RTVM pa program satelitor në shqip

Radiotelevizioni i Maqedonisë akoma nuk ka filluar të aplikojë programin satelitor në gjuhën shqipe.
Kërkesa për një gjë të tillë është shpalosur vite me radhë, mirëpo ajo ka ngelur vetëm në letër dhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare vazhdojnë të hedhin këtë çështje vetëm si premtim gjatë zgjedhjeve.
Çështja e aplikimit të programit shqip në kuadër të kanalit satelitor ishte ngritur edhe pranë komisioneve parlamentare dhe nga partitë shqiptare, së fundi deputetët e BDI-së të kryesuar nga nënkryetari i parlamentit, Rafiz Haliti.
Mirëpo premtimi nuk u realizua edhe gjatë mandatit të kaluar, kur deputetët e PDSH-së kryesonin me komisionin e posaçëm për kryesimin e kanalit të tretë, por edhe për RTVM, nga ku anëtarët e këshillave drejtuese nominohen dhe zgjidhen drejtpërdrejt me votim nga parlamenti.
Partitë politike nuk dëshirojnë të komentojnë këtë çështje, duke theksuar se duhet të zgjidhet nga drejtoria e RTVM-së.