Racizmi në Greqi dhe politika e jashtme
Jordan Jorgji/PHD Marrëdhënie Ndërkombëtare
Përkrah krizës ekonomike, kohët e fundit në Greqi është rritur ndjeshëm racizmi kundër të huajve, kryesisht atyre me ngjyrë. Rasti i fundit ishte ai që ndodhi në rajonin e Manoladhës, në Peloponez, ku truprojat e pronarit të një ferme luleshtrydhesh nuk pranuan tu jepnin punëtorëve rrogën e prapambetur gjashtëmujore dhe më pas qëlluan drejt tyre me armë, ku lanë te plagosur më shumë se 30 vetë. Viktimat e dhunës janë imigrantë sezonalë nga Bangladeshi, të cilët, sipas mediave greke, jetojnë dhe punojnë në kushte çnjerëzore dhe page- sa e tyre ditore nuk i kalon 5 euro. Në qoftë se punëtorët protestojnë, zëvendësohen me të huaj të tjerë dhe paralelisht kërcënohen me dëbim si imigrantë të paligjshëm në Greqi. Tregti skllevërish, shfrytëzim dhe racizëm. Sjellje raciste në Selanik u shënua përsëri këtë muaj, ku shoferi zbriti nga autobusi i qytetit dy imigrantë afrikanë, ndërsa në Janar organizatat e majta zhvilluan protesta pas vrasjes së një të riu nga Pakistani në një nga lagjet e Athinës. Të gjitha këto po vënë në rrezik real ato vlera që Greqia ka trashëguar, por edhe që mund të ketë fituar brenda familjes së Evropës së Bashkuar. “Në Greqi po shembet demokracia dhe shteti i së drejtës”, thotë Këshilli i Evropës. Gjithashtu, po shkelen të drejtat e punëtorëve, sipas organizatave, të cilat pothuajse ç’do ditë protestojnë në rrugët e Athinës. Atëherë normalisht lind pyetja: çfarë vlera dhe standarde është në gjendje Greqia të kërkojë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, kur vetë Greqia nuk mund të sigurojë vlerat minimale të demokracisë dhe të drejtave të njeriut? Nuk është vetëm kriza ekonomike që e ka dëmtuar ndjeshëm prestigjin grek në Ballkan dhe politikën e jashtme helene në këtë rajon, por edhe racizmi i stilit neonazist që fatkeqësisht po rritet dukshëm. Bashkimi Evropian duhet të dalë nga kriza që po kalon dhe bashkë me autoritetet greke duhet të ndërmarrë poli- tika të shëndosha sociale dhe jo vetëm në të mirë të bankave. Nga ana tjetër, Grekët duhet ti dëbojnë një herë e përgjithmonë sjelljet raciste dhe shfrytëzuese, dhe të përqafojnë ndjenjat e solidaritetit me të huajt, të kërkuara ç’do ditë nga shumë organizata të bashkëkombësve të tyre. Vetëm në këtë mënyrë Greqia do të mund të eksportojë vlera reale tek fqinjët e saj dhe të gjejë identitetin e vet si një vend demokratik dhe të zhvilluar.