E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Largimi im nga politika, shkak zgjedhjet për kreun demokrat të Tiranës

Besnik Mustafaj ka deklaruar se do të largohet nga politika, nëse gara e Tiranës mbyllet ashtu siç ka nisur, e pandershme siç e cilëson ai. Gjatë një prononcimi mediatik, kandidati i parë i vetëshpallur për degën e Tiranës, vazhdon ta konsiderojë procesin zgjedhor, jashtë parimeve demokratike dhe të udhëhequr vetëm nga vullneti i kryetarit Berisha. Por, të paktën publikisht, shpreson që të mos jetë dëmtuar në përmasa të pakorrigjueshme. Mustafaj thekson se po i shteron frymëzimi, që e ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve në aktivitetin e tij politik, sepse parimet dhe jo paratë, sipas tij, e kanë përfshirë në politikë, por ai konstaton se konceptet në gjirin e deputetëve dhe ministrave demokratë, sot janë tjetërsuar. I paralajmëruar që në krye të herës, kur ai vendosi ti hynte kësaj gare, se kreu i Tiranës edhe kësaj radhe do të ishte i paracaktuar, siç sot përflitetet Aldo Bumçi, Besnik Mustafaj thotë se po dështon qëllimi i tij për të promovuar garën demokratike të munguar në PD. Në fakt, ende deklaratat e Mustafajt për kryeministrin vijojnë të mbeten të matura, për të shmangur, siç thotë ai, një debat që nuk do të ishte i frytshëm para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Por, pa doreza, ai vijon të flasë për Topallin dhe kryetarin aktual të degës së Tiranës, Olldashi. Për Mustafajn, dega e Tiranës kësaj here do të ishte laboratori i një Partie Demokratike, që edhe në pushtet duhet të reflektohet si e tillë. Ndërkohë që në reagimin e tij, një ditë pasi Berisha vlerësoi kandidaturën e deputetit tjetër demokrat, Aldo Bumçi, Mustafaj është shprehur se ai do të vazhdojë deri në fund garën për kandidaturën për kreun e PD-së së Tiranës. Unë do të vazhdoj të jem pjesë e garës deri në momentin kur të arrij në përfundimin se gara do të ketë minimumin e standardeve që nevojiten. Jam që ditën e parë në PD njëkohësisht me Sali Berishën dhe nuk kam ardhur as në '96, as në 2006 në Partinë Demokratike. Por, nga ana tjetër nuk mund të rri pa tërhequr vëmendjen te fakti se Berisha shkeli një parim të rëndësishëm që është neutraliteti i tij si kryetar i partisë ndaj kandidatëve, ka theksuar ai. Zyrtarë të lartë të PD-së kanë deklaruar se fundi i muajit prill do të shënojë edhe përmbylljen e zgjedhjeve në të gjitha degët e selisë blu, ndërsa gara për PD-në e Tiranës ka ngjallur shpesh debatet edhe për shkak të kandidaturave të shumta, që u prezantuan siç ai ajo e Besnik Mustafaj, Edi Palokës, Lajla Pernaskës, Gjergj Bojaxhiut dhe së fundi Aldo Bumçit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›