E Martë, 3 Nëntor 2026

RUMANI – Simion i ekstremit të djathtë fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

BUKURESHT, 5 maj /ATSH-DPA/- Kandidati presidencial i ekstremit të djathtë në Rumani, George Simion, fitoi dje raundin e parë të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale, duke fituar rreth 41% të votave, por duke mos arritur shumicën absolute.

Rumunët tani do të vendosin për presidentin e ardhshëm të vendit – në një balotazh më 18 maj – ku Simion do të përballet me kryetarin e bashkisë liberal konservator të Bukureshtit, Nicuşor Dan – një kandidat i pavarur – i cili fitoi rreth 21% të votave.

Dan mundi ngushtë Crin Antonescun, i mbështetur nga koalicioni qeverisës i qendrës së djathtë dhe socialdemokrat.

Antonescu, i cili mori 20,1% të votave, pranoi humbjen. Antonescu dhe Dan ishin të ndarë nga rreth 56,000 vota.

“Pyetja tani është nëse Rumania do të mbetet e orientuar drejt Perëndimit, pasi fushata e ardhshme zgjedhore kundër kandidatit “izolacionist” Simion do të jete sfiduese”, tha Dan.

Zgjedhjet presidenciale në fqinjin e Ukrainës po vëzhgohen nga afër nga vendet e tjera evropiane, pasi posti i presidentit ka ndikim të fortë mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Në zgjedhjet fillestare në nëntor, kandidati pro rus Calin Georgescu fitoi raundin e parë, pasi kishte bërë fushatë kryesisht në platformën online TikTok.

Megjithatë, para balotazhit të planifikuar, Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë për shkak të parregullsive në financimin e fushatës.

Georgescu u ndalua gjithashtu të kandidonte sërish për postin e presidentit dhe ka qenë nën hetim nga zyra e prokurorit publik që nga shkurti për dhënien e deklaratave të rreme në lidhje me financimin e fushatës së tij.

Simion tha se qëllimi i tij ishte të siguronte “drejtësi” për Georgescu nëse fiton zgjedhjet. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndihmës ndaj Georgescu për t’u bërë kryeministër. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›