E Diel, 1 Nëntor 2026

RTSH në “Muse –X”, stenda e transmetuesit publik mirëpret vizitorë të shumtë

Festivali ndërkombëtar i muzikës “Muze X”, në edicionin e tij të dytë, po vijon të sjellë një atmosferë të pasur artistike në ambientet e Piramidës në Tiranë. Një nga momentet më të bukura të këtij festivali ishte performanca e përbashkët e Orkestrës Simfonike të RTSH dhe Orkestrës Simfonike të Maqedonisë së Veriut, të cilat sollën emocione të veçanta për të pranishmit.

Stenda e RTSH në Muze X gjatë dy ditëve ka pasur vizitorë të shumtë, por edhe artistë ndërkombëtarë si kompozitori i njohur Darko Dimitrov, i cili prej vitesh bashkëpunon me këngëtarët shqiptarë, për të cilët shprehet se Shqipëria është një vend plot me talente.

“Jam mirëpritur nga shqiptarët dhe jam shumë i lumtur që vij në Tiranë. Në këtë edicion të dytë të festivalit kam bërë disa lidhje që premtojnë shumë në të ardhmen. Shqipëria është një vend plot me talente dhe besoj se do të kemi bashkëpunime të tjera shumë shpresëdhënëse”, tha ai.

Në stendën e RTSH vizitorët kanë mundësi të njihen më shumë me festivalet e këngës dhe gjithashtu edhe me programacionin e pasur që ofron RTSH. Pjesëmarrja e RTSH-së në këtë festival synon të sjellë më pranë publikut trashëgiminë muzikore dhe aktivitetet artistike që institucioni zhvillon ndër vite.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›