RUMANI – Presidenti Iohannis jep dorëheqjen përpara rivotimeve

BUKURESHT, 10 shkurt /ATSH-AFP/- Presidenti rumun, Klaus Iohannis njoftoi sot se do të jepte dorëheqjen përpara rivotimit të zgjedhjeve që u anuluan për shkak të akuzave për ndërhyrje ruse.
Presioni ishte rritur mbi pro-evropianin Iohannis, lideri i liberalëve i cili kishte thënë se do të qëndronte në detyrë derisa të zgjidhej pasardhësi i tij në maj.
Gjykata e lartë e Rumanisë vendosi të anulojë zgjedhjet presidenciale në dhjetor mes akuzave për ndërhyrje ruse dhe pasi një kandidat më parë pak i njohur, i ekstremit të djathtë arriti një fitore të papritur në raundin e parë.
“Për të shpëtuar Rumaninë dhe qytetarët rumunë nga kriza… Unë jap dorëheqjen nga posti i presidentit të Rumanisë”, tha Iohannis, duke shtuar se ai zyrtarisht do të tërhiqej të mërkurën.
Deputetët nisën sot një procedurë për pezullimin nga detyra te Iohannis, pas dy përpjekjeve të mëparshme të opozitës për të nisur procesin.
“Brenda pak ditësh, Parlamenti rumun do të votojë për pezullimin tim dhe Rumania do të kalojë në krizë… E gjithë kjo përpjekje do të ketë efekte brenda dhe fatkeqësisht edhe jashtë”, tha Iohannis.
Udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë AUR George Simion përshëndeti sot dorëheqjen e Iohannis.
Muajin e kaluar, dhjetëra mijëra rumunë dolën në rrugë në disa protesta të thirrura nga e djathta ekstreme për të protestuar kundër anulimit të votimit – ku disa prej tyre kërkuan dorëheqjen e Iohannis.
E djathta ekstreme fitoi një të tretën e paprecedentë të votave në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit
Presidenti i Senatit Ilie Bolojan, pritet të zëvendësojë Iohannis.
Vendimi – i rrallë në BE – e zhyti në krizë vendin e Evropës Lindore në kufi me Ukrainën e shkatërruar nga lufta, ndërsa Georgescu kritikoi anulimin e votimeve duke e konsideruar një “grusht shteti të zyrtarizuar”.
Raundi i ri i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të zhvillohet më 4 maj, ndërsa i dyti më 18 maj – në rast se asnjë kandidat i raundit të parë nuk fiton më shumë se 50% të votave.
Iohannis, 65 vjeç, ka qenë president i Rumanisë që nga viti 2014. //a.i/