RUSI – Kremlini: SHBA-ja nuk i ka diskutuar ende detajet e planit të paqes në Ukrainë me Moskën

MOSKË, 21 nëntor /ATSH/- Rusia nuk ka marrë ende një dokument zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me planin prej 28-pikësh të SHBA-së për paqen në Ukrainë, por mbetet e gatshme për të negociuar, tha sot Kremlini, sipas “Reuters”.
Uashingtoni i ka paraqitur Kievit planin – të cilin zyrtarët ukrainas thonë se po e studiojnë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska dhe Uashingtoni ende nuk i kanë diskutuar propozimet në detaje.
“Ka ide të caktuara nga pala amerikane, por asgjë thelbësore nuk po diskutohet aktualisht. Ne jemi plotësisht të hapur ndaj negociatave të paqes”, u tha Peskov gazetarëve.
Peskov tha se avancimet ruse në fushën e betejës po i reduktonin opsionet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Puna efektive e forcave të armatosura ruse duhet ta bindë Zelensky dhe regjimin e tij se është më mirë të negociojnë”, shtoi ai.
“Është më mirë ta bëjnë këtë tani, sesa më vonë. Hapësira e tij për vendimmarrje po zvogëlohet ndërsa ai humbet territor gjatë operacioneve ofensive të forcave të armatosura ruse”, tha ai.
“Vazhdimi i luftës ishte i pakuptimtë dhe i rrezikshëm për Ukrainën”, tha Peskov.
“Regjimi ukrainas duhet të marrë një vendim të përgjegjshëm. Bëjeni tani dhe merrni përgjegjësinë”, theksoi ai.
Zelensky ka pranuar se i është dorëzuar plani i SHBA-së, por nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi përmbajtjen e tij.
“Ukraina është e gatshme për punë konstruktive, të ndershme dhe të shpejtë”, shkroi Zelensky dje në mbrëmje në Telegram.//a.i/