Fier, banorët e fshatit Kraps protestojnë për rrugën, braktisët pa afat mësimi
Rreth 860 nxënës të shkollës 9- vjeçare të Fshatit Kraps në komunën Portëz të rrethit të Fierit kanë bojkotuar mësimin. Shkak për këtë është bërë mungesa e transportit dhe amortizimi i tejskajshëm i rrugës. Dita e djeshme ka qenë thjesht zanafilla, pasi prindërit kanë deklaruar se kjo situatë do të vijojë deri në fillimet e investimit për shtrimin e rrugës. Të mbledhur të gjithë bashkë, prindër dhe nxënës kanë kërkuar shtrimin në kohë rekord, ndryshe do të vazhdojë braktisja e shkollës. Ndërkohë, nëse rruga nuk rregullohet brenda një kohe të shkurtër, banorët kanë theksuar se nuk do të shkojnë në votime.
Kështu, me qindra banorë të këtij fshati kanë nisur një protestë duke u grumbulluar në qendër të fshatit Kraps për të kërkuar rikonstruksionin e rrugës. Tepër të zemëruar nga kjo situatë dhe nga neglizhenca e treguar për një problem të tillë madhor, banorët të gjithë së bashku i bënë thirrje qeverisë shqiptare dhe deputetit të zonës Blendi Klosi për më shumë vëmendje në zbatimin e projektit të rrugës Kraps-Lalar. Kjo rrugë, sipas banorëve ka qenë gjithmonë një objekt referimi për të gjithë deputetët që kandidojnë por që çuditërisht ka mbetur tejet e amortizuar. E ndërsa në kor kanë kërkuar startimin e investimeve, në këtë prag zgjedhor banorët kanë thënë edhe fjalën e fundit, se do të bojkotojnë votimet nëse nuk merren masa. Nuk shkojmë në zgjedhjet e 28 Qershorit nëse kjo qeveri nuk merr masa për rregullimin e rrugës. Jemi me mijëra banorë që kërkojmë infrastrukturë rrugore të rregull, pasi edhe taksat i paguajmë brenda gjithë afateve. Kjo protestë vjen pasi dy muaj më parë kemi njoftuar edhe kryeministrin Berisha për gjendjen e kësaj rruge. Përgjigja që na ka ardhur nga kryeministri ka qenë se kjo rrugë do të shikohet dhe do të planifikohet rikonstruksioni i saj. Deri sot, nga ana e organeve përkatëse nuk është bërë asgjë, duke bërë që nga dita në ditë ky aks rrugor të bëhet i pakalueshëm. Ka pasur raste që na është dashur të nisemi natën për të çuar të sëmurët në spitalin e Fierit, dhe të detyruar nga rrethanat kemi përshkuar rrugën që është jashtë çdo norme. Edhe fëmijët kanë bojkotuar mësimin, pasi përditë janë përballur me peripeci të shumta. Shumë herë nuk shkonin në shkollë, pasi rruga bllokohej nga balta. Sot kemi vendosur që fëmijët të mos shkojnë në shkollë dhe kjo gjë do të vazhdojë për ditë me radhë, janë shprehur protestuesit të revoltuar, duke deklaruar përshkallëzim të protestave, madje deri në grevë urie. Protestën e banorëve e ka mbështetur edhe kryetari i komunës së Portëzës, Hazem Shatëri.