E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radha e kampionit

Barcelona e viziton Stuttgartin të martën në ndeshjen e tyre të parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve, ndërsa Olympiakos e pret kampionin e Francës, Bordeaux.

Kur Stuttgart ishte tërhequr në short më 19 dhjetor kundërshtar i Barcelonës, ishte në pozitën e 15-të në Bundesliga, me dy fitore në ligë dhe vetëm golaverazhi e ndau nga zona e play-offit për mbijetesë. Prej atëherë gjermanët janë ngritur në pozitën e nëntë në tabelë ,pas shtatë fitoreve në tetë ndeshje, nën drejtimin e trajnerit të ri Christian Gross dhe hyjnë në përballjen e parë me Barcelonën me besim të plotë.

“Tani mendojmë për Barcelonën. Ne duhet të përqendrohemi në lojën tonë dhe besojmë se mund të shkaktojmë befasi”, tha sulmuesi Cacau i cili shënoi katër gola në fitoren e thellë 5-1 ndaj Kolnit të shtunën.

Ndërsa kampioni aktual i Evropës, Barcelona fitoi Grupin F para Interit, por shënoi vetëm shtatë gola në gjashtë ndeshje, përfshirë dy barazime pa gola. Kapiteni i Barcelonës është i vetëdijshëm se ekipi duhet të përmirësohet.

“Ata janë në formë të mirë. Stuttgart është ekip shumë i rrezikshëm. Nëse nuk e ruajmë përqendrimin, do të gjejmë veten në telashe”, tha ai. Gjiganti katalan ka përfshirë Zlatan Ibrahimovicin, Daniel Alvesin dhe Xavin në ekip, por nuk është e sigurt se treshja do të jetë e gatshme për lojë.

Në përballjen tjetër që do të zhvillohet të martën mbrëma në Athinë, Olympiakos do të mundohet të nxjerrë rezultat pozitiv kundër Bordeaux para ndeshjes së kthimit në Francë. Mesfushori Jaouad Zairi i ka thënë kampionit të Francës të përgatitet për fushën e zjarrtë në Karaiskakis Stadium.

“Atmosfera në Karaiskakis Stadium është jashtëzakonisht e nxehtë. Tifozët tanë janë të shkëlqyeshëm dhe janë futbollisti ynë i 12-të. Përkrahja e tillë mund të ndryshojë një ndeshje. Ne tashmë kemi mposhtur Arsenalin në shtëpi këtë sezon dhe do të japim gjithçka për të fituar edhe të martën”, tha ai.

Mirëpo, grekët do të bëjnë vetëm paraqitjen e tyre të tretë në fazën eliminuese të garës dhe përballen me njërin prej ekipeve me bilancin më të mirë nga faza e grupeve. Ekipi i trajnerit Laurent Blanc ka humbur vetëm dy pikë në fazën e grupeve dhe pranoi vetëm dy gola.

Olympiakosit do t’i mungojnë Diogo dhe Luciano Galletti, por mesfushori Dudu pritet të kthehet nga lëndimi. Ndërsa Bordeaux është i pushuar, pasi liga franceze u lejoi atyre të shtyjnë ndeshjen kundër Auxerre, që ishte paraparë të zhvillohej në fundjavë. Mungesa e tyre e vetme është kapiteni dhe mesfushori Alou Diarra, i cili ka një lëndim në kofshë.

Faza eliminuese:

Stuttgart-Barcelona 20:45
Olympiakos-Bordeaux 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›