“Besëlidhja e Shkodrës”, kontratë europiane e Shqipërisë
Arben Rrozhani
Drejtuesit kryesorë të të majtës shqiptare nënshkruan dje në Shkodër të ashtuquajturën “Kartë të parimeve të bashkimit PS-LSI”, në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane, koalicionit qeverisës të ven-dit, pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Në një ceremoni solemne me “dëshmitarë” socialistët europianë, kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, bënë zyrtare aleancën e shpallur në 1 prill për të qenë së bashku jo vetëm në zgjedhje, por edhe në bashkëqeverisje, jo vetëm për një mandat, por për dy, me synim anëtarësimin e vendit në BE. Finalizimi i marrëveshjes është nisja e mbarë e një rruge të gjatë që duhet të përshkruajë e majta e bashkuar, me dhjetëra parti, për një rikthim të vendit në rrugën drejt Europës, pas disa viteve vendnumëro, kursit të rrezikshëm drejt një autokracie tipike lindore të modelit azer dhe kapjen e “trenit” të Europës, ku nuk kemi mundur të hipim, për shkak të një qeverisjeje antieuropiane në vlera dhe reforma. Përtej një “besëlidhjeje” mes dy liderëve të të majtës, Karta e nënshkruar dje në Shkodër, është një kontratë qeverisjeje që u ofrohet shqiptarëve të tradhtuar nga mungesa e qeverisjes, braktisjes së popullit nga një klan i ngushtë pushteti që ka përdorur Ekzekutivin, legjislativin dhe Gjyqësorin për të privatizuar vendin dhe për ta shndërruar atë në një çiflig-shtet. Në këtë kontratë afatgjatë me shqiptarët, dy partitë kryesore të të majtës bien dakord që të përafrojnë programet elektorale dhe politike për të qenë në një mendje me reformat që duhet të bëjë qeverisja e ardhshme e të majtës, me synim anëtarësimin e vendit në BE, pas 23 viteve tranzicioni me shumë “prapakthehu”. Qeverisja e ardhshme premton se nuk do të përndjekë, intimidojë, kërcënojë, dënojë me gjyqe farsë, apo vrasë opozitën, siç ka bërë PD-ja në gjatë dy mandateve të saj. Kuvendi i ri, ku shumicë do të jetë e majta, nuk do të jetë masha në duart e qeverisë për të mbajtur në zap institucionet e pavarura kushtetuese, duke i kthyer ato në vegla të partisë-shtet, duke fryrë administratën shtetërore me militantë që duhen për vota dhe për mitingje dhe aspak në shërbim të qytetarit, siç ka bërë qeverisja në këto tetë vite. Qeverisja e re premton se nuk do të jetë streha e pandëshkueshmërisë dhe e bunkerit të informacionit që duan të dinë taksapaguesit për paratë që ata paguajnë për të mbajtur në këmbë për qeveri-në; se Ekzekutivi nuk do të jetë një shitës asetesh, koncesionesh, pasurish dhe të të mirave të tjera materiale të vendit nga një grusht njerëzish të lidhur me kryeministrin, që veprojnë të pavarur dhe që nuk guxon t’i kontrollojë dhe t’u kërkojë llogari askush. Qeveria e re do të nxjerrë nga skamja atë shtresë të madhe shqiptarësh që sot vetëm mbush listat e ushqimeve veresie dhe mbijeton larg kujdesit shtetëror; se do të rikthejë shtresën e mesme që u zhduk në këto vite të qeverisjes së djathtë, duke e shndërruar në të var-fër, përmes barrës së rëndë fiskale, rritjes së çmimeve dhe uljes së fuqisë blerëse. Biznesi i madh, ai që i jep punë mijëra të punësuarve dhe të ardhurat kryesore në buxhetin e shtetit, nuk do të jetë viktimë e politikës klienteliste të qeverisë, apo taksidarëve të tatim-taksave që mbushin me dhunë buxhetin e rrënuar nga keqmenaxhimi. Shqiptarët do të kenë pronën e tyre të trashëguar, apo të ndërtuar ndër vite dhe për këtë, nuk do të vendosë më qeveria; as do të luajë kartën e legalizimeve që nuk ua zgjidh realisht pronësinë, por që përdoret si kartë elektorale në çdo prag fushate. Në vendin ku ndodhin aktualisht mbi 20 mijë krime në një vit, shumica ndaj pronës dhe personit, qeverisja e ardhshme premton rikthimin e sigurisë dhe të ligjshmërisë, ku nuk fiton më i forti, por vetëm ligji dhe të drejta kushtetuese. Qeverisja e re nuk do të përdorë rininë vetëm si fasadë për mitingjet elektorale, apo ilustrimin e “Shqipërisë digjitale”, që ekziston vetëm në qendër të Tiranës, por rikthimin e saj në auditore dhe në punë, si kontribuese dhe përfituese të mirëqenies. Në vendin ku vetëm administrim territori qeveritar, ku gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë dhe ku të dojë me pronën publike, qeverisja e re premton të rivendosë ligjin, duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve-plehra dhe ku deri më sot ka fituar paligjshmëria dhe kaosi urban dhe mjedisor. Kontrata programore dhe politike PS-LSI, premton se do të jetë afatgjatë dhe me destinacionin e dëshiruar, për të cilin mijëra studentë dhe profesorë, mes të cilëve dhe Edi Rama dhe Ilir Meta dolën në shesh në dhjetor ’90, duke thirrur: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo është kontrata qeverisëse që u ofrohet shqiptarëve për 23 qershorin 2013 dhe ata do ta kenë të lehtë të bëjnë dallimin mes 8 vitet e premtuara dhe të parealizuara nga qeverisja e PD-së me ato që e majta e bashkuar u ofron shqiptarëve si një rrugë e vetme për të shpëtuar vendin.