e mbyllura administrative dhe institucionet shtetërore. Por, prapëseprapë Maqedonia është në krye të vendeve ku pihet më shumë duhan.
Sociologu Gjorgji Tanevski thotë se kjo ka të bëjë me kodin etno psikollogjik të qytetarëve të Maqedonisë, të pranimit apo mos respektimit të ligjit. “Ligjet për ndalimin e duhanit kanë shkaktuar rezistencë edhe në vendet tjera, por në Maqedoni sipas statistikave ky ligj shumë pak respektohet. Besoj se qytetarët kanë filluar të adaptohen ndaj ndalesës së pirjes së duhanit dhe në shumë lokale nuk vërehet pirja e duhani”, thotë Tanevski.
Në shumë lokale, pronarët nga tavolina kanë hequr tavllat e duhanit dhe në vende të dukshme është vendosur paralajmërimi se duhani është i ndaluar, por klientët në rrezik të vetin në lokale ndezin cigare. “Unë i kam larguar tavllat, por kemi klientë që nuk e respektojnë këtë dhe ndezin cigare, mosrespektimi i ligjit është në përgjegjësinë e tyre,” thotë pronari i një lokali në Shkup.
Mirçe Petkovski është inspektor tregu i cili mbikëqyr lokalet se a respektohet ligji për mospierjen e duhanit. “Kemi raste kur kemi hasur në klientë duke pire cigare, ka qenë i dehur. Në ato raste kemi dënuar pronarin e lokalit”.
Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, prej 3000 lokaleve të kontrolluar, inspektoriati i tregut ka vërejtur parregullsi në 90 përqind prej tyre.
Gjobat mund të ndihmojnë
Statistikat tregojnë se 25 përqind e të sëmurëve nga kanceri në mushkëri në Maqedoni janë duhanpirës. Sipas mjekëve shkaku kryesor janë cigaret. “Shkaktari më i madh i kancerit në mushkëri dhe i sëmundjeve kardiovaskulare është pirja e duhanit. Çdo vit nga kanceri i mushkërive sëmuren 870 persona”, thotë doktor Mirjana Babamova.
Për t`iu shmangur vesit të pirjes së duhanit në Maqedoni promovohen një sërë broshura, por deri më tani efektet kanë munguar thotë Babamova. Në parandalimin e pirjes së duhanit në Maqedoni efekte nuk kanë dhënë edhe gjobat marramendëse, pronarët e objekteve për mos respektimin e ligjit të pirjes së duhanit dënohen prej 1000 deri 5000 euro, ndërsa personat fizik nga 100 deri 300 euro. /dw/