Radha e emigrantëve në Kapshticë, dogana greke shton 1 sportel
Kthimi i emigrantëve shqiptarë në shtetin fqinj Greqi është shoqëruar sërish me radhë të gjata dhe pritje torturuese. Ndryshe nga një ditë më parë, policia greke ka shtuar dhe një sportel më shumë ndërsa ritmet e punës kanë qenë më të larta. Pavarësisht kësaj, udhëtarët e shumtë nuk kanë mundur të shmangin pritjen që ka kaluar deri dhe 8 orë, ndërkohë që në territorin shqiptar radha ka qenë e gjatë duke arritur deri në 2 kilometra.
Sipas komandantit të pikës shqiptare të kalimit Dritan Shema, situata në kufi edhe gjatë të martës ka qenë e rënduar përsa i përket numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që janë duke u kthyer në Greqi në vendet e tyre të punës. Por duke iu referuar shifrave zyrtare në 24 orët e fundit kanë lënë Shqipërinë plot 7 mijë emigrantë me rreth 2 mijë automjete, ndërkohë që në 20 orët e fundit kanë dalë nga atdheu i tyre 4500 persona me 1200 automjete. Policia shqiptare në Kapshticë bëjnë të ditura për gazetën të njëjtat burime se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë hyrë në Shqipëri 30 mijë emigrantë më shumë se viti i shkuar, ndërkohë që janë plot 50 mijë emigrantë shqiptarë që kanë ardhur gjatë javës së fundit me rastin e festës së Pashkëve ortodokse në vend nëpërmjet kësaj pike kalimi. Masat e mara nga policia shqiptare dhe ajo greke kanë qenë të shumta, ndërsa pas një takimi me homologët grekë gjatë ditës së djeshme është vënë re një rritëm më i lartë i punës. Pala greke e ka çuar në 5 numrin e sporteleve vetëm për hyrjet në Greqi nga 4 që ka patur një ditë më parë, teksa në tokën shqiptare përpunohen të dhënat e atyre që largohen në 7 sportele të vëna në punë prej disa ditësh.