E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muçaj në filmin “Frakturat”

Aktori i sapodiplomuar, Afrim Muçaj, është përzgjedhur për rolin kryesor në filmin e metrazhit të gjatë “Frakturat”, të regjisorit shqiptar, Spartak Peçani, me skenar të Matt Maude, nga Anglia.

Filmi është kooproduksion shqiptaro-anglezo–kosovar, dhe do të realizohet si bashkëfinancim i kompanive filmike S.A.E. Trimex, nga Shqipëria, Left Eye Blind, nga Anglia dhe Concordia Pictures, nga Kosova. Xhirimi i filmit do të fillojë në fillim të nëntorit dhe do të përfundojë në fund të dhjetorit. Përveç aktorit Afrim Muçaj, në film do të angazhohen edhe shumë aktorë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria.

Afrim Muçaj ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të UP’së, në klasën e Ilire Vinca Çelajt. Është një prej themeluesve të Teatrit Laborator Loja, ku, në shfaqjen ‘Këmisha e gjakut’, të regjisorit Bekim Lumi, ka luajtur rolin e Hamletit. Muçaj ka luajtur edhe në filmin e metrazhit të gjatë “Kodi i Jetës”, të regjisorit Ekrem Kryeziu, dhe ka pasur një rol episodik në filmin “Gomarët e Kufirit”, të regjisorit Jeton Ahmetaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›